Venecianët i ‘prishin’ dasmën Jeff Bezos, detyrohet të…

25 qershor 2025 | 11:23

Dasma e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me gazetaren Lauren Sanchez ka ndezur reagime të forta në Venecia. Së fundmi, protestuesit pretendojnë se kanë arritur një fitore simbolike duke detyruar zhvendosjen e një pjese të festimeve martesore.

Mediat e huaja shkruajnë se grupi aktivist, “No Space for Bezos”, kishte paralajmëruar një ndërhyrje dhe bllokim të kanaleve përreth ndërtesës historike “Grande Scuola Misericordia”, ku besohej se më 28 qershor do të mbahej festa përmbyllëse e dasmës.

Përballë presionit, organizatorët thuhet se kanë ndryshuar planet, duke e spostuar festën në zonën detare të Arsenale-s, më larg qendrës piktoreske të qytetit.

“Fitore! Bezos nuk do ta festojë në qendër. Kanë ikur në Arsenale!”, shkroi grupi në postimet në rrjetet sociale. Ata shtuan se edhe jahtet luksoze të Bezos, Koru dhe Abeona, nuk do të ankorohen më në portin Venecian.

Festimet e çiftit pritet të zgjasin tre ditë:

-26 qershor: pritje në Lido të Venecias

-27 qershor: ceremonia martesore në ishullin San Giorgio Maggiore

-28 qershor: festa e madhe, tashmë e zhvendosur në Arsenale

Aktivistët kanë shfaqur protesta simbolike në pika ikonike të qytetit, përfshirë vendosjen e pankartave me emrin e Bezos të shënuar me kryq mbi urën Rialto. Greenpeace gjithashtu u përfshi, duke vendosur një banderolë gjigande me portretin e miliarderit dhe mbishkrimin:

“Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, mund të paguash më shumë taksa”.

Ndërsa disa qytetarë shprehen entuziastë për dasmën dhe vëmendjen që ajo sjell, të tjerë ngrenë shqetësime për ndikimin e eventeve të tilla në një qytet tashmë të rënduar nga turizmi masiv dhe anijet e mëdha turistike. Kjo situatë, sipas banorëve dhe ambientalistëve, rrezikon të përkeqësojë jetën urbane dhe ekosistemin e brishtë të lagunës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dështuar edhe sot konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke…