Valon Prebreza kandidat i VV-së për kryetar të Fushë Kosovës

08 qershor 2025 | 17:29

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Valon Prebreza është kandidati i saj për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës.

Gjatë një mbledhjeje me praninë e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe drejtuesve të lartë të Lëvizjes, u konfirmua mbështetja e fuqishme për Prebrezën, i cili, sipas tyre,  është i angazhuar për ndryshimin e nevojshëm në nivelin lokal.

Postimi i plotë:

Fushë Kosova kërkon ndryshim!

Me Valon Prebrezën, kandidat për kryetar komune, i futemi fuqishëm betejës për ta realizuar ndryshimin në nivelin lokal që aq shumë u duhet banorëve të Fushë Kosovës.

Sot, në prani të kryesisë së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë dhe të gjitha strukturave drejtuese në Pika, me pjesëmarrje të Kryeministrit Kurti, Sekretarit Organizativ Rama, Koordinatorit të Qendrave dhe deputetit Zyba dhe kryetarit të qendrës, Shpend Bardiqi, konfirmuam mbështetjen për nominimin e Valon Prebrezës si kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës.

Katrahurës së madhe të shkaktuar nga keqqeverisja e deritanishme lokale në Fushë Kosovë do t’i përgjigjemi me alternativën më të mirë qeverisëse për këtë komunë. Valon Prebreza dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! janë zgjidhja për përmirësimin e jetesës për qytetarët në Fushë Kosovë.

Frymën e investimeve të Qeverisë Qendrore, të cilat kanë zgjidhur probleme dhjetëra vjeçare për lagjet e fshatrat e Fushë Kosovës, siç është rrjeti i ujësjellësit në disa fshatra dhe projekte të tjera, do ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal.

Valon Prebreza ka dëshmuar, edhe me angazhimin e tij të deritanishëm, se është i përkushtuar dhe i vendosur për t’i prirë transformimit që i duhet Komunës së Fushë Kosovës.

Le të angazhohemi çdo ditë, gjithandej lagjeve e fshatrave të Fushë Kosovës, për fitoren e madhe që u duhet të gjithëve. E reja do të ngadhënjejë mbi të vjetrën, e reja do të triumfojë në Fushë Kosovë e për qytetarët.

Urime të gjithë qytetarëve të Fushë Kosovës dhe aktivistëve të Lëvizjes!
Na priftë e mbara!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një i ri nga Pozherani i Vitisë ka vdekur në…