Veprimtaria lobiste dhe diplomatike e LPK-së në vitet 1987-1994

20 dhjetor 2023 | 11:29

KUMTESË NË KUADËR TË SIMPOZIUMIT SHKENCOR, ME RASTIN E SHËNIMIT TË 40-VJETORIT TË LPK-së

Shkruan: Fatmir Lekaj, politolog

Hyrje

Qëllimi im me këtë kumtesë është për të ndriçuar një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë lobiste dhe diplomatike të LPK-së në vitet 1987-1994, që lidhet ngushtë me veprimtarinë e Grupit për Ballkanin të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH-s), i iniciuar dhe i themeluar pas mbledhjes së parë të përgjithshme të LPK-së. Mbledhja e parë e përgjithshme e LPK-së, e mbajtur në korrik të vitit 1987 në Zvicër (nën organizimin e Degës së LPK-së jashtë vendit, në të cilën të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së brenda vendit), shënon fuqizimin dhe konsolidimin e LPK-së jashtë dhe brenda vendit. Në këtë vazhdë, GBKNH shërbeu si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale i LPK-së, duke pasur një rol kyç për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit, përkatësisht Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s) etj. Në vijim, në pjesën e parë dhe të dytë të kësaj kumtese, do të përqendrohem në mënyrë koncize në prapavijën e themelimit dhe në veprimtarinë e GBKNH-s. Po ashtu, për hir të korrektësisë (që kjo kumtesë të jetë e bazuar në dokumente dhe jo në hamendësime), do të publikoj edhe disa faksimile të rëndësishme (të integruara në tekst), si dëshmi konkrete që dëshmojnë për ato që përshkruaj në lidhje me GBKNH-n. Pikënisje për këtë kumtesë historiografiko-dokumentuese është ftesa për të dhënë kontributin tim në kuadër të simpoziumit shkencor, me rastin e shënimit të 40-vjetorit të LPK-së, të organizuar nga Shoqëria “Lëvizja”, Instituti Albanologjik, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

No description available.

I
Prapavija e themelimit të GBKNH-s

I burgosuri politik gjatë viteve ’80, Nufri Lekaj, (pas lirimit nga burgu në fillimvitin 1987, dhe ngritjes së aktakuzës së dytë ndaj tij për burgosje nga regjimi jugosllav), arriti të arratiset nga Kosova. Me sugjerimin e shokëve të organizuar, emigroi në Norvegji, pasi që asokohe ishte rritur numri i shqiptarëve që kishin emigruar në Norvegji dhe ende në këtë shtet nuk ishte konsoliduar ndonjë veprimtari e organizuar politike e emigracionit shqiptar, e cila përbëhej kryesisht nga emigrantë shqiptarë me kontrata të punës në mes të Jugosllavisë dhe Norvegjisë. Në këtë vazhdë u formua Këshilli Popullor i LPK-së (Dega e LPK-së) në Oslo, në krye me Nufri Lekën, njëherësh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, që si organizatë, fillimisht nga viti 1982, njihet si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), pastaj si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e nga viti 1993 njihet si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).
Në Oslo, Nufri Lekaj, gjatë procesit të azil-kërkimit, njoftohet me Berit Backerin (përkthyese gjatë intervistës për azil), e cila, përveçse ishte studiuese e kulturës shqiptare, që nga vitet ’70 dhe njohëse e spikatur (nga të huajt) e gjendjes shoqëroro-politike në Kosovë dhe Shqipëri, ishte edhe veprimtare e shquar e të drejtave të njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit. Veçanërisht pasi u bë pjesë (në cilësinë e këshilltares dhe bashkëpunëtores) e LPK-së në vitin 1987, u bë aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, duke vënë tërë potencialin e vet në këtë drejtim.
Gjatë bisedave në mes të Berit Backerit dhe Nufri Lekajt rezultuan ide të reja që, në fakt, kërkonin qasje serioze. Berit Backeri kishte sugjerimet e saj se si mund të veprohet për dekonstruktimin e mitit të Jugosllavisë si vendi (i cilësuar) më demokratik i Lindjes, që kishte entuziazmuar gjithë Perëndimin. Ky entuziazëm kishte formësuar diskursin se Jugosllavia ballafaqohej kryesisht me kërkesat e nacionalizmit kroat dhe shqiptar, të cilat, si kërkesa nacionaliste, nënkuptonin rrezikun për shkatërrimin e Jugosllavisë. Prandaj shtetet perëndimore, për shkaqe kryesisht gjeopolitike, nuk i shihnin kërkesat e nacionalistëve shqiptarë dhe kroatë si kërkesa të drejta dhe reale. Rrjedhimisht, Berit Backeri, si njohëse e mirë e proceseve politike, sidomos e Procesit të Helsinkit (si proces civil dhe si proces ndërshtetëror në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare), konsideronte se LPK-ja do të duhej ta përqendronte veprimtarinë në kuadër të Procesit të Helsinkit, drejt arritjes së kërkesave të veta për liri dhe barazi. Por, sipas saj, këto kërkesa do të duhej të artikuloheshin nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, sepse në këtë mënyrë tërthorazi edhe kërkesa e LPK-së për Republikën e Kosovës gradualisht do të mund të zinte vend si çështje për zgjidhje politike dhe diplomatike në kuadër të kancelarive të shteteve perëndimore, meqë si kërkesë parashihte vetëm avancimin e statusit politik të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave dhe jo ndryshimin e kufijve ndërshtetëror, dhe rrjedhimisht përveçse kjo kërkesë e LPK-së ishte në përputhje me parimin e Deklaratës së Helsinkit për barazinë e të drejtave dhe vetëvendosjen e popujve, nuk binte drejtpërdrejt ndesh me dy parimet e tjera të Deklaratës së Helsinkit, përkatësisht parimin e paprekshmërisë së kufijve dhe parimin e integritetit territorial të shteteve. Njëherësh, veçanërisht insistonte që të fokusohej kryesisht në çështjen e të drejtave të njeriut, ngaqë Deklarata e Helsinkit ishte e nënshkruar edhe nga Jugosllavia. Një ndër parimet bazë të Deklaratës së Helsinkit ishte respektimi i parimit i të të drejtave të njeriut. Për më tepër, insistonte, duke shpjeguar se në vazhdën e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-së), e bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), i njohur si Procesi i Helsinkit, sidomos nga viti 1986, gjatë mbledhjeve të rregullta të KSBE-së në Vjenë, u jepej gjithnjë e më shumë hapësirë grupeve të Helsinkit, përkatësisht komiteteve të Helsinkit si në aspektin e informimit, këshillimit dhe pjesëmarrjes, në lidhje me

çështjet e të drejtave të njeriut dhe gjendjes së minoriteteve kombëtare brenda shteteve. Kështututje këto sugjerime dhe mendime të Berit Backerit, Nufri Lekaj i shqyrtoi me dy eksponentët kryesorë të kohës në LPK, njëri anëtar i kryesisë dhe i angazhuar në riorganizimin e LPK-së (Xhavit Haliti), tjetri anëtar i këshillit të përgjithshëm dhe përgjegjës për kontakte me autoritete dhe organizata të huaja (Ibrahim Kelmendi). Jo për t’i anashkaluar strukturat e organizatës, por duke kërkuar mirëkuptim për ta ruajtur rolin e Berit Backerit në kuadër të organizatës në mënyrë që të mos dekonspirohet veprimtaria e cila ishte në ngritje e sipër, që të dy, Ibrahim Kelmendi dhe Xhavit Haliti, jo vetëm se u pajtuan, por edhe e ndihmuan në çdo aspekt këtë veprimtari, edhe me kontakte të drejtpërdrejta me Berit Backerin, duke bërë edhe koordinimin e duhur.
Rrjedhimisht, në fundvitin 1987 formalizohet projekti i Grupit për Kosovën dhe pa asnjë hamendje u vendos që Grupi për Kosovën të kyçet brenda Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH- s) për dy arsye kryesore. Njëra arsye ishte se Grupi për Kosovën konsideronte se nëpërmes KNH-s do të mund ta ushtronte ndikimin e vet për Kosovën në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, përkatësisht në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), duke përfshirë Helsinki Watch Amerikan (nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch) dhe në organizata të tjera ndërkombëtare me ndikim për të Drejtat e Njeriut, si Amnesti Internacional etj. Arsyeja tjetër ishte se Grupi për Kosovën konsideronte se nëpërmes KNH-s do të mund ta ushtronte ndikimin e vet për Kosovën edhe në kuadër të Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit, meqë KNH ishte edhe pjesë e rëndësishme këshillëdhënëse për Ministrinë e Jashtme Norvegjeze (MPJN) në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe, kështututje, Grupi për Kosovën shpresonte se nëpërmes MPJN do të mund të ndikohej edhe te ministritë e jashtme të shteteve perëndimore, përkatësisht te delegacionet e tyre në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s).
Berit Backer, me ndihmën e mikut të saj, Kristoffer Gjøtterud, organizoi një takim me Bordin e KNH-s. Në këtë takim ishin të pranishëm Berit Backer dhe Nufri Lekaj, të cilët sqaruan nevojën e përfshirjes së Grupit për Kosovën në KNH (ashtu siç KNH kishte vepruar më herët me Solidarnostin polak), duke e siguruar Bordin e KNH-s, se qëllimi i Grupit për Kosovën kishte të bënte, thjesht, vetëm me veprimtari për të drejtat e njeriut. Këtu qëndronte edhe arsyeja pse nevojitej që qëllimi i plotë i Grupit për Kosovën të ruhej si konspirativ edhe brenda LPK-së, dhe vetëm tre eksponentët e LPK-së e dinin qëllimin e plotë që synonte Grupi për Kosovën. Fillimisht GBKNH u quajt Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), por me insistimin e Berit Backerit e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), në mënyrë që informacioni dhe veprimtaria e këtij sektori të mos paragjykoheshin krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore.
Në kuadër të konsolidimit të veprimtarisë së GBKNH-s, me sugjerimin e Berit Backerit, Nufri Lekaj udhëton në Londër në vitin 1988 ku, përveçse takohet me disa personalitete të kulturës dhe politikës angleze, takohet edhe me Ihsan Toptanin, nga të cilët merr këshilla të vyeshme. Përveç të tjerash, sugjerimet e Ihsan Toptanit kanë qenë që organizatat e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për arritjen e lirisë dhe barazisë së shqiptarëve në Jugosllavi, të mos merren me çështjet ideologjike, por të profilohen vetëm si organizata për të drejtën kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, përkatësisht të mos merren me Enver Hoxhën dhe sistemin politik në Shqipëri. E, në fakt, Enver Hoxha dhe sistemi politik në Shqipëri nuk ishte qëllimi parësor i LPK-së, madje edhe formalisht u hoq dorë nga kjo, pas përmbysjes së sistemit diktatorial në Shqipëri. Dhe ky ishte tregues i qartë se LPK-ja, në esencë, kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare mbi çdo ideologji, ashtu siç ishte shprehur një ndër themeluesit e LPK-së, Jusuf Gërvalla, në një intervistë të realizuar para demonstratave të vitit 1981, përkatësisht në vitin 1980, e publikuar më 20 janar 1982 në gazetën

gjermane “Tagische Zeitung”, në njërën nga pyetjet e gazetarit të kësaj gazete, se a do ta kërkonit bashkimin me Shqipërinë, pavarësisht se në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës? Jusuf Gërvalla përgjigjet: Pavarësisht nga çfarëdo sistemi!
Më konkretisht, organizimi i takimit me Ihsan Toptanin ishte në vazhdimësinë e krijimit të kontakteve, respektivisht informimit dhe njohjes së realitetit të situatës së shqiptarëve në Jugosllavi, por dhe njohjes së Ihsan Toptanit me eksponentë të LPK-së, që si organizatë shihej me rezerva nga qarqe të caktuara për shkak të vijës së majtë ideologjike. Si personalitet, Ihsan Toptani, përveçse në të kaluarën e kishte dëshmuar përkushtimin e tij për të ndërmjetësuar mes palëve për të gjetur kompromis për qëllimet kombëtare (në cilësinë e organizatorit për mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes në vitin 1943), në këtë vazhdë, pasi emigroi në Mbretërinë e Bashkuar, është konsideruar në vazhdimësi si personaliteti shqiptar më kredibil edhe për shkak të neutralitetit të tij rreth përplasjeve ideologjike të emigracionit shqiptar nga Shqipëria. Rrjedhimisht, Ihsan Toptani ishte informues kredibil për autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me çështjen shqiptare në përgjithësi. Në këtë kuadër Berit Backeri jorastësisht konsideronte se informacioni për eksponentët e emigracionit politik nga Kosova (të cilët kryesisht ishin rreshtuar në grupime organizative të majta), nuk perceptohej në mënyrë të duhur nga diplomacia perëndimore, për shkak se shpërndahej një dezinformim nga ana e diplomacisë jugosllave në kuptimin se shqiptarët në Jugosllavi jo vetëm se dëshirojnë ta shkatërrojnë shtetin jugosllav, por dëshirojnë ta ndryshojnë edhe rendin shoqëror, duke aluduar se ata janë fanatikë dhe ekstremistë majtistë etj. Prandaj, Berit Backer insistonte se informacioni i drejtpërdrejtë nga një ndër drejtuesit e LPK-së në emigracion do të shërbejë për një perceptim më të duhur, dhe se Ihsan Toptani e të tjerët ishin njerëz të duhur të cilët do mund ta shpinin më tutje këtë informacion dhe perceptim të duhur, sidomos duke e marrë parasysh faktin se në kontekstin e kohës, Mbretëria e Bashkuar konsiderohej shteti më kredibil për të ndarë informacionin me vendet mike perëndimore, njëherësh konsiderohej se Mbretëria e Bashkuar kishte informacionin më të saktë për zhvillimet historiko-politike të shqiptarëve. Në fakt, Berit Backer kishte krijuar shpejt bindjen e duhur për LPK-në, duke u njohur dhe diskutuar me eksponentë të LPK-së (Lekaj, Haliti, Kelmendi etj.), të cilët ajo i konsideronte si të pangarkuar ideologjikisht dhe, thjesht, si patriot shqiptarë të cilët, për shkak se konsideronin se shqiptarët në Jugosllavi duhet gjithmonë të jenë luajalë ndaj shtetit amë Shqipërisë, ishin rreshtuar në një organizatë të majtë në dukje, por jo në esencë, dhe se nuk ishin rob të asaj të majte ideologjike që në shtetet lindore kishte degraduar në totalitarizëm dhe autoritarizëm, dhe se si qëllim kryesor kishin lirinë dhe barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë në Jugosllavi, por që njëkohësisht nuk e kishin braktisur krejtësisht dëshirën irredentiste (bashkimin e territoreve shqiptare në Jugosllavi me shtetin amë Shqipërinë).
Njëkohësisht, gjatë qëndrimit të tij në Londër, Nufri Lekaj angazhohet vullnetarisht dhe bën regjistrimin e disa qindra të burgosurve politikë shqiptarë në regjistrin qendror në Amnesti Internacional në Londër, meqë shpesh kishte vështirësi të regjistroheshin të burgosurit politikë shqiptarë si të “burgosur të ndërgjegjes” për shkak se aktakuzat serbo-jugosllave ishin të bazuara në “veprimtari armiqësore subverzive” dhe Amnesti Internacional i regjistronte këta të burgosur, por nuk i klasifikonte si “të burgosur të ndërgjegjes”. Me punën e tij disamuajshe arrit ta dëshmojë praktikën e “akuzave” serbe dhe të “dënimeve”, ku del në pah se dënimet ishin “politike” e jo “subverzivo-armiqësore”. Kjo ndikoi që mbi 300 të burgosur të kohës nga numri i madh i të burgosurve në listat e Amnesti Internacional të adaptohen si të “burgosur të ndërgjegjes”. Me t’u kthyer nga Londra në vjeshtën e vitit 1988, Nufri Lekaj, së bashku me Berit Backerin, dhe me ndihmën e mikut të Berites, Kristoffer Gjøtterud etj., e shtuan veprimtarinë e GBKNH-s. Në këtë vazhdë Nufri Lekaj bën propozimin që KNH, në një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze, të përfshijë propozimin se kërkesa për “Kosovën Republikë është zgjidhja më e mirë e

problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. Në këtë vazhdë, me lobimin e shoqes së Berit Backerit, Marianne Heiberg, (bashkëshorte e ministrit norvegjez Johan Jørgen Holst), realizohet një takim në mes të Nufri Lekajt, në cilësinë e përfaqësuesit të LPK-së, dhe ministrit Johan Jørgen Holst. Me këtë rast, Nufri Lekaj e njofton hollësisht ministrin Johan Jørgen Holst për situatën e rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë, duke argumentuar edhe për kërkesën Kosova Republikë, përveç të tjerash, duke i sqaruar se është kërkesë e parashtruar nga LPK-ja si zgjidhje kompromisi nëpërmes mjeteve politike në të mirë të paqes në Ballkan, përkatësisht si një zgjidhje midis Kosovës së okupuar dhe shtypur nga Serbia, dhe preferencës së parë, e cila do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Vlen të theksohet se themelimi i një sektori të tillë si GBKNH, në kuadër të një organizate pothuajse gjysmështetërore norvegjeze (KNH-s), nuk ishte aspak projekt i lehtë, sidomos duke e marrë parasysh lidhjen e fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe ish- Jugosllavisë. Përkatësisht propaganda serbo-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore kishte arritur gradualisht të ketë ndikim të madh në Norvegji, duke e shtrirë këtë ndikim propagandistik edhe në shtetet e tjera nordike. Fillimisht propaganda serbo-jugosllave e kishte arritur suksesin, duke e përdorur si mjet propagandistik historinë e të burgosurve jugosllavë të luftës në Norvegji (gjatë Luftës së Dytë Botërore) në kuptimin se vetëm serbët kanë qenë anti-nazifashistë të devotshëm: nga njëra anë duke i bashkëlidhur nocionet serb-partizan-antinazifashist-jugosllav, nga ana tjetër duke aluduar se popujt e tjerë në Jugosllavi, sidomos shqiptarët dhe kroatët, kanë qenë më shumë bashkëpunëtorë të nazifashistëve sesa kundërshtarë të nazifashistëve. Në bazë të kësaj propagande Serbia e stimulonte miqësinë me Norvegjinë edhe për arsyen se Norvegjia pas Luftës së Dytë Botërore rezultoi si shteti nordik më proaktiv në politikën e jashtme (krahasuar me shtetet e tjera nordike) dhe me shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shkak të kësaj lidhjeje në mes të Norvegjisë dhe Jugosllavisë, kolegët norvegjezë në kuadër të GBKNH-s, Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., e propozuan Nufri Lekën përgjegjës të GBKNH-s, i cili veçse kishte krijuar profil në mediet norvegjeze si shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi jugosllav, si ish-i burgosur dhe i përndjekur politik. Rrjedhimisht, në këtë mënyrë kolegët norvegjezë të GBKNH-s nuk mund të akuzoheshin drejtpërdrejt nga diplomacia jugosllave si anti-jugosllavë (dhe të vënin në siklet të madh marrëdhëniet shtetërore norvegjeze-jugosllave), ndërsa përkrahjen e tyre për GBKNH-n e legjitimonin bazuar në njërin ndër parimet e rëndësishme të Deklaratës së Helsinkit, përkatësisht parimin për respektimin e të drejtave të njeriut. Madje edhe Jugosllavia, si një ndër shtetet nënshkruese, obligohej moralisht dhe politikisht ta respektonte Deklaratën e Helsinkit. GBKNH në këtë mënyrë e legjitimoi veprimtarinë për të drejtat e njeriut pro-Kosovës dhe, pavarësisht prej vështirësive dhe pengesave (si rezultat i lidhjes së fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe Jugosllavisë), GBKNH arriti të ndikojë jashtëzakonisht shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në vitet ’80 dhe fillimvitet ’90 jo vetëm nëpërmes ndikimit në kuadër të institucioneve politike të shtetit norvegjez por, gjithashtu dhe veçanërisht, nëpërmes ndikimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare, përveç të tjerash, Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), Amnesti Internacional (AI), Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s), si një arenë e konferencave ndërkombëtare në mes Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), që më vonë, në vitin 1995, u institucionalizua në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) etj.
Rrjedhimisht, themelimi dhe ngritja e GBKNH-s ishte rezultat i bashkëpunimit në mes të Berit Backerit, Nufri Lekës dhe Kristoffer Gjøtterudit, por edhe i mbështetjes nga LPK-ja si organizatë, nëpërmes Ibrahim Kelmendit (bashkëthemelues i LPK-së, në vitin 1982, së bashku me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën etj.), dhe nëpërmes Xhavit Halitit (bashkëpërgjegjës

për ngritjen e strukturave të rezistencës së armatosur në Kosovë – UÇK-së, nga mesi i viteve ’80, së bashku me Xhavit Hazirin, Ahmet Haxhiun etj.), duke përfshirë mbështetjen nga veterani i emigracionit politik shqiptar, dr. Ihsan Toptani, personalitet dhe veprimtar me prirje unifikuese në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, gjithashtu edhe mbështetjes së tërthortë nga ministri Johan Jørgen Holst dhe bashkëshortja e tij, Marianne Heiberg. Përndryshe, Johan Jørgen Holst ka qenë politolog me përvojë hulumtuese shkencore në Universitetin e Harvardit, dhe ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Jashtëm i Norvegjisë gjatë viteve ’80 dhe fillimviteve ’90. Po ashtu, i mirënjohur ndërkombëtarisht në lidhje me ndikimin e tij për arritjen e “Marrëveshjes së Oslos” në mes të Izraelit dhe Palestinës në vitin 1993. Ndërsa Marianne Heiberg ka qenë studiuese e njohur pranë Institutit Norvegjez për Politikë të Jashtme (NUPI), njëherësh tezja e Jens Stoltenbergut (aktualisht sekretar i NATO-s), mike e ngushtë e Berit Backerit, dhe lobiste për takimin joformal në fillimvitin 1989 në mes të përfaqësuesit të LPK-së, Nufri Lekaj, dhe ministrit Johan Jørgen Holst. Në fakt, ministri Johan Jørgen Holst i ka cilësuar Berit Backerin dhe Nufri Lekën këshilltarë të rëndësishëm në lidhje me situatën e shqiptarëve në Ballkan dhe zhvillimet në ish-Jugosllavi. Me fjalë të tjera, me ministrin Johan Jørgen Holst politika e jashtme norvegjeze fillon të ndryshojë, duke u bindur dhe pasur keqardhje për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë, madje duke treguar deri në një masë kuptueshmëri për domosdoshmërinë e avancimit të statusit politik të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Në këtë vazhdë kjo qasje e politikes së jashtme norvegjeze u sforcua edhe më shumë (sidomos gjatë periudhës së luftës në Kosovë), në krye me udhëheqësin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njëherësh ministër i Jashtëm i Norvegjisë, Knut Vollebæk, dhe kryeministrin Kjell Magne Bondevik, e kështututje edhe me angazhimin e diplomatit Kai Eide etj.
Në vijim faksimile e dokumentit (listës së emrave dhe adresave) të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), i themeluar në vitin 1988, më pastaj i quajtur Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH). Në këtë dokument janë të listuar emrat dhe adresat e kryesisë së Grupit për Kosovën, bashkërisht me disa nga anëtarët e udhëheqjes së bordit dhe kryesisë së Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-s), të cilët bashkërisht e mbështetën veprimtarinë e GBKNH-s për Kosovën:

No description available.

Berit Backer, social-antropologe dhe veprimtare e të drejtave të njeriut.

Kristoffer Gjøtterud, profesor i fizikës në Universitetin e Oslos dhe veprimtar i të drejtave të njeriut.

Nufri R. Lekaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik. Veprimtar i drejtave të njeriut. Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së. Përgjegjës për GBKNH.

Tore Lindholm, filozof dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, njëherësh profesor në Universitetin e Oslos.

Pål Haugland, avokat dhe veprimtar i drejtave të njeriut.

Svein Mønnesland, profesor i gjuhëve sllave në Universitetin e Oslos, njëherësh veprimtar i të drejtave të njeriut.

Aleksander Gleichegewicht, fizikan, disident dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, njëherësh veprimtar i Solidarnostit.

Stein Ivar Aarsæther, gazetar dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, njëherësh kryetar i Bordit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit.

Bjørn Cato Funnemark, gazetar dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Norvegjez të Helsinkit.

Jaroslaw Pawlak, gazetar dhe veprimtar i drejtave të njeriut, njëherësh veprimtar i Solidarnostit.

(Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 16 dhjetor për herë të parë në Kosovë u…