Vazhdojnë broçkullat me shqipen si matka e gjuhëve të botës

02 gusht 08:37

Nga: Josif Papagjoni

Po si nuk u lodhën xhanëm me idiotësitë mbi gjuhën shqipe si “barku” i gjuhëve botërore, matka prej nga marrin kuptim fjalët e gjuhëve të tjera, nga greqishtja, italishtja, gjermanishtja e anglishtja dhe gjer te rusishtja. Dalin në televizor gjithfarë trushkulurish, që prezantohen madje si studiues dhe shkencëtarë të shquar.

O pikë e zezë!

Një shfaqje të tillë të budallallëkut të hapur, pa e strukur kokën asfare, por duke u krekosur dhe hequr si njerëzit e dijshëm që po i japin shqipes lavdinë e mohuar, e pash sot pasdite në televizionin “Ora”. Qenka një emision “Rrënjët tona”. Del aty një gazetar me një gjuhë të rëndë dialektale dhe prezanton një “akademik”, një studiues që e paskësh shkrirë jetën për lavdinë e shqipes dhe gjetjen e rrënjëve të saj nga gjuha sumere. Dhe, të dy krijuan një koncert komik të jashtëzakonshëm, një kuplet e burlesk që edhe të bën të shkulesh gazit dhe mos ta marrësh seriozisht, por edhe të hipin nervat me nivelin e këtij televizioni.

Dhe, po sjell ca shpjegime “brilante” të fjalëve që vikan nga shqipja e hershme. Palestinezët vjen nga shqipja, Palasa e Himarës, thoshte njëri; fjala “shua” d.m.th. u shua; fjala “urban” d.m.th. urë-bën, se qytetet janë buzë lumenjve dhe bëjnë ura; nga fjala shqipe “urë” na vjen dhe Europa.

Po emri Aristotel?

Aristotel, shpjegonte ky “profesor” që sigurisht jetonte me hënën, vinte nga fjala shqipe Ar (maja e shigjetës, d.m.th. ishte i tëri ar), Artemisa nga Ari te mishi (d.m.th. shigjeta te mishi), ndërsa fjala Car, domethënë ar safi.

Gjermanishtja na paskesh 30 për qind të fjalëve shqip, anglishtja nja 40-50 për qind, lëre greqishtja e italishtja. Bile dhe fjala italiane “sera” na vika nga shqipja “sa u err”, lëre pastaj fjala ruse “çornij” nga shqipja e pastër “ç’u err”, d.m.th. “ç’na u bë natë”.

Çfarë hajgare!

Dhe, idiotësia shkonte më tej: emri Eskil vinte nga shqipja “është ky ylli”, duke mbërritur kulmin se profeti Muhamet na paskësh qenë nga Shqipëria, sikundër edhe Krishti po nga Shqipëria na paskësh qenë (sipas Sazan Gurit). Duo më të mrekullueshme se sa profesor Lirim Muhaj me moderatorin e emisionit “Rrënjët Tona”, që s’ia mora dot vesh emrin, s’kisha parë kurrë …

Mirëpo, le t’i lëmë në shenjtërinë e tyre ata të dy dhe dyqind të tjerëve që e bëjnë detin kos. E keqja është se kjo marrëzi derdhet edhe nga disa pena dhe emra që kanë gjithsesi dimension akademik, pa ua përmendur emrat se më vjen turp. Një sëmundje e tillë foshnjore, shfaqje e një inferioriteti bërtitës që merr pozat e “kombit të madh”, e “popullit formues” dhe e “gjuhës matkë të gjuhëve të botës”, se gjuhët dhe kombet e tjerë na kanë grabitur lavdinë dhe madhështine historike te shqiptareve, është një sëmundje foshnjore primitive që duhet ndaluar.

Ju lutem, le t’i shkruajnë broçkullat e tyre nëpër fletushka, Facebook dhe libra të botuar me paret e pensionit të tyre për të ngopur deliret idiote, por jo në një ekran televiziv që siç pretendon, që e quan veten madje serioz, dijeformues, bashkëkohor … Televizioni është pushtet dijeformues, jo nje molloisje bythe rrapit me ca raki e qofte për të pirë e ngrënë.

Më vjen keq që s’e lash ndjeshmërinë time në gallatën që përjetoja tek i dëgjoja ata dy linguistë prej … Më ndjeni, ua harrova katundet nga qenë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Kahlil Gibran Përktheu: Elmaz Fida Mos qëndro me gjysmë…