
Vdekja e Bukoshit, Osmani: Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, dr. Bujar Bukoshit
“E nderuara familje Bukoshi – Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, një mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq. Dr. Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për dr. Bujar Bukoshin!”, thuhet në ngushëllimit të Osmanit.