
Vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se u mbyt në Ujman
Operacioni i kërkimit për mërgimtarin që ra të dielën në Liqenin e Ujmanit po vazhdon ende. Ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij. Të dielën pasdite, ai u hodh në liqenin e Ujmanit, dhe nuk u pa më në sipërfaqe.
Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për ta gjetur 33 vjeçarin, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka thënë mbrëmë se operacioni i kërkimit duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.
Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh.
“VDEKJE E DYSHIMTË- Zubin Potok 27.07.2025-14:25. Raportohet se viktima mashkull ishte futur në liqenin e Ujmanit, mirëpo nuk ka dal më në sipërfaqe. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore, njësia për kërkim dhe shpëtim, njësia e zhytësve dhe ekipi nga emergjenca, ku po vazhdojnë kërkimet për viktimën.”