
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese test që ekspozon kufijtë e sjelljes politike dhe institucionale
Shkruan: Hisen Berisha
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
Me aktgjykimin KO265/25, Gjykata konstatoi se Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar në pajtim me Kushtetutën, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata, duke u mbështetur në nenin 66 dhe 67 të Kushtetutës, urdhëroi që seanca të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit dhe obligoi të gjithë deputetët të respektojnë detyrimet kushtetuese në interes të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Gjykata zgjati masën e përkohshme të vendosur më herët dhe e shpalli vendimin të detyrueshëm e të menjëhershëm në disa pika. Kjo zgjatje është e karakterit mbivendosës ndaj vetë Kushtetutës në interpretim të qëllimit politik, përndryshe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në shkelje të Kushtetutës që nga 26 korriku 2025.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë detyra imperative – përfundimin e seancës konstituive, zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb dhe respektimin e afatit 12-ditor – por nuk ka përcaktuar kushtet konkrete dhe as ndonjë standard referues se si duhet të realizohet ky proces. Një vendim i tillë, edhe pse i detyrueshëm, lë hapësirë për interpretime politike të gjera, duke krijuar rrezik që obligimi kushtetues të zvarritet ose të keqpërdoret nga aktorët politikë.
Ky vendim ka rëndësi të veçantë jo vetëm në aspektin juridik, por edhe politik. Demanton interpretimet e qëllimshme antikushtetues të të gjithë mazhorancës politike – nga Presidentja, Kryekuvendari aksidental pa integritet, Kryeministri kujdestar, ministrat në detyrë dhe deputetë, të cilët ndërmorën fushatë sulmesh degraduese ndaj Gjykatës Kushtetuese, që çojnë në cenim të rendit kushtetues – vepra më e lartë penale pas tradhtisë ndaj shtetit.
Aktgjykimi rivendos rregullin kushtetues mbi praktikën e deformuar parlamentare dhe vendos një standard të qartë për respektimin e të drejtave të komuniteteve në procesin e konstituimit të institucioneve.
Në të njëjtën kohë, është një test i vullnetit politik të shumicës për të pranuar dhe zbatuar me maturi një vendim që ekspozon kufijtë e sjelljes politike dhe institucionale.
Reflektimi politik dhe qëndrimi institucional në frymën e Kushtetutës tani janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për demokracinë ligjire por edhe në raport me aleatin tonë kryesor, SHBA – dhe mundësinë e heqjes së “sanksioneve” të SHBA që i janë vendosur Kosovës me pezullimin e Dialogut Strategjik.
Shkeljet dhe mohimi i të drejtave të njeriut në Kosovë u ndalën nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, duke përzënë përgjithmonë kriminelin nga Kosova. Ato krime, sado të tmerrshme, deri edhe gjenocidiale, nuk do të mund të legjitimonin sot një kurs veprimi politik nga ana e shqiptarëve kundër pakicës serbe në Kosovë.
Edhe kur ishim pjesë e UÇK-së, nuk kemi vrarë e as kërcënuar jetën e asnjë civili, pavarësisht përkatësisë etnike.
Sot që Kosova ka qeveri, shtet, sundim të ligjit, polici dhe ushtri, kjo tendencë nuk duhet të shfaqet as në indikacionet më periferike nga shumica shqiptare në Kosovë.
Çfarë duhet më shumë se një shtet kushtetues me parime perëndimore, garantues i jetës publike ligjore të të gjithë shtetasve të tij?
Duhet “falënderuar” partitë serbe që, përkundër dallimeve politike, nuk imituan sjelljet e dhunshme të aleatit të tyre në qeverisje, legjislativ e politikbërje – Lëvizjes Vetëvendosje – nuk hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, as molotov mbi Policinë e Kosovës dhe as qëlluan me granatahedhës mbi institucionet. Përkundrazi, ata përdorën mjetin më legjitim: iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, interpretuesit suprem të Kushtetutës.
Nëse kjo parti e njohu dhe respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, atëherë ne kemi obligim t’ua njohim të drejtat kushtetuese komuniteteve. Ky është test i pjekurisë sonë demokratike dhe garanci për një të ardhme ku shteti ligjor nuk mbetet slogan, por realitet i prekshëm për të gjithë.