Vendos UEFA, Kosova e humb në tavolinë ndeshjen me Rumaninë

20 nëntor 2024 | 15:03

UEFA e ka marrë të mërkurën vendimin për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.

Shtëpia e futbollit evropian ka vendosur që këtë ndeshje ta regjistrojë me rezultat zyrtar, 3:0 për rumunët pas mbledhjes së Komisionit Disiplinor të saj.

Shtëpia e futbollit evropian e pa fajtore Kosovën për tërheqjen nga loja në minutat shtesë dhe për mosbindje të urdhrit të referit për t’u rikthyer në fushën e blertë.

Gjithashtu, dy Kombëtaret janë gjobitur për ato që kanë ndodhur të premten e javës së kaluar në stadiumin “National Arena” në Bukuresht.

Federata Rumune e Futbollit është gjobitur me 50 mijë euro dhe me një ndeshje pa praninë e shikuesve si vendëse për shkak të thirrjeve raciste apo diskriminuese të tifozëve të saj.

 

Vendimi i UEFA-s

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 50,000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e stadiumit të Federatës Rumune të Futbollit gjatë (1) ndeshjes së ardhshme në të cilën Federata Rumune e Futbollit do të luajë si shoqatë mikpritëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të mbështetësve të saj ( në lidhje me thirrjet ksenofobike antihungareze).

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 30,000 euro për transmetimin e mesazheve provokuese politike të papërshtatshme për një ngjarje sportive.

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 9000 euro për hedhjen e sendeve.

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 4500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 8000 euro për përdorimin e lazerëve.

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 12500 euro për shkak të trazirës gjatë himnit kombëtar.

-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 14 mijë euro për bllokimin e rrugëve publike.

-Të paralajmërojë Federatën Rumune të Futbollit për sjelljen e pahijshme të ekipit të saj.

Akuzat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës:

Refuzimi për të luajtur (tërheqje nga loja), Art. 27(1) DR dhe Art. 27(4)(a) DR në lidhje me Art. 25.01 Rregulloret e Ligës së Kombeve.

Sjellja e pahijshme e ekipit (kartonë të verdhë 5 lojtarë ose më shumë), Art. 15(4) DR

Të shpallet ndeshja e Ligës së Kombeve 2025 ndërmjet Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e luajtur më 15 nëntor 2024, si e dorëzuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (e cila për këtë arsye konsiderohet se e ka humbur ndeshjen 3:0) për përgjegjësinë që ndeshja nuk luhet plotësisht (siç parashikohet në nenin 25.01 Rregulloret e Ligës së Kombeve).

Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6000 euro për sjellje të pahijshme të skuadrës së saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoninë e Veriut…