
Vaksina kundër Koronës, parandaloi koronavirusin te majmunët
Vaksina anti-covid që po zhvillohet nga kompania amerikane “Moderna” jep shpresë për gjetjen e kurës kundër koronavirusit. Vaksina ka dhënë rezultate shumë inkurajuese te majmunët, duke shkaktuar një reagim të fortë imunitar në parandalimin e Covid-19. Tanimë pritet të nisë faza e tretë e testimit në 30 000 njerëz.
Vaksina e eksperimentale kundër Covid-19 e kompanisë amerikane “Moderna” duket se ka dhënë efekt pas testimit te majmunët. Sipas të dhënave të publikuara nga “New England Journal of Medicine”,, vaksina shkaktoi një reagim të fortë imunitar dhe parandaloi koronavirusin të riprodhohet në hundë dhe në mushkëritë e 16 majmunëve. “Kjo është hera e parë që një vaksinë eksperimentale Covid-19 e testuar në primatët jonjerëzorë ka kontroll të tillë të shpejtë viral në rrugët e sipërme ajrore”, tha Instituti Kombëtar për Shëndetin, i cili ishte pjesë e grupit që zhvilloi vaksinën.
Kafshët prodhuan nivele të larta antitrupash neutralizuese që sulmojnë një pjesë të virusit SARS-CoV-2.
Veçanërisht, majmunët që morën të dy nivelet e dozave, 10 mikrogramë dhe 100 mikrogramë, prodhuan antitrupa në nivele më të larta se ato që gjenden te njerëzit që janë rikuperuar nga COVID-19.
Studiuesit thanë se vaksina gjithashtu shkaktoi prodhimin e një qelize imune të njohur si qeliza T që mund të ketë ndihmuar në rritjen e përgjigjes së përgjithshme.
Megjithatë zbulimet nuk garantojnë që vaksina do të ketë të njëjtin efekt tek njerëzit, por rezultatet konsiderohen inkurajuese. Faza e tretë e testimit në 30 000 njerëz pritet të përcaktojë efektivitetin dhe sigurinë e vaksinës. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimit, prodhimi i vaksinës anti-Covid pritet të fillojë në muajin nëntor ose dhjetor. Për të ndihmuar në financimin e zhvillimit të vaksinës, qeveria amerikane ka akorduar një fond prej 955 milionë dollarësh.