Vërshimet shkaktojnë dëme në disa qytete teksa shtyhet rifillimi i mësimit në gjithë Kosovën
Rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror është shtyrë në gjithë vendit si pasojë e vështrimeve të mëdha që kanë shkaktuar dëme në disa qytete të Kosovës, njoftuan autoritetet.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi të martën rreth mesnatës së mësimi – i paraparë të rifillonte sot – është shtyrë për të hënën e 12 janarit.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit nxitën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe vështirësi në komunikacion.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur”, shkroi Nagavci në Facebook.
Ajo bëri të ditur se orët e humbura të enjten dhe të premten, do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Pasojat e vërshimeve
Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, janë komunat më të prekura nga vërshimet, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME).
Përveç dëmeve në prona, në këto pjesë të vendit pati edhe evakuime të banorëve nga shtëpitë e tyre.
AME tha të martën se situata me vërshime “paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna”.
“Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm”, u tha në njoftim.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi më herët gjatë 6 janarit se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.
IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.
Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.
“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, shkroi ajo në Facebook.
Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje “nëse paraqitet nevoja”.
Përmbytjet në disa rrugë bënë që Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.
Më vonë, autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike u rikthye pas krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrje të KEDS-it.
Përveç telasheve me rrymë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” gjatë ditës tha se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.
“Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.
Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë njoftoi edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar disa foto nga vizitat e tij te lagjet e përmbytura dhe ka thënë se ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara në terren që nga mesnata.
“Reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Më pas ai tha se situata aktualisht është “nën kontroll”.
Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.
“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës dhe Klinës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata më Malishevë është “nën kontroll” dhe se ishin evakuuar banorët nga zonat e rrezikuara.
Në këtë komunë, për shkak të situatës së krijuar, drejtoria e arsimit njoftoi se ka vendosur që gjysmëvjetori i dytë të shtyhet deri më 12 janar.
Komuna e Junikut ka krijuar shtabin emergjent pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe kjo komunë, sikurse Malisheva, ka shtyrë deri më 12 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë.
“I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare”, tha kjo komunë në një njoftim të publikuar në Facebook.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.
Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur, ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. /evropaelire



