Vendimi i BE-së, sinjal se rruga drejt BE-së nuk është e lehtë

20 tetor 12:27

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se nuk është i padrejtë vendimi i Bashkimit Evropian për moshapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai ka thënë se ky vendim është sinjal se rruga drejt BE-së nuk është e lehtë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoti ka deklaruar se anëtarësimi në BE nuk është çështje e deklarimit, por e plotësimit të kritereve dhe bërjes së reformave që janë shumë të nevojshme për secilin shtet.

Ai ka thënë se atë që e ka bërë Franca ka mundur ta bëjë secili vend por, sipas tij, Franca ka mbetur zëri më i fuqishëm për moszgjerimin e BE-së.

Megjithatë, Hoti ka thënë se ky vendim nuk duhet t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor për vazhdimin e reformave dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian

“Epoka e re”: Z. Hoti, liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk janë pajtuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pavarësisht se një gjë e tillë u është premtuar më parë. Si e komentoni këtë vendim?
Hoti: Nuk është vendim politik, por vendim strategjik. Ky më tepër shpërfaq qëndrimin e Francës tashmë të deklaruar publikisht, se BE-ja nuk duhet të shkojë drejt zgjerimit gjeografik. Pra, para shkuarjes nga zgjerimi gjeografik duhet të shkojë kah thellimi, respektivisht konsolidimi i sistemit të brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe kjo, sipas të gjitha gjasave, ka qenë mbizotëruese në qëndrimin e Francës për t’i mbetur besnik këtij koncepti që, para se të fillohet me anëtarësim të vendeve të reja, në radhë të parë për Ballkanin Perëndimor duhet të thellohet bashkëpunimi i shteteve tashmë anëtare të BE-së dhe ky qëndrim mbizotëroi edhe në takimin e Këshillit të Ministrave.

“Epoka e re”: Një vendim i tillë, a dëshmon joseriozitetin e BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor?
Hoti: Jo, nuk mendoj se është joserioze, por është ballafaqim i koncepteve në BE dhe kjo praktikë e ka përcjellë Bashkimin Evropian që nga themelimi e deri më sot jo vetëm për çështje të zgjerimit, por edhe për çështje të tjera sepse vazhdimisht kemi pasur dy blloqe. Franca e ka paralajmëruar kohë më parë se BE-ja nuk duhet të ngutet me anëtarësime të reja, por duhet të thellohet bashkëpunimi në mes të vendeve anëtare. Ky duhet të jetë sinjal shumë i fuqishëm për shtetet e tjera që janë kandidate, por edhe për kandidatet potenciale se rruga drejt BE-së nuk është çështje e deklarimit, por e plotësimit të kritereve dhe bërjes së reformave që janë shumë të nevojshme për secilin shtet.

“Epoka e re”: Kjo qasje e BE-së do t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor?
Hoti: Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë menduar se rruga drejt BE-së është e lehtë atëherë janë gabuar shumë dhe ky vendim duhet të jetë sinjal i qartë se rruga drejt BE-së nuk është çështje forme, por përmbajtje. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të dekurajohen sepse plotësimi i kushteve dhe reformat nuk duhet të bëhen sa për ta kënaqur BE-në dhe sa për t’u paraqitur para tyre se jemi vërtet BE por, më shumë se kaq, është interesi i vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së që t’i rregullojnë sistemet e tyre të brendshme juridike dhe politike. Në këtë drejtim nuk mendoj se duhet të dekurajohen vendet që synojnë BE-në, përkundrazi duhet të punojnë edhe më tepër dhe kurdo që t’u jepet një shans për t’i hapur negociatat dhe për t’u bërë pjesë e BE-së, ato t’i kenë të kryera detyrat.

“Epoka e re”: Si duhet ta lexojnë këtë vendim të BE-së, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut?
Hoti: Duhet ta lexojnë si sinjal shumë serioz. Duhet ta lexojnë si një garë që duhet ta vazhdojnë plotësimin edhe të standardeve të tjera sepse edhe sikur të jepej drita jeshile kjo nuk nënkupton se këto vende do të bëheshin pjesë e BE-së, por praktikisht ato vetëm sa do ta fillonin lojën dhe garën e gjatë për t’u anëtarësuar në BE. Absolutisht nuk duhet të ketë dekurajim dhe qasje për ta trajtuar këtë vendim si joserioz, përkundrazi duhet t’i shtojnë përpjekjet e tyre për t’u bërë pjesë e BE-së në momentumin e mundshëm.

“Epoka e re”: Por në vazhdimësi është thënë se këtyre vendeve do t’u hapen negociatat për anëtarësim sikurse që është thënë dikur për liberalizimin e vizave, por që në asnjërën prej rastev,e BE-ja nuk e mbajti fjalën.
Hoti: BE-ja nuk është çështje e prezantimit të një zëri të bashkuar, por është zëri i 28 vendeve anëtare. Në secilën fazë të zhvillimit të BE-së kemi pasur ndeshje të koncepteve ose formim të bllokut pro zgjerimit ose kundër zgjerimit. Madje blloqe të tilla ka edhe në kuadër të vet shteteve anëtare të BE-së. Në këtë drejtim nuk mund të flasim për çështje të mosmbajtjes së fjalës, por cilësim të bllokut që është pro thellimit dhe jo pro zgjerimit në këtë momentum. Fitorja e këtij blloku nuk do të thotë se vendet kandidate nuk kanë vend në BE. Ato duhet ta vazhdojnë rrugën e tyre dhe t’i plotësojnë kriteret sepse plotësimi i kritereve nuk duhet të bëhet për BE-në, por për vetë vendet.

“Epoka e re”: Eurodeputetja Tanja Fajon, duke e komentuar këtë vendim, ka thënë se BE-ja ka mbetur peng e Francës. Çfarë do të thotë për ju kjo deklaratë?
Hoti: Procedura e vendimmarrjes në BE në momentin e hapjes së negociatave për anëtarësim nënkupton po të thënë qartë dhe me zë nga secili vend anëtar. Pozita e Francës është e barabartë në kuptimin formal me secilin vend anëtar të BE-së. Franca historikisht ka pasur dhe ka pozicion dominues në BE dhe ky pozicion do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Atë që e ka bërë Franca ka mund ta bëjë secili shtet anëtar sepse ministrat e këtyre vendeve duhet të thonë po ose jo të qartë dhe me zë. Përveç Francës janë edhe një numër i vendeve të tjera të cilat në rastin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë kanë qenë më të buta por, megjithatë, skepticizmi i BE-së për t’u zgjeruar vazhdon dhe Franca ka mbetur zëri më i fuqishëm. Franca mbetet vend përcaktues.

“Epoka e re”: Moshapja e negociatave, a e rrezikon vazhdimin e reformave dhe ndikimet e tjera në Ballkanin Perëndimor?
Hoti: Një gjë e tillë do të ishte fatale apo do të ishte saktësisht ajo çfarë nuk duhet të ndodhë. Sepse reformat dhe veprimet e tjera si sundimi i ligjit dhe kërkesat e tjera që vijnë nga BE-ja nuk janë çështje e interesit të BE-së dhe të Francës, por janë çështje e interesit të shteteve që e synojnë BE-në. Në këtë dritë mendoj se këto shtete duhet t’i vazhdojnë reformat e tyre sepse ky vendim duhet të jetë inkurajim për të ecur tutje.

“Epoka e re”: Ju nuk e shihni si vendim të padrejtë moshapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Hoti: Jo, absolutisht nuk është i padrejtë, por mund të duket dhe të tingëllojë i padrejtë për faktin se ne presim dhe themi se jemi më evropianë se evropianët, por çështja e BE-së nuk është çështje e formës, por e përmbajtjes. Ky vendim është sinjal edhe për vendet e tjera të cilat synojnë të jenë pjesë e BE-së, se ato duhet t’i plotësojnë kriteret. Pra, këtë që e ka bërë Franca ka mundur ta bëjë secili vend, por Franca është më e fortë dhe nuk iu ka trembur syri, prandaj e ka marrë këtë vendim. Edhe për Kosovën ky është një sinjal i fuqishëm se rruga kah BE-ja nënkupton plotësim të kritereve.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo e dielë e ka vëmendjen e super ndeshjes Manchester…