
Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik
Shkruan: Hisen Berisha
Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane për Ballkanin në Kosovë është një ndër vendimet më të rëndësishme gjeostrategjike që ka ndodhur në dekadën e fundit në rajon. Ky zhvillim nuk është vetëm një akt teknik ushtarak, por përfaqëson një mesazh të qartë politik e strategjik se Kosova është pikë kyçe në arkitekturën e sigurisë perëndimore dhe aleanca me SHBA-në është garanci për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Ky zhvillim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është i një rëndësie strategjike dhe është një mesazhi i qartë politik.
Kjo komandë, e vendosur në kuadër të strukturës së U.S. Army Europe and Africa, është përgjegjëse për koordinimin e veprimtarive ushtarake amerikane në rajon dhe për monitorimin e zhvillimeve të sigurisë në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor.
Vendimi për ta vendosur atë në Kosovë është rezultat i një procesi të gjatë bashkëpunimi strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përforcuar me marrëveshje të veçanta në fushën e mbrojtjes, trajnimit dhe shkëmbimit të të dhënave.
Kjo e bën Kosovën jo vetëm një partnere të besueshme të SHBA-së, por edhe një nyje të sigurisë së NATO-s në rajon. Vendimi u parapri nga intensifikimi i marrëdhënieve strategjike Kosovë–SHBA, përfshirë marrëveshjet në fushën e mbrojtjes të nënshkruar më herët dhe pjesëmarrjen gjithnjë më të madhe të FSK-së në misione ndërkombëtare si pjesë e proceseve të standardizimit me NATO-n.
Ky zhvillim është përforcon e rrugën e FSK drejt NATO-s.
Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo është një mundësi unike. Prania e përhershme e trupave amerikane dhe ngritja e një strukture komanduese sjellin përfitime të shumëfishta si:
– Standardizimi sipas praktikave të NATO-s;
– Trajnime të avancuara me trupat elitare amerikane;
– Qasje në teknologji dhe doktrina moderne ushtarake;
– Rritje të kapaciteteve në sigurinë kibernetike, logjistikë dhe ndërveprim ndërkombëtar.
Kjo do ta përshpejtojë integrimin e Kosovës në programin Partnership for Peace (PfP), i cili konsiderohet fazë e domosdoshme drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Prania e SHBA-së i jep fund paqartësive dhe frikësimit nga Serbia, duke e pozicionuar Kosovën si një aleat të pandashëm të perëndimit.
Është me rëndësi të theksohet se ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe sistemi i sigurisë dhe mbrojtjes po zhvillohet me asistencë teknike, profesionale dhe politike të SHBA-ve, përkundër sjelljes shpesh refuzuese dhe të pakoordinuar të qeverisë aktuale të Kosovës ndaj nismave amerikane.
Kjo përfshin veprime që çuan në përjashtimin nga stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 2023” dhe vendosjen e masave sanksionuese nga BE, me aprovim të heshtur nga SHBA.
Megjithatë, angazhimi amerikan vazhdon, sepse Kosova është pjesë e gjeostrategjisë amerikane për rajonin dhe siguria e SHBA-së mbrohet në çdo skaj të botës. Prandaj, ky zhvillim nuk është meritë ekskluzive e qeverisë apo përfaqësuesve të saj politik, por rezultat i një kursi të gjatë partneriteti strategjik të ndërtuar me besim të ndërsjellë ndër vite.
Ky zhvillim po ashtu, është i një rëndësie të veçantë për sigurinë rajonale dhe imunitetin nga tendencat për cenimin e saj.
Pra, vendosja e Komandës në Kosovë është një element dekurajues për çdo ambicie destabilizuese në rajon – qoftë nga Serbia, Rusia apo rrjetet hibride të ndikimit lindor.
Ky pozicionim e bën Kosovën një zonë të paprekshme për veprime armiqësore apo ndërhyrje të drejtpërdrejta.
Kjo rrit sigurinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vende që shpesh janë në shënjestër të ndikimeve të jashtme joperëndimore.
Gjithashtu, kjo e bën kufirin Kosovë–Serbi të pa demarkuar as ratifikuar ndërkombëtarisht, një vijë të mbrojtur nga vetë prania amerikane, duke i dërguar një mesazh të qartë Beogradit, se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me kundërpërgjigje strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.
Përfitimet që pritët të ketë për Kosovën janë:
1. Garanci për siguri afatgjate dhe imunitet nga konflikti i ngrirë;
2. Forcim i pozitës ndërkombëtare në kuadër të aleancës perëndimore;
3. Zvogëlim i ndikimit të shteteve mosnjohëse në procesin e integrimeve;
4. Hapësirë për zhvillim ekonomik në sektorin e sigurisë dhe teknologjisë;
5. Rritje e besueshmërisë politike në procesin e shtetndërtimit.
Nga kjo mund të konkludojmë se: vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë është një fitore strategjike për shtetin tonë.
Ajo përbën një transformim të qartë të realitetit të sigurisë në Ballkan.
Nga një vend i trajtuar si zonë e konfliktit potencial, Kosova po kthehet në qendër të stabilitetit.
Por kjo kërkon gjithashtu përgjegjësi dhe rritje të kapaciteteve shtetërore, profesionalizim të FSK-së dhe një politikë të jashtme që ruan kursin euroatlantik pa devijime taktike.
Kjo komandë nuk është thjesht ushtarake. Është një vulë e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe një mesazh i qartë për të gjithë, se Kosova është këtu për të qëndruar, si shtet, si aleat, si faktor stabiliteti.