
“Veprimi arbitrar” i KEDS-it sjell pasoja të rënda
Njoftimi i kompanisë KEDS se ka filluar shkyçka e bizneseve, nduke u bazuar në vendimin Zyrës së Rregullatorit për Energji, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Shoqatat e bizneseve dhe njohësit e çështjes së ekonomisë kanë bërë me dije se ky është një veprim arbitrar. Pasojat një veprim i tillë, sipas tyre, mund të jenë të mëdha.
E para që ka reaguar ka qenë Shoqata e Prodhueseve të Kosovës.
Kjo shoqatë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke shtuat se pasojat do të jenë të rënda.
“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, është thënë në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve.
Kjo shoqatë ka kërkuar që ZRRE-ja të gjejë zgjidhje të qëndrueshme që mbron ekonominë e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”, është thënë nder të tjera në reagim.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka quajtur të papërgjegjshëm si veprim fillimin e shkyçjes së bizneseve që nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim me energji elektrike.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, është thënë në reagimin e këtij institucioni.
Kompania KEDS ka bërë me dije se sot ka filluar zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shkyqjen e konsumatorëve komercialë, të cilët nuk kanë lidhur marrëveshjes me një furnizues të licencuar nga ZRrE-ja.
Përmes një komunikate për media, kjo kompani ka treguar se sot ka filluar shkyçjen e mbi 1400 bizneseve.
“Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja. Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
Më tej, ka treguar edhe mënyrën e shkyqjës së këtyre bizneseve.
“Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë. KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike”, është thënë në njoftim.