
Vasfije Krasniqi: Sa më shumë të heshtim për përdhunimet gjatë luftës, i mbrojmë serbët
Vasfije Krasniqi Goodman, thotë se nuk ka qenë e lehtë periudha që kur foli për herë të parë para bashkëkombësave të saj për tmerrin që kishte përjetuar në duart e forcave serbe, megjithëse kishte folur më herët në Gjenevë dhe Kore për përvojën më të dhimbshme të jetës së saj.
“Por kur kam folur në Kosovë, ka qenë krejt diçka tjetër, se është më ndryshe të flasësh aty ku ka ndodhur rasti, në shtetin tonë. Por meqë unë fola, e theva heshtjen, tash jam më mirë, jam më e fortë dhe shpresoj t’u jap forcë dhe kurajë grave, burrave të tjerë për të folur në Kosovë publikisht”, tha ajo në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Por që ta kuptosh plotësisht forcën e saj, si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, duhet të mos neglizhosh brishtësinë e saj dhe traumën që është gjithmonë e pranishme, e shprehur në formë emocionesh.
Sepse Vasfija pothuajse nuk e dha intervistën për Zërin e Amerikës. “Nuk mundem të flas”, tha ajo duke sugjeruar që Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, e cila po intervistohet me të, të flasë edhe në emër të saj. Feridja me butësi por pa e detyruar, e nxiti. Vasfija thotë se nëse të mbijetuarat e tjera nuk flasin dot publikisht, duhet ta bëjnë këtë privatisht.
“Me pas lirinë me folë me familjarët, me bashkëshortët, me prindërit, me vëllezër, me motra e me pasë mbështetjen dhe përkrahjen se qysh e kam unë, jo veç prej familjes time, se tash po kuptohet prej krejt kosovarëve, prej krejt shqiptarëve unë po kam mbështetje dhe përkrahje shumë të madhe”, tha ajo.
Në tetor të vitit të kaluar, Vasfije Krasniqi Goodman, e pushtuar nga emocionet, u bë e para e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës, që foli pa e fshehur identitetin. Me aktin e saj ajo i dha një fytyrë vuajtjes dhe tmerrit të mbi 20 mijë viktimave të tilla.
Goodman dhe Rushiti, ishin këtë javë në New York ku morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare nën udhëheqjen e nobelistëve të paqes për kontributin e tyre në raport me viktimat e dhunës seksuale në luftë, Denis Mukwege Foundation dhe Nadia Murad, ku folën për përvojën e Kosovës.