Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Konferenca e Rambujesë

24 nëntor 2022 | 09:07

Prof. dr. Paskal Milo

Në historinë moderne kombi shqiptar është ndeshur me shumë sfida mbi­jetese. Shumë prej tyre janë humbur. Ato që janë fituar janë pak. Por kanë qenë ato që kanë përcaktuar kursin e historisë shqiptare të shekullit XX, por edhe zhvillimet dhe gjendjen e botës shqiptare në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit që jetojmë.

Një prej sfidave më të mëdha të kombit shqiptar dhe po aq betejë e fitore historike e jashtëzakonshme e tij ishte përmbyllja e pavarësisë shqiptare në kuptimin e shtrirjes territoriale të tij. Në vitin 1912 Shqipëria e pavarur ishte gjysma e territoreve shqiptare të banuara historikisht prej shqiptarëve. Gjysma tjetër e tyre u bënë të lira 87 vjet më vonë, në kapërcyell të shekullit, në vitin 1999 dhe të pavarura 96 vjet më vonë, në vitin 2008.

Betejat historike të shqiptarëve janë kushtëzuar nga një numër arsyesh dhe faktorësh të cilat kanë përcaktuar humbjen apo fitoren e tyre. Ato kanë qenë të brendshme dhe të jashtme. Kur janë përputhur interesat e forcave kombëtare me ato ndërkombëtare ose të disa aktorëve të fuqishëm botë­rorë, sfida shqiptare ka pasur sukses. Shqipëria u shpall e pavarur në vitin 1912, sepse u puqën interesat e Lëvizjes Kombëtare me interesat e Austro-Hungarisë dhe të Italisë.

Edhe në fundin e shekullit XX liria e Kosovës erdhi si rrjedhojë e një përputhjeje të interesave të shqiptarëve të Kosovës me interesat, në radhë të parë, me ato të Shteteve të Bashkuara, pastaj të Britanisë së Madhe e të disa vendeve të tjera evropiane. Pa këtë përputhje do të ishte utopi të arrihej ajo çfarë rezultoi në qershor 1999. Pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bash­kuara dhe ndërhyrjen e NATO-s, në mars – qershor 1999, Kosova nuk e fitonte lirinë. Kjo është njëra aksiomë që del nga analiza historike. Aksioma e dytë është se pa rezistencën e gjithanshme të shqiptarëve të Kosovës dhe luftën kryengritëse të Ushtrisë Çlirimtare liria e pavarësia e saj do të mbetej një objektiv i bukur, fisnik, frymëzues, por i paarritur. Liria nuk dhurohet, por fitohet.

Këto janë kornizat e analizës për temën. Brenda tyre në fokus do të jetë roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili në tërësinë e tij ka tre momente: i pari në organizimin, forcimin dhe në imponimin e UÇK-së për të dalë si faktor përcaktues në terrenin e luftimeve, aq sa e detyroi edhe komunitetin ndërkombëtar ta njohë si të tillë; i dyti këmbëngulja e UÇK-së në negociatat e kështjellës së Rambujesë që ishte epike, por jo e strukturuar; që ishte luftarake, por jo diplomatike; që ishte dyshuese e mosbesuese, por vendimtare për arritjen e marrëveshjes; i treti në finalizimin e luftës çlirim­tare e në bashkërendimin e saj me ndërhyrjen e forcave të NATO-s.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Konferenca e Rambujesë nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën. Vendimi që morën vendet anëtare të Grupit të Kontaktit (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia), më 29 janar 1999, për të organizuar një konferencë ndër­kombëtare për Kosovën, nuk mori shkas vetëm nga masakra e Reçakut që kishte ndodhur dy javë më parë. Kjo masakër ishte pika fundore e politikës së dhunës e të gjenocidit të regjimit të Millosheviqit për ta mposhtur rezi­stencën dhe luftën e shqiptarëve për liri. Ajo paralajmëronte fare qartë se verbëria shoviniste e Beogradit rrezikonte të shkaktonte një Srebrenicë të dytë. Qëllimi final i regjimit të Beogradit ishte eliminimi i UÇK-së, e vet­mja forcë e aftë dhe e vendosur për ta ndaluar masakrimin e shqiptarëve e për ta udhëhequr luftën e tyre të armatosur kundër sundimit serb.

Vendimi për ta organizuar Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë ishte një sfidë më vete, me shumë të panjohura, por që mes tyre kishte dy më kryesoret: pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe të regjimit të Beogradit. Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi Grupi i Kontaktit Konferencën e Rambujesë e konceptuan sipas modelit të Konferencës së Dejtonit për Bosnjën, të vitit 1995, negociata intensive brenda një kohe të shkurtër (një javë) me përqendrim diplomatik të nivelit të lartë (ministrat e jashtëm). Deklarata e Grupit të Kontaktit ishte ultimative dhe ajo kërkonte të gjendej një formulë kompromisi bashkëjetese midis serbëve dhe shqiptarëve brenda çatisë së Republikës së mbetur Federative të Jugosllavisë. Parashihej që shqiptarëve t’u ofrohej një status autonom i zgjeruar.[1] Shqiptarët e Koso­vës u gjenden para një situate sa historike aq dhe delikate. Nuk ishte e thjeshtë që të merrej një vendim kaq madhor kur nuk kishte garanci, kur nuk premtohet realizimi i objektivit final – liria dhe pavarësia. Shqiptarët ndodheshin para një dileme hamletiane: të shkonin apo të mos shkonin në Rambuje. Zëra të njohur të politikës mbarëshqiptare, Adem Demaçi në Prishtinë dhe Sali Berisha në Tiranë, vajtjen në Rambuje e quajtën tradhti kombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u angazhuan fuqimisht për t’i sjellë palët në Rambuje. Më 2 shkurt 1999 Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkimin Demokratik u deklaruan në favor të pjesëmarr­jes në Konferencën e Rambujesë. Por vendimtar ishte reagimi i UÇK-së dhe aty u përqendruan në mënyrë të veçantë edhe përpjekjet e amerika­nëve. Uashingtoni, por edhe të tjerë, iu drejtuan për ndihmë edhe Qeverisë Shqiptare, fjala e së cilës dëgjohej me vëmendje. Presidenti i Republikës, kryeministri dhe ministri i Jashtëm biseduan intensivisht me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK në krye me Hashim Thaçin që u gjende­shin në Tiranë. Në pasditen e 2 shkurtit, zëdhënësi i UÇK-së shpalli ven­dimin e Shtabit të Përgjithshëm për të shkuar në Konferencën e Rambu­jesë.[2] Më 4 shkurt edhe Beogradi mori vendimin për ta dërguar delega­cionin e tij në Konferencë.

Konferenca e Rambujesë u hap më 6 shkurt pasdite. Në emër të Grupit Kontaktit delegacioneve shqiptare e serbe iu shpërnda “Korniza e Marrë­veshjes së Përkohshme për Paqe e Vetëqeverisje në Kosovë” si projekt bazë për diskutimet. Ajo u njoh ndryshe edhe si Marrëveshja Kuadër.[3]

Qëllimi i këtij kumtimi nuk është përshkrimi i punimeve të Konferencës së Rambujesë. Janë shkruar shumë libra rreth saj, nga shqiptarë e të huaj. Objekti është më i ngushtë në tematikë, por thelbësor në përmbajtje: roli i UÇK-së në Konferencë. UÇK-ja aty ishte objekt, por ishte edhe subjekt. Në thelb, Konferencën e Rambujesë e diktoi lufta e UÇK-së, pra aty do të gjykohej për rolin e saj e do të vendosej rreth saj. Por, UÇK-ja ishte edhe e përfaqësuar në Konferencë me pesë anëtarë të delegacionit shqiptar: Hashim Thaçin, drejtorin politik të saj, Jakup Krasniqin, zëdhënësin e saj, Azem Sylën, Ram Bujën dhe Xhavit Halitin. Nuk ishte rastësi që Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencë. Për asnjë meritë tjetër të tij veç asaj që ishte një nga drejtuesit e UÇK-së.

UÇK-ja u vendos në qendër të punimeve të Konferencës, por edhe të diplomacisë dhe të medias ndërkombëtare. Ajo u bë objekt analizash të burokracive diplomatike jo vetëm të gjashtë qeverive të vendeve të Grupit të Kontaktit, por shumë më gjerë, të vendeve evropiane, rajonale, të NATO-s, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo vetëm Madeleine Albright, që kishte informacionin më të plotë e më cilësor, por edhe kryediplomatë të tjerë si sekretari i jashtëm britanik Robin Cook, ministri i Jashtëm francez Huber Vedrin, gjermani Joshka Fischer, italiani Lamberto Dini e të tjerë erdhën në Rambuje me dosje të plotësuara me studime dhe analiza për UÇK-në dhe drejtuesit e saj. Dhe jo vetëm kaq, por dhe me paragjykime, sidomos dy-tre prej tyre, të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, reflektonin dhe lidhjet tradicionale të vendeve të tyre me Serbinë dhe Jugosllavinë e mbetur. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov dhe përfaqësuesi i posa­çëm rus në Rambuje, Boris Majorski, ishin të rreshtuar në Grupin e Kon­taktit më tepër për të ndikuar në relativizimin e goditjeve të forta perëndi­more ndaj regjimit të Millosheviqit sesa të kërkonin zgjidhje realiste të konfliktit në Kosovë. UÇK-në ata e shihnin dhe e vlerësonin me syzet e Beogradit.

Ballafaqimi i UÇK-së, por dhe i gjithë delegacionit shqiptar të Kosovës në përbërje të të cilit ishin emra elitarë të politikës dhe inteligjencës koso­vare si Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Bujar Bukoshi, Hidajet Hyseni, Bajram Kosumi, Veton Surroi, Blerim Shala etj. me delegacionin serb, por edhe me Grupin e Kontaktit, ishte një sfidë shumë e madhe, e frikshme, por edhe e rrezikshme. UÇK-ja, por dhe i gjithë delegacioni shqiptar, nuk kishin as kulturë të veçantë diplomatike, as njohuri bazë të së drejtës ndërkombëtare, por as përvojë negocimi. Përkundrazi, delegacioni serbo-jugosllav ishte një ekip i kompletuar, me ekspertë të njohur dhe me një shkollë trajnimi negociues, siç kishte qenë Konferenca e Londrës e vitit 1992 për ish-Jugosllavinë dhe Konferenca e Dejtonit për Bosnjën në vitin 1995. Në qarqet diplomatike amerikane dhe evropiane, këto rrethana, por dhe diferenca ishin të njohura dhe aty-këtu ishin shfaqur edhe dyshimet e një frymë skeptike. Edhe vetë drejtuesit e UÇK-së e të delegacionit shqiptar ishin të ndërgjegjshëm dhe realistë për këtë mangësi ndaj edhe kërkuan ndihmë në ekspertizën e të drejtës ndërkombëtare e kushtetuese si dhe në teknikat negociuese diplomatike.

Ndihma në radhë të parë erdhi nga Shtetet e Bashkuara. Ish-zyrtarë dhe diplomatë të nivelit të lartë nga Departamenti i Shtetit, juristë dhe ekspertë të së drejtës, u angazhuan si këshilltarë pranë delegacionit shqiptar. Përfa­qësues të diasporës shqiptare të njohur e të specializuar në fushat e mësi­përme u vendosën në dispozicion të delegacionit. Shqipëria angazhoi eks­pertizën e saj më të mirë juridike në të drejtën ndërkombëtare e kushtetuese për konsultime e mendime për Marrëveshjen Kuadër që ishte dorëzuar në fillim të Konferencës e për të gjitha çështjet në vijimësi. Ajo dërgoi përfa­qësuesit e saj zyrtarë dhe krijoi grupin e punës në Paris në mbështetje të delegacionit shqiptar. Rol që nga fillimi e deri në fund luajti edhe amba­sada shqiptare në kryeqytetin francez. Vetë ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë Shqiptare në dy momentet finale të Konferencës u ndodh pranë delegacionit shqiptar për ta përcjellë mbështetjen e fuqishme të shtetit shqiptar.

Korniza e Marrëveshjes së Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë që iu shpërnda të dy delegacioneve në emër të Grupit të Kontaktit ishte një dokument i hartuar me shumë kujdes e frymë kompromisi. Ai përmbante disa kapituj ku trajtoheshin parime të përgjithshme, çështjet e sigurisë, të institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë, të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Në këtë projekt-marrëveshje parashikohej që garante për zbatimin e saj do të ishin forcat ndërkombëtare që do të vendoseshin në Kosovë. Gjithashtu, aty theksohej se pas tre vjetësh që cilësohej si periudhë kalimtare, kjo marrëveshje do të rishikohej dhe do t’i bëhej një vlerësim tërësor nën kujdesin ndërkombëtar me qëllimin për ta përmirësuar zbati­min e saj dhe për të përcaktuar nëse vënia në jetë i propozimeve do të kërkonte hapat plotësuese nga çdo anë.[4] Delegacioneve iu la dy ditë afat për ta studiuar e diskutuar projekt-marrëveshjen e për t’i paraqitur mëndi­met e tyre në treshen e negociatorëve ndërkombëtarë: Kristofer Hill, Volf­gang Petritsch dhe Boris Majorski.

Shqyrtimi i dokumentit të Grupit të Kontaktit nga delegacioni shqiptar nxori mangësi dhe paqartësi rreth përcaktimit të statusit të Kosovës, çësh­tjes së organizimit të referendumit në përfundim të periudhës kalimtare trevjeçare dhe fatit të UÇK-së. Formulimi i statusit të Kosovës ishte lënë qëllimisht jashtë tekstit të Marrëveshjes Kuadër, sepse ajo mund ta kom­prometonte që në fillim suksesin e Konferencës. Aty vetëm se ishte për­mendur disa herë parimi i vetëqeverisjes në kuadrin e të drejtave të minori­teteve për të marrë pjesë aktive në qeverisjen e Kosovës e në ushtrimin e lirive dhe të drejtave demokratike. Në dokument nënvizohej se këto liri dhe të drejta të komuniteteve nacionale nuk duhej ta cenonin sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugoslla­visë.[5]

Delegacioni shqiptar, veçanërisht përfaqësuesit e UÇK-së, që në fillim reaguan se në projektmarrëveshje mungonte klauzola e referendumit për statusin e ardhshëm të Kosovës, si dhe ajo për fatin e UÇK-së. Këto dy çështje do të bëheshin boshti qendror rreth të cilave do të vërtitej e gjithë veprimtaria e delegacionit shqiptar. Nëse për çështjen e parë kishte kon­sensus të shprehur nga të gjithë anëtarët e delegacionit, për çështjen e dytë, për fatin e UÇK-së, interesimi ishte fragmentar, i një pjese të delegacionit, i përfaqësuesve të UÇK-së dhe i atyre të LBD-së. Hashim Thaçi si kryetar i zgjedhur i delegacionit dhe si përfaqësues i UÇK-së ushtroi ndikim dhe udhëheqje që jo gjithnjë gjeti mirëkuptimin e anëtarëve të tjerë, veçanërisht atyre të LDK-së. Gjithsesi delegacioni e ruajti unitetin dhe në reagimin e tij të parë me shkrim, projekt-marrëveshja u gjykua e pranueshme, por u shoqërua me disa kërkesa, ku dy ishin më kryesoret: ideja e referendumit në fund të periudhës kalimtare dhe e ardhmja e UÇK-së.[6]

Delegacioni serbo-jugosllav në dukje shfaqej i qetë dhe nuk ishte i intere­suar për t’u ulur në negociata thelbësore. Taktika e tij gjatë javës së parë ishte të fitonte kohë, negociatat të zvarriteshin deri në dështimin e tyre. Për këtë qëllim ai refuzonte të bënte komente për projektin e Marrëveshjes Kuadër për ato pjesë që i ishin dhënë duke pretenduar se ato do të bëheshin në momentin kur do t’u jepeshin në dispozicion dhe kapitujt e sigurisë e të policisë. Me objektiv zvarritjen e procesit, por edhe për ta ndryshuar kursin e tij, serbo-jugosllavët propozuan që të dyja palët ta nënshkruanin parapra­kisht paketën me dhjetë parimet bazë të Marrëveshjes Kuadër të cilat ishin të përgjithshme dhe nuk cenonin drejtpërsëdrejti interesat e tyre në Kosovë. Por kjo përpjekje e Beogradit u kuptua menjëherë nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe evropianë. Ambasadori Hilli, në lidhje me këtë, atëbotë deklaroi se “kjo strategji e delegacionit serb, për ta nënshkruar deklaratën e dhjetë parimeve pa përfundimin e Marrëveshjes finale, synon ta minojë Rambujenë. Filozofia jonë është që asgjë e veçantë nuk duhet pranuar pa u pranuar e gjitha”.[7] Në thelb, delegacioni serbo-jugosllav nuk kishte mandat për të vendosur. Gjithçka ishte e përqendruar në Beograd, në duart e Millosheviqit.

Një javë pas fillimit të Konferencës së Rambujesë, ashtu siç dhe pritej, nuk pati ndonjë përparim për t’u shënuar. Ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit, më 14 shkurt, në mbledhjen e tyre të parashikuar, vendosën për zgjatjen edhe për një javë të Konferencës, deri më 20 shkurt. Në konklu­zionet e kësaj mbledhjeje, Grupi i Kontaktit i ftoi të dy delegacionet që të shfrytëzonin ditët në vijim për të arritur një marrëveshje të shpejtë mbi bazën e propozimeve për vetëqeverisje në Kosovë. Duke e ndier rrezikun e dështimit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një ofensivë intensive diplo­matike për t’i ulur palët në tryezë për ta nënshkruar marrëveshjen. Vetë presidenti Bill Klintoni paralajmëroi një ditë para mbledhjes së Grupit të Kontaktit, më 13 shkurt, se “në qoftë se Serbia nuk i përmbush angazhimet e saj të mëparshme për tërheqjen e trupave dhe nuk e mbështet marrëveshjen e paqes, NATO-ja është e autorizuar të kryejë sulme ajrore kundër saj. Në të njëjtën kohë, ne ua kemi bërë të qartë shqiptarëve të Kosovës se nëse ata e kundërshtojnë planin tonë ose vazhdojnë luftën, ata nuk do të kenë mbështetje nga ne”.[8]

​Madeleine Albrighti, në vijim të deklaratës së presidentit Klinton, për herë të parë në Rambuje arriti që drejtuesit e të dy delegacioneve t’i ulte në një tavolinë dhe t’u përcillte qartë si mesazhet e presidentit amerikan ashtu edhe ato të Grupit të Kontaktit. Këto mesazhe ajo ua dha në një takim të veçantë drejtuesve të delegacionit shqiptar Hashim Thaçit, Ibrahim Rugo­vës e Rexhep Qosjes.

​U vendos që ndërmjetësuesi amerikan Hill, i shoqëruar nga drejtorët poli­tikë të Ke D’Orsej e të Forin Ofisit, më 16 shkurt të shkonin në Beograd e ta takonin Millosheviqin. Ky takim u parashoqërua nga një bisedë telefo­nike e Albrightit me të. Njëkohësisht në rrugë jozyrtare delegacionit serbo-jugosllav iu dorëzua teksti i plotë i projekt-marrëveshjes së bashku me aneksin e sigurisë.

Këto veprime e rivendosën procesin në lëvizje. Më 16 shkurt delegacioni serbo-jugosllav dorëzoi komentet për tre kapitujt e parë të projekt-marrë­veshjes që i ishin dorëzuar zyrtarisht që në fillim të Konferencës. Përfun­dimi, shkruan ndërmjetësuesi austriak i Bashkimit Evropian, ambasadori Petritsch “ishte zhgënjyes: në të hidheshin poshtë disa pjesë thelbësore të marrëveshjes duke u zëvendësuar me formulime krejt të reja… Ky qëndrim nuk ishte aspak i frytshëm për vazhdimin pozitiv të Konferencës”.[9] Këto lëshime u bënë për ta joshur Beogradin.

Më 18 shkurt Konferenca hyri në fazën e saj përfundimtare. Grupi i Kontaktit këtë ditë ua shpërndau të dy delegacioneve një projekt të dytë të Marrëveshjes Kuadër, përfundimtar me ndryshime të rëndësishme në favor të Serbisë e të Jugosllavisë. Delegacioni shqiptar u shokua nga ky projekt. Vite më vonë, një anëtar i tij, Blerim Shala, do të kujtonte: “Të gjithë anëtarët e Delegacionit, tejet të lodhur, të frustruar, nervozë, ndihe­shin edhe të mashtruar e të manipuluar, sepse e tërë puna jonë, posaçërisht e Grupit Politik e dhjetë ditëve të kaluara, kishte shkuar huq”.[10] Hutimi dhe zemërimi ia la vendin arsyetimit dhe përgatitjeve të Deklaratës në emër të Delegacionit që e kundërshtonte projektin e ri të Marrëveshjes Kuadër. Deklarata e quante atë të papranueshëm.[11]

Gjithçka rrezikonte të kthehej në pikën zero. Shqiptarët e Kosovës aq sa kishin shansin për të fituar po kaq edhe rrezikoheshin që ta humbnin mbështetjen amerikane dhe atë ndërkombëtare me këmbënguljen e tyre për të fituar gjithçka që synonin në Konferencën e Rambujesë. Por, edhe për Shtetet e Bashkuara, Konferenca ishte një sfidë që duhej fituar. Burime diplomatike të kohës pohuan se Madeleine Albright po jetonte “çastet më të vështira që nga koha kur ishte emëruar sekretare shteti”.[12] Nuk ishte një sfidë vetëm personale, por vihej në dyshim edhe efikasiteti i politikës së jashtme amerikane, aftësia e saj për të ndërhyrë e zgjidhur krizat, pa folur për rrjedhojat ndërkombëtare të një dështimi të mundshëm. Në Uashington të gjitha u morën në konsideratë dhe u diskutuan. Albright, më 20 shkurt, që ishte dhe dita e fundit e Konferencës, erdhi dhe u ngul në Rambuje. Ajo takoi e ritakoi delegacionin shqiptar në përpjekje për ta bindur për ta nën­shkruar marrëveshjen, u bëri sqarime e u dha garanci, u premtoi mbështetje por edhe paralajmëroi se Kosova mund t’i humbiste Shtetet e Bashkuara e dihej se cilat mund të ishin rrjedhojat.

Në përfundim të këtij kalvari bisedimesh në Kështjellë u sqaruan disa çështje, por dy më kryesoret, ato për referendumin në fund të periudhës kalimtare dhe për të ardhmen e UÇK-së, nuk qe e mundur të gjendej konsensusi. U propozuan formulime alternative për fjalën “referendum” e “vullnet i popullit”, u propozua një letër garancie nga Hilli e më vonë nga Albrighti për angazhimin amerikan për zbatimin e marrëveshjes, por jo të gjithë anëtarët e Delegacionit u bindën, veçanërisht Thaçi. Nga koman­dantët e UÇK-së në terren ishin përhapur zëra kërcënues dhe Adem Demaçi në Lubjanë u bë zëdhënësi i tyre. Hashim Thaçi e ndjeu presionin e tyre dhe më 19-20 shkurt shkoi në Lubjanë, bisedoi me Demaçin por, pa rezultat. U kthye në Rambuje i pasigurt dhe i frustruar, i ngurtësuar dhe jo i gatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen.

Për të fituar kohë, Shtetet e Bashkuara ndërhynë dhe zgjatën edhe tri ditë të tjera Konferencën, deri më 23 shkurt në mesditë. Ndërkohë që vazhdoi të punojë me Hashim Thaçin e delegacionin shqiptar, sekretarja e Shtetit kërkoi ndihmën urgjente të Qeverisë Shqiptare. Më 21 shkurt në mbrëmje dhe ditën tjetër paradite Albrighti bisedoi dy herë me kryeministrin Majko dhe ministrin e Jashtëm, ndërkohë që Kristopher Hilli ishte në kontakt të vazhdueshëm. Kërkesa e tyre ishte “që edhe një herë tjetër urgjentisht ta përdornim influencën tonë te Thaçi dhe djemtë e tjerë të UÇK-së për t’i bindur”.[13] Sekretarja e Shtetit informoi se i kishte dërguar një projekt-letër delegacionit shqiptar në të cilën bënte interpretimin e paragrafit 8, pika 1, që bënte fjalë për një mbledhje ndërkombëtare në fund të periudhës kalim­tare trevjeçare, ku do të shqyrtohej mekanizmi për ta përcaktuar statusin final të Kosovës duke marrë parasysh vullnetin e popullit. Ky formulim, sqaronte në atë kohë sekretarja e Shtetit, “u jep të drejtën shqiptarëve të kërkojnë referendumin pas tre vjetësh”.14 Edhe për të ardhmen e UÇK-së, e cila, sipas Petritschit, ishte “arsyeja e vërtetë e intrasigjencës kosovare”, amerikanët kishin ofruar formula të transformimit të saj në parti politike apo në forcë sigurie, u kishin sjellë ekspertë për t’i shpjeguar këto organi­zime. Por nuk kishin mundur t’i largonin dyshimet as të Hashim Thaçit dhe as të UÇK-së.

Qeveria shqiptare, duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e jashtëzakon­shme të vendimit të delegacionit shqiptar në Rambuje për të ardhmen e Kosovës, vendosi ta dërgojë urgjentisht aty ministrin e Jashtëm të saj, të shoqëruar nga kryetari i Komisionit të jashtëm të Kuvendit, Sabri Godo. Ndërkohë presidenti i Republikës, Rexhep Meidani dhe shkrimtari Ismail Kadare i dërguan letra personale delegacionit shqiptar në Rambuje në të cilat u bënin thirrje anëtarëve të tij që ta kuptonin plotësisht momentin historik në të cilin ndodheshin e ta nënshkruanin marrëveshjen.

Faza finale e Konferencës ishte me të vërtetë dramatike. Delegacioni shqiptar ndodhej para përgjegjësisë historike që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por në momentet e fundit e gjithë barra e vendimmarrjes rëndoi vetëm mbi një emër: Hashim Thaçin “mbi tridhjetëvjeçarin pa përvojë në politikë rëndonte një përgjegjësi gjigante”, do të shkruante pak vite më vonë ndërmjetësuesi i BE-së, Petritsch.[14] Thaçi ishte i zgjuar, luftarak, kokëfortë, por edhe shumë konspirativ. As nuk e kuptoje në vështrimin e parë, as në fillim kur ai ta jepte përshtypjen e një njeriu timid, as edhe në fund të bisedës kur e njëjta fytyrë nuk shprehte asgjë dhe me kursim mund të konfiguronte një buzëqeshje të lehtë. Ky ishte Hashim Thaçi i fasadës. Thelbi i tij ishte krejt tjetër: vullnet deri në ekstrem për t’i arritur objektivat e tij, dyshues, nervoz deri në fund kur i mbaronin argumentet, por shumë i vëmendshëm e miqësor atje ku e lypte interesi ose në adresë të atyre që fitonin besimin e tij.

Thaçi në ato ditë shkurti jetonte në vorbullën e mendimeve, llogarive e sugjerimeve kontradiktore, të presioneve e të kërcënimeve që i vinin nga komandantët e UÇK-së në Kosovë, por dhe nga mbështetës e sponsorë të diasporës në Perëndim. Përtej çështjes madhore kombëtare, në lojë ishte dhe fati i tij personal. Nga ana tjetër, tek ai përplasej presioni i madh ame­rikan. Administrata e Bill Klintonit, vetë presidenti, sekretarja e Shtetit, CIA, NATO e të tjerë nuk mund të pranonin që realizimi i objektivave të tyre strategjike në rajon të merreshin peng nga një individ, deri disa muaj më parë krejtësisht i panjohur. U përdorën të gjitha mjetet dhe mënyrat, të buta e të forta, premtime të afërta e të largëta për ta joshur e për ta bindur. Amerikanët shpeshherë kanë shtrënguar dhëmbët në adresë të tij dhe autori i këtyre radhëve ka qenë i pranishëm ose i ka dëgjuar artikulimet plot zemëratë apo kërcënimet e përfaqësuesve të lartë diplomatikë ameri­kanë ndaj tij.

Në Konferencën e Rambujesë as Hashim Thaçi dhe as UÇK-ja nuk ishin instrumente në duart e Shteteve të Bashkuara siç mendohej në Beograd, Moskë apo gjetiu apo siç aludohej nga kritikët mediatikë ndërkombëtarë. Përkundrazi, Hashim Thaçi dhe UÇK-ja u sollën shumë kokëçarje ameri­kanëve në fazën finale të Konferencës së Rambujesë. Jo të gjithë e dinë e jo të gjithë kanë dashur që ta pranojnë këtë të vërtetë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisheri, që në këtë kohë ishte edhe kryetari i K.M të BE-së, e ka pohuar këtë fakt vite më vonë kur shkruante se “ShBA- ja nuk kishte në anijen e vet shqiptarët e Kosovës apo se ata do të lëviznin pas çdo fishkëllime që vinte nga Uashingtoni… U dëshmua se kundërshtimi i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, me gjithë fjalët e mira, lutjeve dhe kërcënimeve nga ana e delegacioneve perëndimore dhe disa ministrave të jashtëm, ishte i patejkalueshëm”.[15]

Në këto rrethana të jashtëzakonshme, delegacioni shqiptar nga Tirana, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, arriti në Rambuje. Ishte dita e fundit e Konferencës. Madeleine Albrighti ishte në alarm. Një natë më parë ajo deri në mesnatë ishte përpjekur ta thyente rezistencën e Thaçit por, pa sukses. Kishte arritur që me një gjuhë sa ultimative, por edhe dëshpëruese, t’i shqiptonte fjalët: nëse nuk do të kishte marrëveshje ajo do ta harronte fjalën Kosovë! Hilli dhe ndihmësit e tij në Kështjellë ishin të rraskapitur pas 48 orë pa gjumë e po bënin përpjekjet e fundit por, pa shumë shpresë. Kishte rënë hija e rëndë e dështimit të Konferencës. Delegacioni i shqipta­rëve të Kosovës brenda në Konferencë ishte i mpirë dhe i pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë. Dy takime dramatike, njëri në orën 8.00 të mëngjesit, tjetri në orën 13.00 të ministrit të Jashtëm shqiptar e të zotit Sabri Godo me katër anëtarë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës brenda ambien­teve të Kështjellës, ishin shpresa e fundit. Në takime erdhën Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Azem Syla dhe Veton Surroi. Se çfarë u tha e u bisedua aty në përgjithësi është bërë e njohur. Takimi i parë nuk solli ndonjë ndryshim në qëndrimin e Thaçit, ndërkohë që Qosja, Surroi dhe Syla mbështetën nënshkrimin e marrëveshjes. Me kërkesën e ministrit të Jashtëm shqiptar, Hilli organizoi një takim të dytë me Thaçin dhe bashkëshoqëruesit e tjerë të takimit të parë. Ambasadori amerikan ishte në kufijtë kritikë të nervozi­zmit dhe i lejoi vetes një shpërthim akuzash e kërcënimesh në adresë të Thaçit në takimin me ministrin e Jashtëm shqiptar.

Takimi i dytë kishte shumë emocione. Ishte përpjekja e fundit. Pritej vetëm përgjigjja e delegacionit shqiptar. Përsëri të njëjtat argumente. Veç me një ndryshim taktik: “bombardimi” i Thaçit nga pikëpamja psikologjike rreth përgjegjësisë së tij ndaj kombit shqiptar, Shqipërisë dhe rrezikut të humbjes përfundimisht të miqësisë e të aleancës me Shtetet e Bashkuara në këto kohë vendimtare. Kjo “kryqëzatë” psikologjike në kështjellën mesjetare franceze, e kombinuar me dy telefonata nga Tirana prej kryeministrit Majko, më në fund çuan në fjalët e Thaçit me peshë historike: “Më lejoni të shkoj gjysmë ore në dhomë e të marr një vendim”. Mesazhi që përcollën këto fjalë, sytë e Hashim Thaçit dhe buzëqeshja e tij disi enigmatike, e përcollën vendimin e tij që aty ku u bë takimi i dytë, në palestrën e shkollës së Ram­bujesë, një “Po” në parim që do të kthehej rreth dy orë më vonë me vendim që delegacioni shqiptar do ta firmoste Marrëveshjen dy javë pas konsulti­meve që do të bëheshin me popullin në Kosovë. Si garanci, delegacioni shqiptar dorëzoi një letër tek amerikanët me firmën e sekretarit të tij Veton Surroi.

Kjo është, me pak fjalë, historia e pjesës së parë dhe kryesore e Konfe­rencës së Rambujesë dhe i rolit të UÇK-së aty. Ajo nuk ka pretendimin se ka konsumuar të gjitha aspektet e saj. Kjo do të ishte e pamundur dhe jo e ndershme, sepse kontributorët nuk kanë qenë pak dhe të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme. Pjesëmarrës të Konferencës, shqiptarë dhe të huaj, kanë botuar libra rreth saj, por jo të gjithë janë treguar objektivë, të paktën për ta njohur kontributin e jashtëzakonshëm të Qeverisë Shqiptare në fazën përfundimtare të saj. Nihilistëve shqiptarë, në Prishtinë e në Tiranë, mund t’u paraqiten mjaft dëshmi dokumentare të kohës e të huaja, amerikane, britanike, franceze etj. që e vlerësojnë me terma realistë këtë kontribut. Por mjafton vetëm një prej tyre, i njërit prej tre ndërmjetësuesve ndërkombë­tarë, i atij që përfaqësonte Bashkimin Evropian në Rambuje, ambasadorit Volfgang Petritsch: “Qeveria shqiptare dhe ministri i saj i Jashtëm vepruan me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Tirana kishte adaptuar një politikë shumë të përgjegjshme në mbështetje të strategjisë së Perëndimit për paqen përmes negociatave. Në këtë mënyrë ata i bënë një shërbim të madh komunitetit ndërkombëtar, i cili donte ta zgjidhte konfliktin sipas çështjeve të rëna dakord më parë në Grupin e Kontaktit”.[16] Në parim, fitorja e UÇK-së dhe disfata e regjimit të Millosheviqit u vendos në Ram­buje. Por ajo nuk ishte e plotë edhe e sigurt për sa kohë që nuk ishte marrë mbështetja brenda në Kosovë, veçanërisht e strukturave komanduese rajo­nale të UÇK-së. Ndaj edhe udhëheqjes së UÇK-së në Rambuje iu dha tri javë kohë që të kuvendonte me komandantët e saj të terrenit dhe me shqip­tarët që e mbështetnin atë. Ishte një sfidë tjetër që duhej përballuar. Ameri­kanët u bënë pas Rambujesë edhe më bashkëpunues me Qeverinë Shqip­tare për ta siguruar mbështetjen e brendshme kosovare në favor të Marrë­veshjes. Hilli dhe ambasadorja në Tiranë, Mariza Lino, ishin non-stop në komunikim me Qeverinë Shqiptare. Madeleine Albrightit i duhej një “Po” e sigurt e shqiptarëve deri më 8 mars, ditë kur ajo do të dilte para Kongresit Amerikan. Hashim Thaçi herë shfaqej e herë zhdukej nga Tirana në ato ditë të para të marsit, e kërkonin të gjithë, por ai punonte me komandantët në terren. Amerikanët ishin ende mosbesues ndaj tij pas asaj sjelljeje enig­matike në Rambuje dhe frika ishte se mos, i ndodhur nën presionin e komandantëve të UÇK-së në rajonet e Kosovës, tërhiqej nga angazhimet që mori në Rambuje e sidomos nga ai i çmilitarizimit të UÇK-së. Shumë biseda diplomatike janë konsumuar për këtë temë mes Qeverisë Shqiptare dhe përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit. Atë që amerikanët nuk mund ta bënin publikisht, e bëri partneri i tyre më i madh e më besnik, kryeministri britanik Toni Bleri, kur më 8 mars paralajmëroi se “kosovarët duhet ta kuptojnë se ka ardhur koha që Ushtria Çlirimtare e Kosovës t’i ndërpresë operacionet dhe të pranojë të çarmatoset”.[17]

UÇK-ja hapi dritën jeshile për miratimin e Marrëveshjes. Tashmë shqip­tarët e Kosovës e kishin kryer detyrën e tyre para historisë, por edhe para Grupit të Kontaktit e komunitetit ndërkombëtar. Në emër edhe të saj, më 14 mars Hashim Thaçi u dërgoi letra garancie sekretares së Shtetit, Made­leine Albright, bashkëkryetarëve të Konferencës Ndërkombëtare, Robin Cook e Hyber Vedrin, si dhe kryetarit të K.M. të BE-së, ministrit të Jashtëm gjerman Joshka Fischer. Ditën tjetër, më 15 mars, në Qendrën Ndërkom­bëtare Kleber në Paris, Grupi i Kontaktit rifilloi negociatat me delega­cionin serbo-jugosllav i cili paraqiti 20 faqe vërejtje për tekstin e projekt-marrëveshjes. Ishte një përpjekje e fundit, por edhe e dështuar e delega­cionit serbo-jugosllav për të fituar kohë e për ta zvarritur nënshkrimin e marrëveshjes. Nuk kishte më vesh në Grupin e Kontaktit për t’i dëgjuar. Më 18 mars, në Qendrën Ndërkombëtare Kleber, u nënshkrua Marrëveshja e Përkohshme për Kosovën. Nga delegacioni shqiptar nënshkruan Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi. Të pranishëm ishin edhe negociatorët ndërkombëtarë të Grupit të Kontaktit, Hill, Petritsch dhe Majorski. Dy të parët e nënshkruan Marrëveshjen, rusi Majorski jo.

Konferenca e Rambujesë u mbyll. Shqiptarët dolën fitimtarë. Por duhet pohuar pa mëdyshje se faktori kryesor në suksesin e shqiptarëve në Kon­ferencë ishte UÇK-ja. Rambujeja dhe UÇK-ja ishin binomi që garantoi suksesin diplomatik e politik, themeli i luftës që çoi në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, lufta e UÇK-së e rezistenca e të gjithë shqiptarëve deri më 9 qershor, ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës që shënoi fundin e sundimit serbo-jugosllav, i kapërceu vendimet dhe vetë Marrëveshjen e Rambujesë. Por asnjëherë nuk duhet harruar se mamia që asistoi lindjen e shtetit të lirë dhe të pavarur të Kosovës ishte Konferenca e Rambujesë, por ajo që mbolli farën ishte rezistenca mbarëshqiptare dhe kurora e saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

[1] Deklarata e Grupit të Kontaktit për Kosovën, Londër, 29 janar 1999. Arkivi i Ministrisë për Evropën e Punët e Jashtme (AMEPJ), 1999.

[2] Koha ditore, 3 shkurt 1999.

[3] Draft Kosovo Interim Agreement (January 27, 1999), AMEPJ, 1999.

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Wolfgang Petritsch, Robert Pichler, Rruga e gjatë në luftë, Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare: 1989-1999, Koha, Prishtinë, 2002, f. 180.

[7] Paskal Milo, Ditari i një ministri të Jashtëm, konflikti i Kosovës: 1997-2001, Toena, Tiranë, 2009, f. 146.

[8] Bill Klinton, Ne luftën, ju paqen: mesazhe, artikuj, konferencë shtypi, intervista dhe fjalime për Kosovën, gazeta Albania, 2000. Përgatiti për botim Lutfi Dervishi, f. 13.

[9] Wolfgang Petritsch, Robert Pichler, Rruga e gjatë në luftë, Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare: 1989-1999…, f. 185.

[10] Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1998-1999, botimi i dytë, Gama, Prishtinë, 2001, f. 257.

[11] Rexhep Qosja, Paqja e përgjakshme, Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, Rambuje, 6-23.2.1999; Paris 14-19.3.1999; New York, 1999, f. 202.

[12] Tim Judah, Kosova, luftë dhe hakmarrje, Koha, Prishtinë, ShLK, Tiranë, 2000, f. 261.

[13] Paskal Milo, Ditari i një ministri të Jashtëm, konflikti i Kosovës…, f. 157.

[14] Wolfgang Petritsch, Robert Pihler, Rruga e gjatë në luftë: Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare…, f. 203.

[15] Joshka Fischer, Vitet kuq-gjelbër, politika e jashtme gjermane – nga Kosova deri në 11 shtator, Koha, Prishtinë, 2008, f. 140-141.

[16] Paskal Milo, Ditari i një ministri të Jashtëm, konflikti në Kosovë, 1997-2001…, f. 13.

[17] Tony Blair, Për shqiptarët: fjalime, artikuj, intervista, mesazhe, komente, deklarata… Përgatiti Ramiz Lushaj, Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane dhe Britanike, Albania, Tiranë, 2005, f. 37.

 (Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka dënuar sulmet ruse në…