Vepër që shuhet për vlera të veçanta shkencore

13 shkurt 2020 | 17:14

Sadri Fetiu

(Fadil Grajçevci, “Nëpër gjurmë të letërsisë”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017)

Fadil Grajçevci është studiues i dëshmuar i letërsisë shqipe. Ai është marrë edhe me studimin e letërsisë sonë të traditës, edhe me atë të letërsisë së sotme. Sukseset e para në historinë e lehtësisë shqipe i ka shënuar me studimin monografik të veprës së humanistit të njohur shqiptar, Marin Barletit. Është dalluar edhe si vlerësues i drejtë dhe studiues i mirëfilltë i vlerave të poezisë shqipe me studimin monografik kushtuar veprës poetike të Esat Mekulit. Ai këtë herë paraqitet para lexuesit shqiptar me një përmbledhje të veçantë studimesh, kritikash dhe recensionesh, me titull kuptimplotë “Nëpër gjurmë të letërsisë”. Kjo përmbledhje përbëhet nga 30 njësi të veçanta që autori i ka ndarë në katër pjesë.

Dy pjesët e para, të cilat si vëllim përbëjnë gati dy të tretat e librit, kanë të bëjnë me studime historiko-letrare, që nisin me fillet e zhvillimit të letërsisë shqipe e shtrihen me shkëputje të ndryshme kohore deri ne kohën tonë, deri te veprat e njohura të prozës së sotme moderne e postmoderne. Brenda pjesës së parë të veprës janë trajtuar me kujdes të veçantë vlerat e veprave të Marin Barletit dhe të Frang Bardhit si në aspektin e theksuar të ideve frymëzuese, sidomos të veprës së Barletit për të gjithë pasuesit të tij dhe për lexuesit deri në kohën tonë, ashtu edhe të frymës kritike polemizuese të veprës së Frang Bardhit. Me rëndësi të veçantë për studimet historiko-letrare është qasja krahasimtare ndaj veprës së Barletit në relacion me poemën e njohur të Naim Frashërit kushtuar Skënderbeut, si edhe me studimin historik të Fan Nolit për heroin tonë kombëtar.

Në këto dy njësi studimore autori hedh dritë të plotë si për ndikimin e veprës së Barletit te këta dy autorë të njohur, ashtu edhe për angazhimet e veçanta të Naimit dhe të Nolit që në aspekte të dallueshme origjinale ndërmjet tyre i qasen lëndës së njëjtë, veprës së Barletit, qoftë si burim frymëzimi, qoftë si dëshmi argumentuese për veprat e tyre.

Ndërmjet studimeve të pjesës së dytë të librit vlen të dallohet ai për veprën dramaturgjike të A. Z Çajupit, e cila shquhet për idetë, vlerësimet kritike ndaj dukurive shoqërore ashtu edhe për strukturën estetike e gjuhësore që e përfaqësojnë këto drama si nismë e dramaturgjisë shqiptare që kishte një zhvillim të paktë deri në atë kohë. Mund të thuhet se dramat e Çajupit brenda kësaj vepre janë trajtuar për herë të parë në mënyrë të shumanshme.

Në këtë pjesë të përmbledhjes me rëndësi të veçantë është edhe studimi për revistën letrare “Jeta e re”, si për historikun e revistës, për botimin e letërsisë së traditës në të dhe, në mënyrë të veçantë, për prozën e A. Demaçit të botuar këtu. Edhe brenda kësaj pjese të veprës së F. Grajçevcit kemi një qasje krahasimtare ndërmjet poezisë së E. Mekulit dhe prozës së A Demaçit me anë të së cilës autori sjell plot njohuri të reja për veprat e këtyre dy autorëve.

Me një përkushtim të veçantë, krahas ndihmesës së E. Mekulit, për letërsinë e botuar në “Jetën e re”, Fadil Grajçevci i ka trajtuar deri në hollësi pikëpamjet estetike-letrare të Mekulit jo vetëm në periudhën e fazës së parë sociale të krijimeve të tij poetike, por edhe me vonë në fazën e fundit të krijimtarisë së këtij poeti.

Në këtë pjesë të veprës së Fadil Grajçevcit shquhet edhe studimi i tij për Rexhep Qosjen – historian i letërsisë, si dhe përpjekja për ta trajtuar me sukses laboratorin krijues të këtij autori me anë të analizës së pjesës dokumentare të veprës së tij, në radhë të parë me anë të ditarit.

Duke u marrë me përvojat krijuese moderne dhe postmoderne në romanin shqiptar, ai do t’i kushtojë kujdes edhe analizës së romanit të Qosjes “Një dashuri dhe shtatë faje”, si dhe romanit të Shefkije Islamajt “Mos më thuaj se më ke parë në ëndërr”. Romanin e Shefkijes ai do të trajtojë përsëri edhe në pjesën e tretë të kësaj vepre me anë të recensionit “Ligjërimi magjik”, që shquhet për qasje studiuese ndaj vlerave estetike-letrare dhe gjuhësore të kësaj vepre. Po këtu e gjejmë edhe një shkrim të shkurtër analitik për veprën gjuhësore të Shefkijes kushtuar kulturës së gjuhësore dhe përdorimit estetik të gjuhës. Brenda pjesës së tretë të veprës së F. Grajçevcit janë trajtuar me sukses edhe veprat e Hysen Matoshit “Poezia e Lasgush Poradecit në kontekstin e poezisë evropiane” dhe “Shpalime historike”, pastaj vepra e Donikë Dabishevcit proza e poetizuar, ajo e Mehmet Gëzhillit kushtuar Fan Nolit etj.

Midis recensioneve shquhet sidomos ai për veprën e Feride Paplekajt për Dhimitër Shuteriqin, si edhe për studimin e Zija Xholit “Pesë  mendimtarë të vjetër të kulturës sonë kombëtare”, të cilat autori me të drejtë i ka vlerësuar si vepra që sjellin njohuri të reja për letërsinë dhe për kulturën tonë kombëtare.

Në mesin e recensioneve bie në sy edhe analiza kritike e tekstit të Sabri Hamitit “Letërsia e vjetër shqipe për shkolla të mesme”, për të cilin janë dhënë vërejtje të shumta për lëshimet dhe gabimet, si sa i përket anës përmbajtjesore, po ashtu edhe asaj gjuhësore.

Në pjesën e katërt të përmbledhjes “Nëpër gjurmë të letërsisë” të Fadil Grajçevcit janë përfshirë gjashtë njësi që përfaqësojnë shkrime sintetizuese si fjalë të rastit që u paraprijnë tubimeve shkencore qofshin ato tematike, përkujtimore apo jubilare. Në këto shkrime autori na ka dhënë vlerësime të përmbledhura, sinteza të thukëta për veprat e De Radës, të Dhimitër Shuteriqit, të Musine Kokolarit, të Bajram Krasniqit, të Sefedin Fetiut, si edhe në një fjalë hyrëse që i kushtohet romanit të sotëm shqiptar.

Edhe pse në dukje të parë këto njësi duken të thjeshta dhe krejt të rastit, që të gjitha shquhen për saktësinë e vlerësimit shkencor, për përzgjedhje të thelbit të vlerave të veprave të këtyre autorëve e në disa raste edhe për ndjeshmëri emocionale ndaj autorëve, si: Bajram Krasniqi dhe Sefedin Fetiu, që u ndanë nga jeta në moshë relativisht të re dhe mund t’i jepnin ndihmesa edhe më të mëdha studimit të letërsisë shqipe.

Duke përfunduar këtë recension të shkurtër për veprën e Fadil Grajçevcit, “Nëpër gjurmë të letërsisë”, do të pohoj me bindje të plotë se vepra shquhet për vlera të veçanta shkencore, të cilat i karakterizojnë të gjitha llojet e këtyre shkrimeve për letërsinë tonë, se ajo është shkruar me një gjuhë të pastër e të pasur shqipe, me terminologji te saktë shkencore, me dashuri të veçantë për letërsinë dhe për kulturën tonë kombëtare. Vepra shquhet për vlerësimin e drejtë objektiv të veprimtarisë letrare të të gjitha autorëve që trajtohen në të. Me vlerë të veçantë janë studimet krahasimtare të veprave të autorëve të periudhave të caktuara letrare, qoftë për përbërësit e përbashkët tematikë, qoftë edhe për rrethanat e ngjashme kohore në të cilat janë krijuar këto vepra. Prandaj me të gjitha vlerat që i përmban, vepra do të jetë ndihmesë e veçantë për të gjithë studiuesit e letërsisë shqipe të traditës dhe të periudhës së sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Sadik Zeqiri Kur ka dalë nga shtypi numri i…