
Vendimi i Kushtetueses ndez më shumë debatin politik në Kosovë
Shkruan: Hisen Berisha
(Interpretimi politik e mbyt gërmën e Kushtetutës)
Vendimi i 8 gushtit 2025 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që sanksionon votimin e hapur për kryeparlamentarin dhe vendos kufizime procedurale të qarta, duhej të mbyllte çdo debat mbi mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, në vend që të shërbente si bazë për stabilizim institucional, ky vendim është shndërruar në një fushëbetejë të re të interpretimit partiak, duke shtuar tensionet politike. Në lojë nuk është vetëm një pozitë drejtuese, por autoriteti i Kushtetutës dhe funksionaliteti i shtetit.
Edhe pas opinionit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, interpretimi i qëllimshëm i gabuar nga politika po krijon një dilemë publike e institucionale se çfarë tha realisht Gjykata dhe çfarë po thonë politikanët?
Aktgjykimi i 26 qershorit 2025 ishte i qartë: zgjedhja e kryeparlamentarit bëhet me votim të hapur, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opinioni i fundit i Gjykatës Kushtetuese i 8 gushtit, 2025, nuk lenë hapësirë për dykuptimësi:
– Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit;
– I njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tre herë;
– Të gjithë deputetët janë të detyruar të marrin pjesë dhe të votojnë;
– Seancat e zhvilluara nga 27 qershori deri më 26 korrik shpallen të pavlefshme;
– Kryesuesi i seancës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren.
Neni 116, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjitha personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”. Ky formulim nuk lë hapësirë interpretimi: moszbatimi i vendimit është shkelje e drejtpërdrejtë kushtetuese (pacta sunt servanda).
Në vend që ky të ishte fundi i krizës institucionale, vendimi është marrë peng nga retorika politike. Nga presidentja e vendit e deri te deputetët e shumicës, është promovuar një lexim selektiv i aktgjykimit KO124/25 i 26 qershorit 2024, duke e paraqitur sikur ai lejon votim të fshehtë — një qëndrim që Gjykata e ka hedhur qartësisht poshtë. Ky reinterpretim i qëllimshëm është shembulli më i qartë i instrumentalizimit të Kushtetutës për interesa momentale politike.
Kur politika vendoset mbi ligjin, krijon një precedent të rrezikshëm. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi të menjëhershme dhe janë detyruese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre nuk është thjesht “mospërputhje procedurale” — është cenim i rendit kushtetues.
Në çdo sistem demokratik, shkelja e qëllimshme e një aktgjykimi të tillë sjell pasoja të qarta juridike. Në disa shtete, një moszbatim i tillë çon automatikisht në shpërndarjen e parlamentit ose shkarkimin e zyrtarit përkatës. Kur interpretimi i qëllimshëm i gabuar i normës kushtetuese bëhet nga nivele të larta përfaqësuese, ai përbën cenimin më të rëndë të rendit kushtetues — një shkelje që në hierarkinë e veprave kundër shtetit renditet menjëherë pas tradhtisë.
Në Kosovë, kjo shkelje po relativizohet, duke e kthyer në precedent për anarki kushtetuese. Gjykata, me opinionin e fundit, penalizoi vazhdimet e paligjshme të seancës konstituive nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, por njëkohësisht lejoi që kryesuesi, i shpallur shkelës i Kushtetutës, të vazhdojë punën. Ky veprim krijon një mbivendosje (“overlap”) mes aktgjykimit të mëparshëm dhe tolerimit aktual — një konflikt mes normës juridike dhe realitetit politik — duke e vendosur Gjykatën në pozitë të diskutueshme dhe duke dobësuar autoritetin e saj si interpretues suprem i Kushtetutës.
Në këtë rreth vicioz, vullneti i votuesve dhe respektimi i Kushtetutës nuk po ecin paralelisht — dhe kjo është formula perfekte për destabilizim afatgjatë. Ky “overlap” relativizues i normës së Kushtetutës duhet parë përmes disa skenarëve të mundshëm, hipotetikisht.
Opsioni i dëshirueshëm është zbatimi i plotë i vendimit: Kuvendi e zbaton atë, zhvillon votim të hapur brenda afatit dhe, pas dështimit të mundshëm të një kandidature në tre raunde, propozon një kandidat konsensual. Ky është skenari i vetëm që siguron stabilitet dhe legjitimitet.
Opsioni i pritshëm, bazuar në përvojat e deritashme dhe në interpretimet diletante, është provokimi politik: shumica rikandidon të njëjtin emër të refuzuar më parë, ose një figurë të ngjashme, duke e ditur që nuk ka shumicë. Edhe pse kandidimi i zonjës Haxhi duhet konsideruar si mundësi e konsumuar. Kjo prodhon bllokadë të qëllimshme dhe mban gjallë narrativën e “sulmimit të vullnetit popullor”, duke treguar se synimi nuk është zgjidhja, por forcimi i përplasjes.
Opsioni i fundit është shpërndarja e Kuvendit: në mungesë të një kandidati që kalon, dhe bllokada çon në shpërndarjen e deputetëve të certifikuar dhe në zgjedhje të parakohshme pranverore, me kosto të lartë politike e institucionale.
Veprimet e Gjykatës Kushtetuese nuk po bazohen gjithmonë mbi interpretimin autentik të Kushtetutës, por mbi rrethana politike. Interpretimi i “gërmës” së Kushtetutës sipas qëllimit politik, e jo sipas autenticitetit juridik, mund të ruajë stabilitetin partiak, por e dëmton stabilitetin kushtetues, duke cenuar rendin dhe vetë Kushtetutën. Ky proces komprometon funksionalitetin e kontrolluar institucional të shtetit, duke e vendosur atë në funksion të interesave partiake e jo kombëtare. Çdo interpretim i qëllimshëm i gabuar i normës kushtetuese duhet të penalizohet si cenim i rendit kushtetues.
Restitutio in integrum — kthimi i procesit në gjendjen e mëparshme — është mënyra e vetme për të ruajtur integritetin kushtetues. Sot po i bëhet një mbivendosje Kushtetutës, një veprim që, në praktikë, funksionon si amendament kushtetues i paformalizuar. Kjo e ka zbehur rigiditetin e saj ndaj presioneve politike dhe e ka vendosur në varësi të rrethanave të ditës.
Aktgjykimi kushtetues KO124/25 i datës 26 qershor 2025, me afat 30-ditor, i vuri përballë shkeljes kushtetuese 120 deputetët e Kuvendit. Prandaj, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese i datës 8 gusht 2025, po i bën mbivendosje gjendjes jokushtetuese, duke i dhënë asaj një formë legjitimiteti të rremë.
Kjo krizë nuk është thjesht mosmarrëveshje mbi një karrige në krye të Kuvendit, por testi më serioz për funksionimin e shtetit që nga shpallja e pavarësisë. Ajo ka zbuluar të vërteta të pakëndshme: politikanët janë të gatshëm të deformojnë normën kushtetuese për përfitim taktik; mungojnë mekanizmat e menjëhershëm ndëshkues; dhe Gjykata Kushtetuese është nën presion të hapur politik.
Kur interpretimi politik merr përparësi ndaj gërmës së Kushtetutës, shteti hyn në zonë të rrezikshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është këshillë, por urdhër juridik. Nëse ai mbetet i papërfillur në letër, atëherë Kosova hyn zyrtarisht në territorin e anarkisë kushtetuese. Zgjidhja nuk gjendet në emra që polarizojnë, por në respektimin e rregullave që garantojnë funksionimin e shtetit. Ky është momenti kur politika duhet të dorëzohet para ligjit – jo ta përdorë atë si mjet për luftë politike.