Vesel Rexhep Haxha-Galica atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar

02 maj 2020 | 10:00

Shkruan: Bedri TAHIRI

Në vend të parathënies

Lavdia Juaj s’ka nevojë për asgjë, e jona ka nevojë për Ju!
(Molieri)

Njëri ndër moshatarët dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë të kryekomandantit të Lëvizjes Kaçake, Azem Bejtë Galica, ishte edhe Vesel Rexhepi- Galica, i njohur më shumë si Vesel Haxha, gjegjësisht edhe Vesel Hoxha, meqë ishte hoxhë. Ky personalitet i shquar i Galicës, duke qenë edhe hoxhë i shkolluar e mendjehollë prej natyre, pastaj duke qenë edhe pjesëtar i rregullt i Lëvizjes Kaçake dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Epopesë së Arbërisë së Vogël, e cila u thur me gjak lirie, më 15 korrik 1924, ishte treguesi më besnik i atyre ngjarjeve. Këtë “arkiv” të gjallë, më së miri e shfrytëzoi studjuesi i njohur drenicas, dr. Mehmet Rukiqi, kur, në janarin e vitit 1971, për tri ditë rresht ishte në Sfaraçak dhe në mënyrë profesionale e intervistoi këtë dëshmitar. Materialin, ende të pa publikuar, në 26 faqe të daktilografuara e që është tejet i rëndësishëm për historiografinë tonë, ma dha për konsultim gjatë përgatitjes së këtij libri, andaj e falënderoj nga zemra dhe i jam shumë mirënjohës.
Në të vërtetë, djali i Vesel Galicës, Rexhepi, qe nismëtar i kësaj pune. Ai, duke e mbajtur mend mirë atë intervistë, bashkë me të birin, prof. dr. Shyqyri Haxhën, që atëbotë ligjëronte në Universitetin e Kentit, në Britani të Madhe, ndërkaq aktualisht është Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, u interesuan që ky material ta shohë dritën. Dhe, një ditë, të gjithë tok, vajtëm në Prishtinë, takuam profesor Mehmetin, e morëm materialin dhe i hyra kësaj pune. Të kuptohemi qartë, materialin e dr. Mehmet Rukiqit, nuk po e publikojë, atë e bën ai vetë, ashtu origjinal, por atë e shfrytëzova, bashkë me të dhëna të tjera gojore e të shkruara, për ta portretizuar këtë burrë të mençur e luftëtar. Nëse ia kam dalë të bëj diçka do të ndjehem i lumtur…

GALICA NË FAQET E HISTORISË

Kësaj bote i dilet veç me majën e shpatës dhe duhet të vdesim me armë më dorë.
(Volteri)

Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Ato, nëpër vite e shekuj, u përballuan rrebesheve dhe stuhive shkatërrimtare e robëruese, për çka bënë emër dhe zunë vend nderi në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.
Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike. Është vendbanim i tipit të dendur, rreth 13 km në perëndim të Vushtrrisë së lashtë, të cilës, bashkë me Dubocin dhe Besnikun, ia bashkëngjitën pushtetarët e kohës së pasluftës së Dytë Botërore, mu për shkak të minierës së magnezitit. Deri në vitet ’50-ta Galica i takonte komunës së Prekazit, pra i takonte Skënderajt. Megjithatë, edhe sot, ajo, defakto, mbetet pjesë e Drenicës, sepse siç ka thënë Dr. Islam Dobra “Pa Galicë, nuk ka Drenicë”!
Galica është një vendbanim shumë i lashtë. Këtë e dëshmojnë edhe disa toponime si: Livadhi i Kolë Bibës, Vorret e katolikëve, Katuni i moçëm, Arat e Katunit të moçëm, Lugu i Katunit të moçëm etj.
Me patronimin e toponimit të parë, pra me emrin Kolë, lidhet edhe vetë emri i Galicës. Kështu në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk, të vitit 1445, si Kalica dhe Kaliça. Si vendbanim është regjistruar në Muhasebe-i Vilayet-i Rum-ili Defteri 1530 (937 h), në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë, me emrin Galiçe. Në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrrisë, të vitit 1566-74 me emrin Galiça. Në shtesën e relacionit së arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725, shkruan se në qytetin e Pejës misionar është don Ndre Braçani, misionit të së cilit i takon Galizza me 8 shtëpi e 50 anëtarë besimtarë të krishterë. Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h) është regjistruar me emrin GALICË .
Se galicasit e hershëm, si të gjithë shqiptarët, i përkisnin krishtenizmit, dëshmojnë gjurmët e varrezave të vjetra, të cilat ruhen ende mu në varrezat e sotme, me emri Vorret e moçme, Vorret e vaktit t’moçëm, Vorret e katolikëve, Vorret e kaurrit. Paskëtaj, edhe në vendin e quajtur Gllavica, një kodër e spikatur përbri varrezave, ka gjurmë themelesh të një kishe.
Galica kap një sipërfaqe prej 443 h, 41 ari e 62 metra katrorë. Ajo kufizohet me Mikushnicën, Prekazin, Lubovecin, Ashlanin, Taraxhën dhe Dubocin. Ka pozitë të mirë gjeografike dhe strategjike, gjendet në një fushëgropë të rrethuar nga të gjitha anët me male e kodra gjysmë të zhveshura shkëmbore.
Të gjithë banorët e Galicës i përkasin një barku dhe një fisi, fisit KUÇ. “Kuçi bashkë me Hotin dhe Kelmendin, sipas të gjitha burimeve të shkruara ekzistuese, janë paraqitur qysh gjatë shekujve XIV- XV dmth janë ndër fiset më të vjetra shqiptare“.
Të këtij fisi janë edhe Prekazi, Tërnavci, Abria, Murga, Lutogllava e Pejës, një pjesë e Tërdecit dhe një pjesë e Mikushnicës, andaj edhe sot e kësaj dite pjesëtarët e këtyre vendbanimeve i ruajnë këto lidhje dhe nuk lidhin krushqi e martesa.
Galica është e ndarë në këto lagje e barqe:
1. Fetahaj- lagje e madhe që tashmë është ndarë në këto vëllazëri:
a) Haxha- dy shtëpi në Galicë, dy në Mitrovicë, një në Vushtrri dhe shtatë në Sfarqak
b) Haziri- tri shtëpi në Galicë e tri në Vushtrri,
c) Salihu- një shtëpi në Galicë e gjashtë në Vushtrri.

2. Halitaj- lagje e madhe që tashmë është ndarë në disa vëllazëri:
a) Syla-Haliti tetë shtëpi, katër në Galicë, dy në Shipol e dy në Vushtrri.
b) Tahiri- tetë shtëpi, dy në Galicë e gjashtë në Vushtrri,
c) Shabani- dhjetë shtëpi, tri në Galicë, pesë në Shipol, dy në Vushtrri dhe
d) Kamberi- dy shtëpi në Galicë e dy në Vushtrri.
Të kësaj lagjeje janë edhe gjashtë shtëpi në Rashincë të Shtimjes dhe një në Prishtinë, të cilat mbajnë mbiemrin Lami gjegjësisht Galica.

3. Bahtiraj- familja e Azem Galicës, disa kanë dalë bashkë me Shotën në Shqipëri (Bahtiri me disa të tjerë), kurse këta që kanë mbetur këtu quhen Sahiti (dy shtëpi në Galicë e gjashtë në Vushtrri).

4. Veliaj- patronim i hershëm, që sot është shndërruar në Halili; tetë shtëpi në Galicë e katër në Vushtrri, tri në Mitrovicë. Të kësaj lagjeje janë edhe disa shtëpi në Vushtrri, të cilat kanë migruar herët, fill pas betejës së fundit të Azem Galicës (1924) dhe mbajnë mbiemrin Galica.

5. Lahaj- lagje e madhe që sot është ndarë në:
a) Lahu- katër familje në Galicë e tetë në Vushtrri,
b) Hamiti- dy shtëpi në Galicë, gjashtë në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri,
c) Shabani- katër shtëpi në Galicë, gjashtë në Mitrovicë dhe tri në Vushtrri,
d) Hyseni- pesë shtëpi në Mitrovicë e katër në Prishtinë.

6. Zekaj- lagje e madhe që sot është ndarë në:
a) Zena- katër shtëpi në Galicë e dy në Mitrovicë,
b) Zeqiri- dy shtëpi në Galicë e dy në Mitrovicë,
c) Ademi- tri shtëpi në Galicë e dy në Vushtrri,
d) Azemi- katër familje që kanë dalë në Mikushnicë,
e) Fazliu – disa familje që poashtu një kohë kanë jetuar në Mikushnicë, por sot jetojnë në Mitrovicë e në Vushtrri,
f) Sejdiu e Sadriu- familje që deri vonë jetuan në Mikushnicë e sot janë në Skënderaj, në Mitrovicë dhe në Vushtrri.

7. Mehmetaj- lagje që ende e mban atë mbiemër: një shtëpi në Galicë, gjashtë në Vushtrri dhe dy në Mitrovicë .

Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit,- thoshte mulla Brahimi i Polacit. Në fakt, siç dëshmon Mehmet Rukiqi, këtë mendim e kishte thënë Osman Kryshevci në vitin 1954. Dhe, kishte të drejtë. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja. Pra, nga Galica, që atëbotë nuk kishte më tepër së njëzet shtëpi, shkuan për të luftuar për të tjerët njëmbëdhjetë veta, prej të cilëve arritën të kthehen vetëm dy (Tahir Shabani e Hajdar Salihu), kurse diku në Karpate mbetën:

1. Fazli Zena,
2. Islam Fetahu,
3. Ramë Sajdia,
4. Qerim Haziri,
5. Mursel Rexha,
6. Dush Rexhepi,
7. Ramadan Lahu,
8. Bellë Ferizi dhe
9. Mujë Aliu.

Kurse, që nga viti 1912 e deri më 1924, gjegjësisht 1926, Azem Galica me Nusen e Maleve- Shotë Galicën udhëhoqën çetat çlirimtare në luftërat dhe betejat kundër pushtuesve të ndryshëm: kundër serbëve, kundër austrohungarezëve, kundër bullgarëve dhe sërish kundër serbëve.
Më 15 korrik 1924, me qëllim të shtypjes së rezistencës disavjeçare, ushtria serbe filloi sulmin kundër Arbërisë së Vogël, e cila, që nga fundi i vitit 1923, përfshinte vetëm fshatrat: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Beteja qe e përgjakshme. Ushtria dhe xhandarmëria serbe pësuan humbje të mëdha. Nga luftëtarët e lirisë u vranë pak, por, në shenjë hakmarrjeje u dogjën të tri fshatrat dhe u masakruan mbi 80 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Vetëm në Galicë u vranë 34 veta. Edhe kryetrimi mori plagë vdektare dhe, më 25 korrik 1924, vajti në përjetësi. Bashkëluftëtarët dhe Shota besnike ia plotësuan dëshirën e tij të fundit, e lëshuan në shpellën e thellë 74 metra në malet e Përçevës të njohur si Çuku që kërcet. Aty qëndroi deri më 1971, kur atdhetari sypatrembur, mësuesi Abdyl Krasniqi nga Drenoci i Vlashit, e nxori dhe e solli në Galicën e tij të dashur. Shota me Plakun e Çetës, Bekë Hysenin e Galicës dhe me ca jetimë kaluan në Shqipëri, për të vazhduar edhe më rezistencën e armatosur, derisa vdiq në mjerim, në Fushë-Krujë, më 4 korrik 1926.
Galicasit edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë ndihmesë për çlirimin e vendit. Ata luftuan në Jeni Pazar, në Kolashin, në Artakoll dhe paskëtaj kudo me Brigadën e Shaban Palluzhës. Ata përjetuan edhe masakrën e Tivarit dhe marshimin për në Vërshac e Banat. Edhe pas mbarimit të luftës, shumë trima ngelen maleve, duke vazhduar edhe më tutje të mos pajtoheshin me pushtetin e ri, të veshur me lëkurë qengji e që vepronte të shqyente me dhëmbë ujku.
Vlen të theksohet se as Reforma agrare nuk pati sukses në Galicë. Kështu, gjatë gjithë historisë së kësaj mortaje të zezë, në Galicë u vendosën vetëm gjashtë kolonistë: katër nga Mali i Zi (Vuçetiq Spasoje, Raduleviq Ilija, Baniqeviq Bajo, Jabllanoviq Milujko), një nga Hercegovina (Lekiq Jovani) dhe Kitanoviq Stanko nga Serbia.
As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndrun durkryq. Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe formuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro- shqiptar, të Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas i UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.
Gjatë kësaj lufte, Galica pësoi shumë. Më 17 mars 1999 e tëra u rrafshua me tokë. Ishte kjo djegia e shtatë e saj gjatë historisë njëqindvjeçare. Mu për këtë edhe nuk arriti të shtohet shumë popullata e saj dhe thuajse kurrë burrat e saj nuk arritën të mplaken e të vdesin me kokë në jastëk. Popullata u dëbua dhe u degdis gjithandej trojeve shqiptare e në mërgatë, mbetën vetëm burrat dhe luftëtarët e lirisë, të cilët për asnjë çast nuk u larguan nga shkrepat e Arbërisë. Përveç tjerash, Galica pati 6 të plagosur (Fidaim Ademi, Halim Ademi, Brahim Haziri, Sami Zena, Mexhit Zena, Nexhmedin Tahiri…) e 4 të burgosur (Sejdi Lahu, Ismet Lahu, Mujë Shabani e Fazli Ademi, i cili nga torturat vdiq fill pas daljes daljes në liri) dhe lirisë ia fali edhe 18 veta (14 meshkuj e 4 femra):
1. Adem Ademi,
2. Bahri Haxha,
3. Shashivar Ademi,
4. Fatmir Ademi,
5. Gani Ademi,
6. Burim Ademi,
7. Bajram Sahiti,
8. Agim Ademi,
9. Hetem Halili,
10. Bujar Halili,
11. Bekim Halili,
12. Nazmi Halili,
13. Nexhat Halili,
14. Hajredin Lahu,
15. Hasime Shabani,
16. Mehreme Zena,
17. Zyhrie Zena dhe
18. Shehide Kamberi.

Megjithatë, Galica është ringjallur nga hiri i vet, si Feniksi dhe, përkundër vështirësive të shumta, sot gjallon në trojet e veta stërgjyshore.

NJË FËMIJËRI E ZAKONSHME

Dekën kush s’e dron, lirinë e fiton.
(Popullore)

Galica e viteve të fundit të shekullit XIX kishte fare pak shtëpi. Në afërsi të Kodrës së Vorreve tymonte edhe oxhaku i Rexhep Haxhës. Ky burrë i fjalës dhe i besës ishte martuar me Qamilen nga Kutllofci dhe kishin tre fëmijë; dy djem: Veselin e Bajramin dhe një vajzë: Mihanen. Mixha Rexhep, siç e thërrisnin zakonisht galicasit, ishte edhe mentar i madh. Fjala e tij petake peshonte në çdo kuvend burrash. Edhe sot e kësaj dite përmenden fjalët e tij, kur i qetësonte burrat e Galicës dhe të Selacit që, herë-herë, ngatërroheshin dhe nxeheshin rreth trimërisë së Azem Galicës. “O burra, hiç mos u lodhni, Azemi ka ga në të dy anët, sepse në të dy anët është mirë, galicasit trima, dajat trima”.
Ky plak i mirë e i urtë nderohej dhe respektohej nga të gjithë. Edhe vetë vepronte njësoj, të gjithë i nderonte dhe i donte. Me të gjithë shkonte mirë, ama Bejtë Galicëne kishte për zemër. Jo pse e kishte edhe baxhanak, por me të disi i shkonte më mirë muhabeti, siç i thonë një fjale dhe, paskëtaj, edhe djemtë e tyre, Azemi e Veseli, ishin të pandarë dhe kalonin mirë mes veti.
Djali i madh, Veseli, i kishte ngjarë kryekëput të atit. Kështu thoshin të gjithë ata që i njihnin mirë. I urtë, i sjellshëm, i shoqërueshëm, bujar, trim e mbi të gjitha i mençur. Ai lindi në vjeshtën e vonë të vitit 1894. E ëma, Qamilja, një malësore e motit, gjithë ditën kishte korrur misër te Lugu i Behramit dhe në mbrëmje, një zë çilimiu kishte trazuar Kërshin e Zallinave dhe Kodrën e Lepurit. Lehona me ferishtën mbështjell në zavjaçin e kuq, kishte zbritur tatëpjetës e pak më vonë, tri krisma pushke lajmëronin një gëzim, lajmëronin lindjen e një arme të re çlirimtare.
Djaloshi me emrin Vesel rritej e rritej si molla në degë, sa plakat kurrizdala e flokëthinjura uronin që të shpëtonte nga syri i keq!. Fëmijëria e tij nuk ndryshonte nga ajo e moshatarëve të tjerë galicas. Shtati i tij i njomë kalitej nëpër shkrepat e thepisur e të larë me gjak lirie. Kuvendimet nëpër oda burrash i bënin përshtypje të jashtëzakonshme. Ato shoqëroheshin edhe me këngë trimërie dhe të riut kureshtar i ngjallnin ndjenja të veçanta atdhetarie.
Të gjitha këto reflektoheshin edhe në jetën idilike të barinjve. Ky, zakonisht, shoqërohej me Azemin e Bejtës. Në të vërtetë, pas tij shkonin të gjithë çobanët, se, siç tregon më vonë Veseli, Azemi, që nga fëmijëria jepte shenja se do të bëhej trim e atdhetar i pashoq. Azemi ishte një fëmijë i veçantë. I zhdërvjelltë e mendjehollë. Me të shoqëroheshin përditë. Edhe pse nuk ishte aq i zhvilluar prej shtati, ishte imëtak, dallohej ndër moshatarët me forcën trupore e fizike. Në të gjitha lojërat: në pidpidak, në gurapesh, në mundje e në gjuajtje shenjë ishte i pari. Ai, para se gjithash, dallohej për drejtësi dhe për trimëri. Nëse ndonjë çoban e sulmonte tjetrin, vetëm pse ishte më i lig, Azemi ndërmjetësonte dhe gjithmonë i ndihmonte të drejtit. Çdo ditë na shpjegonte për padrejtësitë që na vinin nga të huajt. Na trimëronte dhe na udhëzonte për rezistencë të vazhdueshme që duhej bërë kundër armiqve të trojeve tona stërgjyshore. Armiku duhet luftuar me çdo kusht dhe në të gjitha mënyrat. E mbaj mend kur na thoshte se populli shqiptar është më i vjetri në këto anë dhe kurrë nuk ka mundur me i durue zullumet e padrejtësitë e të huajve…
Në të vërtetë, Veseli, ky djalosh mendjezgjuar, pati një privilegjë nga moshatarët e tij. Ai edhe u shkollua. Në Mitrovicë, në gjuhën arabe, e kreu shkollën e mesme fetare dhe u bë hoxhë. U bë hoxhë atdhetar dhe tërë dijën e vuri në shërbim të atdheut…
Fatbardhësisht, edhe në jetën private i eci mirë e mbarë. Në verën e vitit 1918 martohet me Hamide Bunjakun e Krasmirofcit. Këtyre dy bashkëshortëve u lindën këta fëmijë: gjashtë vajza; Azizja, Hafizja, Ajshja, Besa, Abidja, Shefkija dhe dy djem: Haxhiu e Ganiu.
Më 1927 u martua për së dyti me Halime Ramadanin nga Resniku, me të cilën pati edhe dy djem: Tahirin dhe Rexhepin.

Me armë në dorë në luftërat për liri

Shqiponja fluturon në qiell, po folenë e bën në tokë.
(Popullore)

Vendlindja e Vesel Haxhës me kohë ishte bërë vatër e rezistencës kundër pushtuesve të ndryshëm. Galica qe shndërruar në një kështjellë të pamposhtur dhe u bënte karshillëk perandorive që shkelnin shtete e popuj. Tashmë, Azem Galica me Nusen e Maleve- Shote Galicën, kishin formuar Çetën e tyre kreshnike, e cila shpejt arrin të bëhet Nëna e Çetave dhe kryesonte gjithë Lëvizjen Çlirimtare në Kosovë, e që në gjiun e vet kishte grumbulluar rreth dhjetë mijë luftëtarë.
Edhe Veseli, që nga fillimi i vitit 1818, kishte rrokur armët dhe ishte radhitur në çetat çlirimtare…
Më 4 korrik 1918 kalojnë në Siçevë, por shpejt hetohen nga xhandarmëria e Rahovecit dhe natën rrethohen. Aty vritën nëntë xhandarë e nga tanët plagoset Mursel Ahmeti i Prekazit. Në mëngjes armiqve u erdhi në ndihmë edhe ushtria më dy topa fushor. Për fat, edhe këtyre u shkojnë në ndihmë dhe u vijnë kuajt e ngarkuar me bukë nga Krajkova. Në mbrëmjen e dytë kalojnë në Abri të Epërm. Konakun e bëjnë në kullat e Xhemail Abrisë. Aty u erdhi një lajm i rrem se kinse ushtria serbe është tërhequr nga Deviçi. Kur u nisen andej, me ta shkojë edhe djali i vetëm i Hamzë Zhabotës, Syla, dhe kur ranë në pritë, predha e parë e topit e qëlloi atë dhe e la të vdekur. Paskëtaj betejat do të bëhen përditshmëri e tyre…

“Unë e kisha vadën e martesës,- shkruan në kujtimet e lëna Vesel Galica,- dhe mendoja se si të kthehem në shtëpi. Ato ditë, në Belicë, ishin vrarë dy shqiptarë pabesisht dhe Azemi përgatitej tua merrte hakun. Duhej të shkoja në odën e Hajdin Rracit dhe ta pyesja Azemin, por më vinte keq. Ilaz Galica foli për mua:
– Veseli duhet me shkue në shtëpi se iu ka afrua dita e martesës!
Azemi na shikoi dhe tha:
– Ti Ilaz mos shko a Veseli le të shkojë me Mursel Ahmetin dhe me disa shokë që duhet kaluar në ato anë.
Murseli nuk pranoi të vinte me ne, se po bëheshim shumë. U ktheva me Brahim Galicën, Halil Galicën, Mehmet Vushtrrinë, Xhemë Sllatinën, Fazli Demën e Prekazit dhe Hut Bojkun e Dërvarit. Pas dy-tri ditësh e kishin rrethuar Belicën dhe i kishin vrarë nëntë xhandarë zullumçarë…”
Betejën e parë të mirëfilltë e përjetoi në Radishevë, Ditën e Shëngjergjit, më 6 maj 1919. Me të vërtetë ajo qe Kryengritja e Përgjithsme, ku morën pjesë rreth dhjetë mijë luftëtarë dhe përfshiu mbarë Drenicën e Llapushën. Këtë më së miri, me pak vargje, e pasqyron këngëtari popullor, kur thotë:
N’Radishevë lufta ka fillue,
N’Radishevë lufta ka nis,
N’Rahovec e paskan bitis…

Siç dihet, herë-herë, luftëtarët e lirisë kalonin edhe matanë kufirit të mallkuar ndarës. Ata zakonisht vendoseshin nëpër Malësi dhe në Shkodër. Atyre ditëve, të vitit 1920, edhe Azem Galica me Shotën dhe me një grup trimash kishin dalë andej. Azem Galica ishte edhe anëtar i Komitetit Mbrojtja e Kosovës dhe ishte caktuar Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Çlirimtare. Atje takohej me krerët e Komitetit, me Hoxhë Kadriun, me Hasan Prishtinën*, me Bajram Currin etj.

Vesel Haxha- Galica, edhe pas martesës nuk i lëshoi armët nga dora. Një betejë të ashpër e zhvilluan në Taraxhë, në nëntor të vitit 1920, ku mbeti i vrarë udhëheqësi i njohur, Azem Gjakja. Armiku pësoi humbje të mëdha. Për herë të parë, mbi malin Qyqavicë, u përdor edhe aeroplani luftarak nga eskadrila 32 e Shkupit, të cilin e drejtoi togeri Burmazoviqi. Në shenjë hakmarrjeje barabaria serbe shfreu mbi fshatrat përreth. Ajo Yrrëfie, siç e quajti populli, përlau Kollën, Shallcin, Dërvarin, Mihaliqin, Beçukun, Strofcin, Bivolakun, Zhilivodën, Shipitullën etj. I arrestojnë mbi 70 veta. Hoxhë Mjekiqi e luti komandantin t’ia liroi dy miq. Po, i tha ai, nëse i hanë dy okë sanë. I ha nëse ma jep besën që i liron. Hoxha e merr sanën e djeg dhe hirin e përzien me sheqer dhe e kapërdin. Oficeri e mbajti fjalën dhe ia liron miqtë. Të tjerët, shtatëdhjetë e tetë veta, i dërgojnë ndërmjet Krasmirofcit dhe Gradicës, në vendin e quajtur Llazi Jazbinave dhe të gjithë i pushkatojnë. Vetëm nga Zhilivoda ishin 14 veta, në mesin e tyre edhe Zylfija, që deri atë ditë të gjithë e kishin ditur për mashkull, me emrin Sylë.
Në këto operacione, pos xhandarmërisë dhe ushtrisë së rregullt, u përfshinë edhe vullnetarët e mobilizuar nën udhëheqjen e çetnikëve dhe gjakpirësve të pashpirt siç ishin: Kostë Peçanci, Miliq Kërstiqi, Spiro Dellovci, Arsen Qyrku, Gal Tërziqi, etj., të cilët bënin kërdi në popullsinë e pafajshme e të pambrojtur. Këto çeta kriminelësh ishin më të rrezikshmet. Një deputet serb në parlament i kishte definuar kështu: “Nuk është oficer, nuk është kapter, nuk është organ policor e është i armatosur deri në dhëmbë, ka 100 njerëz të vet, rrahë, plaçkit, pren e nuk i përgjigjet askujt, nuk e merr askush në përgjegjësi, e çfarë titulli t’i japim?.
Mirëpo, edhe atyre nuk u shkoi gjithmonë kungulli mbi ujë. Kështu vojvodë Miliç Kërstiqin e hoqi qafesh, një ditë qershori të vitit 1938, në vendin e quajtur Llugë, në breg të lumit Istog, rapsodi i njohur, Selman Kadria i Cercës së Istogut (1906- 1938). “Selman Kadria, së bashku me dy shokët e tij, Brahim Ukë Kabashin nga Gurrakoci dhe Ali Kabashin nga Tomoci, që të tre rapsoadë odash e njëkohësisht shokë, lidhin besën për t’i vrarë tre gjakpirësit më të njohur të rrethit të Istogut. Selman Kadria merr përsipër për të vrarë Vojvodë Miliç Kërstiqin, Brahim Kabashi, Ars Peroviqin, ndërsa Ali Kabashi merr përsipër për të vrarë Maliq Malishiqin”.

(Vijon nesër/ Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas lajmit të…