Muriqi ia siguroi një pikë të madhe Mallorcas, pasi shënoi gol për barazimin 1:1 kundër Atletico Madridit, të dielën mbrëma në kuadër të xhiros së pestë të La Ligas.
Për sulmuesin 31-vjeçar, ky është goli i katërt në paraqitjet e para në kampionat, dhe është starti më i mirë i tij në një sezon në Spanjë.
Në fakt, Muriqi, katër golat i ka shënuar në tri ndeshjet e fundit, pasi ka realizuar një gol edhe kundër Real Madridit dhe dy të tjerë ndaj Espanyolit.
Muaj më parë, Muriqi e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2027 me Mallorcan, ekip që aktualisht zë pozitën e parafundit në La Liga.
Forma e Muriqit është sinjal fantastik për Kombëtaren e Kosovës pasi muajin tjetër përballet me Slloveninë e Suedinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026.
Këtë muaj, Muriqi realizoi gol për “Dardanët” në fitoren e madhe, 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë.