Vendim i Gjykatës së Apelit: Urologu Lutfi Dervishi shpallet i pafajshëm
Pas rreth dy dekadave që u përball me drejtësinë në rreth 100 seanca gjyqësore, urologu i njohur Lutfi Dervishi sjell përjetimet e tij për këto 17 vjet në përballje me drejtësinë. Ai thotë se ky proces e dëmtoi si në aspektin njerëzor e profesional, por edhe material.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor që zgjati rreth 17 vjet, urologu Lutfi Dervishi u lirua nga akuzat për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, pasi Gjykata e Apelit këtë javë vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Megjithatë, edhe pas një përballjeje të gjatë me drejtësinë, Dervishi thotë se të gjitha akuzat ndaj tij dhe spitalit që e drejtonte ishin të pabaza.
Pas më shumë se 100 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013, Lutfi Dervishin e kishte dënuar me 8 vjet burg dhe 10 mijë euro për ?trafikim me njerëz në bashkë-kryerje? dhe ?krimit të organizuar?
Mjekut Dervishi i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh. Dervishi tregon se për rreth dy dekada, i gjithë ky proces e dëmtoi në aspektin profesional e njerëzor.
“Mbas një katrahure të gjatë, një presioni të gjatë të vjen një diçka që të liron nga diçka që ta kanë ngarkuar të tjerët, një barrë që ta kanë vu, që nuk e ke pasur kurrë, natyrisht se ti ndjen një lehtësim shpirtëror por edhe shëndetësor”, theksoi Dervishi.
Urologu Dervishi thotë se për ato që përjetoi gjatë qëndrimit në burgun e Sigurisë së Lartë, u mundua që nëpërmjet romaneve t’i pasqyrojë përjetimet e tij për siç ka thënë këtë padrejtësi rreth 2-dekadëshe ndaj tij.
Por pas një procesi të gjatë, në qershor të vitit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj urologut Lutfi Dervishi. Edina Avdiu /RTK



