
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi
Në 50-vjetorin e aktit final të Helsinkit (gusht 1975-gusht 2025) : (pjesa e parë)
Rezyme e procesit të Helsinkit
Fatmir Lekaj
Pikënisje për Procesin e Helsinkit ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE), në kuptimin e një arene të konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Aktin Final të Helsinkit të datës 1 gusht 1975. Në fakt, si ide u iniciua në vitin 1954 nga Bashkimi Sovjetik, përkatësisht nga ministri i Jashtëm Vjatsjeslav Molotov, i cili lansoi propozimin për një konferencë të sigurisë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, ku parashihej që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatores. Ky propozim u refuzua nga Perëndimi, madje shtetet e fuqishme perëndimore e cilësuan këtë propozim si një tentim të Bashkimit Sovjetik për ta parandaluar/penguar riarmatimin në Gjermaninë Perëndimore dhe t’i dobësojë marrëdhëniet në mes të Evropës dhe ShBA-së. [1] Po ashtu, Leonid Bresjnev, gjatë Kongresit të partisë në vitin 1966, u bëri thirrje shteteve evropiane për t’i trajtuar dhe zgjedhur bashkërisht çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. [2] Kështututje, kjo çështje u trajtua më shumë edhe nëpërmes Deklaratës së Bukureshtit të vitit 1966, Apelit të Budapestit të vitit 1969 etj., ku u përfshinë temat konkrete se me çfarë do të mund të merrej një konferencë e tillë. [3] Në këtë vazhdë shtetet perëndimore evropiane ishin më të hapura për një konferencë të mundshme të sigurisë. Ndërsa presidenti amerikan Richard Nixon dhe ministri i Jashtëm Henry Kissinger ishin skeptikë ndaj iniciativës së Bashkimit Sovjetik, sepse konsideronin se pozicioni udhëheqës i ShBA-së në NATO dhe në bisedimet bilaterale me Bashkimin Sovjetik mund të dobësohej po qe se ShBA-ja bëhej pjesë e një dialogu multilateral për çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. [4]
Pas shumë peripecive dhe iniciativave, u miratua Akti Final i Helsinkit gjatë Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE) në Helsinki të Finlandës më 1 gusht 1975. Kjo u bë e mundshme, përveç të tjerash, pasi që u arrit që ShBA-ja dhe Kanadaja ta kenë statusin e pjesëtarit të barabartë me shtetet evropiane në kuadër të KSBE-së. Në fakt, kjo nënkupton bumerangun e parë ndaj Bashkimit Sovjetik nga Shtetet Perëndimore ngaqë plani paraprak i Bashkimit Sovjetik ishte që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatores. Megjithëkëtë, Bashkimi Sovjetik, duke e pasur si agjendë pengimin e bashkimit të gjermanëve, insistoi që edhe nëpërmes Procesit të Helsinkit të sigurohen kufijtë shtetërorë të pas Luftës së Dytë Botërore, njëherësh e arriti pajtueshmërinë e të tjerëve që edhe Gjermania Lindore ta ketë statusin e pjesëtares së barabartë në kuadër të KSBE-së.
Akti Final i Helsinkit i njohur edhe si Deklarata e Helsinkit (1975) që, përveç Shqipërisë, u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, ShBA-ja dhe Kanadaja, nuk ishte juridikisht e detyrueshme, por duke e marrë parasysh se pas shumë peripecive ishte një rezultat i suksesshëm i një konsensusi, kryesisht mes dy superfuqive të kohës (ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik), konsiderohej politikisht dhe moralisht e detyrueshme. Për këtë arsye, KSBE-ja u bë forumi i parë rajonal në të cilin vendet pjesëmarrëse, përfshirë Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara, mund të diskutonin statusin e të drejtave të njeriut dhe të merrnin kritika për shkeljet e tyre. Kjo solli një risi në kontekstin evropian, ngaqë për herë të parë, të drejtat e njeriut u përfshinë si një parim i veçantë në marrëdhëniet ndër-shtetërore dhe, kësisoj, vendet anëtare të KSBE-së ranë dakord që situata e të drejtave të njeriut në vendet e tyre mund të trajtohej në nivele të ndryshme politike. [5] Njëherësh, vlen të theksohet se KSBE-ja ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e mëtejshëm të NATO-s dhe Bashkësisë politike Evropiane, ngaqë vendet anëtare të NATO-s, që ishin gjithashtu pjesë e KSBE-së, vepruan si një grup që nga fillimi, duke konsoliduar qëndrimet e tyre përpara dhe gjatë konferencave të KSBE-së. Në fakt, me nismën e Gjermanisë Perëndimore gjatë takimeve të KSBE-së në Madrid (1980–1983), u krijua i ashtuquajturi «Dinner Club», me përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania Perëndimore, Franca, Norvegjia dhe Holanda, të cilët takoheshin rregullisht për të trajtuar çështje të ndryshme që rezultonin nga diskutimet dhe negociatat në kuadër të KSBE-së. [6] Më vonë, me nismën e Norvegjisë, këtij klubi iu bashkua edhe Kanadaja. [7] Për më tepër, shtetet anëtare të Bashkësisë politike Evropiane zhvilluan profilin e tyre politik duke shfaqur aftësinë për të koordinuar qëndrimet e tyre për çështjet ndërkombëtare nëpërmjet KSBE-së, dhe kjo kontribuoi në synimin e Bashkësisë politike Evropiane për t’u forcuar politikisht gjithnjë e më shumë. [8]
Vlen të theksohet se KSBE u shpërfaq strukturalisht ndryshe (më pak e burokratizuar) krahasuar me Këshillin e Evropës (KE) dhe Kombet e Bashkuara (KB). Një ndër arsyet kryesore për këtë ishte se KSBE u zhvillua si një proces i vazhdueshëm dhe arenë e dialogut ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit përmes takimeve vijuese të shteteve pjesëmarrëse dhe takimeve të ekspertëve, i njohur si Procesi i Helsinkit. Në periudhën deri në vitin 1989 mbledhjet e KSBE-së (me takimet pasuese) u mbajtën në Beograd (1976-’77), Madrid (1980-’83) dhe në Vjenë (1986-’89). Në vazhdimësi, në kuadër të Procesit të Helsinkit, kritika kryesore e shteteve perëndimore ndaj shteteve të lindjes ishte në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut. [9] Dhe, edhe pse autoritetet sovjetike vazhduan ta shtypnin popullsinë dhe situata mund të dukej e pashpresë për veprimtarët e drejtave të njeriut, megjithëkëtë roli i OJQ-ve (Grupeve të Helsinkit) u bë gradualisht qendror në zhvillimin e Procesit të Helsinkit. [10]
Në fakt, kur filloi Konferenca e Vjenës në vitin 1986, Andrei Sakharov ishte ende në “ekzilin e brendshëm” dhe shumica e aktivistëve të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik ose u internuan ose u persekutuan nëpërmes metodave të tjera shtetërore. [11] Anatoly Marchenko, disident dhe një nga themeluesit e Grupit të Helsinkit të Moskës, arriti fshehurazi t’u dërgojë një apel delegacioneve të KSBE-së në takimin e Vjenës, në të cilin apel ai kërkoi mbështetje për t’u përmirësuar kushtet e dënimit në Bashkimin Sovjetik. Ndër të tjera, nëpërmes apelit, ai kërkonte ushqim më shpesh se çdo të dytën ditë. Marchenko vdiq në burg më 6 dhjetor 1986, pas 20 vjetësh burgim. Vdekja u shënua me një minutë heshtje e iniciuar nga kreu i delegacionit amerikan të KSBE-së, Warren Zimmermann, që rezultoi me largimin e delegacionit sovjetik të KSBE-së nga takimi, së bashku me delegacionin nga Bullgaria, nga Gjermania Lindore dhe nga Çekosllovakia. Ndërsa delegacioni nga Hungaria nuk veproi njëjtë në këtë takim, gjë që simbolizon edhe krisjen e parë të kohezionit të Traktatit të Varshavës. [12] Të njëjtin vit (1986), me presionin e Perëndimit, u lirua Andrei Sakharov dhe, në këtë vazhdë, gjatë procesit të mbledhjeve të rregullta të KSBE-së, në Vjenë, në vitet 1986-’89, u vendosën edhe parimet e KSBE-së për pjesëmarrje më aktive në proces të organizatave joqeveritare (Komiteteve të Helsinkit).
Me fjalë të tjera, në mesin e 10 parimeve të Deklaratës së Helsinkit, ishte i përfshirë edhe parimi për të drejtat e njeriut, dhe gjatë gjithë Procesit të Helsinkit (nga viti 1975) ndikoi për inkurajimin dhe angazhimin e veprimtarisë vullnetare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në veçanti nëpërmes etablimit të Grupeve të Helsinkit të mirënjohur më pastaj ndërkombëtarisht si Komitetet e Helsinkit, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi Civil i Helsinkit, i cilësuar edhe si Lëvizja e Helsinkit. Në këtë mënyrë, në kuadër të Procesit të Helsinkit, rezultoi një bumerang i dytë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare, ngaqë grupi i parë i Helsinkit, i njohur edhe si Moscow Helsinki Watch Group, u themelua në Moskë, në banesën e Andrej Sakharovit në vitin 1976 (në krye me Yuri Orlov etj.), me qëllim që ta monitorojë respektimin dhe implementimin e parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kjo ndikoi që të njëjtin vit të themelohen dy Grupe të Helsinkit në Lituani dhe Ukrainë. Gjithashtu, të njëjtin vit në Poloni u formua Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) dhe në vitin 1977 Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO). Ky komitet dhe kjo lëvizje në Poloni gradualisht rezultuan në aleancën në mes të punëtorëve, intelektualëve dhe kishës dhe themeluan Solidarnostin në vitin 1980 dhe Komitetin Polak të Helsinkit në vitin 1982. Gjithashtu, në vitin 1977 u themelua Charta 77 në Çekosllovaki, në krye me Vaclav Havelin etj., të cilët kishin krijuar kontakte me strukturat e KSBE-së. Në Rumani dhe Bullgari pati ca zëra kundërshtues kundër regjimeve që u dëgjuan në vitet e para të fillesës së Procesit të Helsinkit, por lëvizjet kundërshtuese kundër regjimeve dolën në sipërfaqe vetëm në fundvitet 1980 – dhjetë.
Autoritetet shtetërore sovjetike, çekosllovake dhe polake iu përgjigjën me represion aktivistëve për të drejtat e njeriut. Në veçanti autoritetet shtetërore sovjetike iu përgjigjën me represion të ashpër pjesëtarëve të Grupit të Helsinkit në Moskë, me arrestime, burgosje dhe internime të brendshme. Kjo shkaktoi indinjatë të thellë te shtetet anëtare të KSBE-së dhe rezultoi edhe me themelimin e Grupeve të Helsinkit në shtetet perëndimore, që si qëllim parësor kishin mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet lindore. Me këtë qëllim, në vitin 1978, u formalizua themelimi i Grupit të Helsinkit në ShBA, i njohur si Helsinki Watch Amerikan, (e nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch) dhe, për shkak të reputacionit si informator i mirë në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut, e ka pasur në vazhdimësi një ndikim të rëndësishëm këshillues në politikën e jashtme amerikane (delegacionet amerikane të KSBE-së) në kuadër të Procesit të Helsinkit. Gjithashtu, në kontekstin evropian, Grupi i Helsinkit në Norvegji, i njohur si Komiteti Norvegjez i Helsinkit, u themelua shumë herët, përkatësisht në vitin 1977. Në këtë vazhdë, bazuar në një apel të Andrei Sakharov, Komitetet e Helsinkit në Shtetet Perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë veprimtaria ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Gjithashtu, politika reformiste e Mikhail Gorbatsjovit ka qenë vendimtare që sistemet totalitare dhe autoritare të fillojnë të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Rrjedhimisht Procesi i Helsinkit u zhvillua në dy nivele, përkatësisht si Proces Ndërshtetëror i Helsinkit (nëpërmes delegacioneve ndërshtetërore në kuadrin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-së etj.), dhe si Proces Civil Ndërkombëtar i Helsinkit (nëpërmes Komiteteve Kombëtare të Helsinkit në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-së etj.).
Vonesa e themelimit të Grupit të Helsinkit (Komitetit të Helsinkit) në Finlandë (1985) është e kuptueshme, e lidhur me linjën përgjithësisht të kujdesshme të politikës së jashtme finlandeze ndaj Bashkimit Sovjetik. Por, çuditërisht, edhe në Suedi dhe Danimarkë, Grupet e Helsinkit (Komitetet e Helsinkit) u themeluan më vonë, përkatësisht në vitin 1982 dhe 1985. Ndërsa themelimi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit që në vitin 1977, mund të shpjegohet vetëm përmes gatishmërisë së madhe të Norvegjisë për t’u angazhuar në shërbim të paqes botërore dhe respektimit të të drejtave të njeriut, në përputhje me traditën humanitare të humanistit, diplomatit dhe shkencëtarit të njohur norvegjez, Fridtjof Nansen.
Njëkohësisht, kjo ka të bëjë edhe me kontekstin politik të shteteve nordike pas Luftës së Dytë Botërore. Ngase Finlanda u kushtëzua nga marrëveshja me Bashkimin Sovjetik. Pos të tjerash, nga kjo marrëveshje u detyrua ta përkrahë Bashkimin Sovjetik në Kombet e Bashkuara. Kështu, kjo marrëveshje e shpëtoi Finlandën që të mos okupohet nga Bashkimi Sovjetik. Madje në këtë mënyrë (në mënyrë të heshtur) u kushtëzua nga Bashkimi Sovjetik edhe politika e jashtme suedeze, pos të tjerash, për shkak se në Finlandë banonte një popullatë e konsiderueshme suedeze, në veçanti për shkak të influencës historiko-politike të Suedisë në Finlandë. Neutraliteti i politikës së jashtme në Suedi që u riformulua pas Luftës së Dytë Botërore ishte strategji e mençur dhe e rëndësishme si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë, sepse kështu forcohej besueshmëria edhe në praktikë në relacion me Bashkimin Sovjetik, në kuptimin se: neutraliteti i Suedisë në mënyrë të heshtur e bënte më të besueshëm në praktikë relacionin e Finlandës ndaj Bashkimit Sovjetik. Përndryshe, një politikë e jashtme suedeze, e zhbalancuar, rrezikonte ta shkaktojë invazionin e Bashkimit Sovjetik në Finlandë, në Suedi dhe më gjerë në shtetet nordike. Për dallim nga Finlanda dhe për dallim nga Suedia, Danimarka nuk ka qenë e predispozuar nga një presion ekuivalent nga Bashkimi Sovjetik. Por politika e jashtme në Danimarkë pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë më shumë e kushtëzuar nga fragmentimi parlamentar, sepse në nivelin skandinav parlamenti danez e ka një traditë më të theksuar të konfliktit rreth politikës të jashtme. Qeveritë daneze si rezultat i fragmentimit parlamentar në lidhje me politikën e jashtme, një periudhë të gjatë janë detyruar të bëjnë rezervime të caktuara në relacion me politikat e NATO-s dhe SHBA-ve, sepse jo vetëm krahu i majtë politik, por edhe liberalët në mënyrë kontinuale i kanë detyruar qeveritë daneze së paku të mos pajtohen në disa pika me linjën politike të NATO-s. Ndërsa Norvegjia (përkundër edhe presionit deri në një masë nga Bashkimi Sovjetik) pas Luftës së Dytë Botërore u bë kampione e shteteve nordike në politiken e jashtme në relacionin me NATO-n, SHBA-të, dhe me struktura të tjera në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Gjithashtu vlen të përmendet, siç edhe e potencon historiania norvegjeze Ingrid Olstad Busterud se, në politikën e jashtme norvegjeze që herët është formësuar ideja se shtetet e vogla si Norvegjia mund të luanin role të rëndësishme në promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën. Përkatësisht duke e mbajtur të qartë bindjen se Norvegjia mund të vepronte si një kampion moral dhe humanitar dhe se Norvegjia kishte një mision për të kryer në shërbim të zhvillimit botëror. Rrjedhimisht kjo dëshirë për të qenë një fuqi e madhe morale u bë gjithnjë e më e fortë, dhe pavarësisht ndryshimeve të qeverive, ekzistonte një pajtim i gjerë ndërpartiak se Norvegjia kishte burimet dhe traditat e nevojshme për të arritur ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. [13] Për më tepër, Leif Mevik, i cili kryesoi delegacionin norvegjez në KSBE për gati 20 vjet radhazi dhe më vonë shërbeu si ambasador i Norvegjisë në NATO deri më 1998, e ka trajtuar këtë perspektivë në librin e tij të titulluar: “Siguria në bashkëpunim: Vijat kryesore të politikës norvegjeze ndaj KSBE-së”. Ai përveç të tjerash shkruan se: “Tradita e Nansenit në politikën e jashtme norvegjeze është, pa dyshim, një nga arsyet kryesore për përqendrimin e Norvegjisë në çështjet humanitare të KSBE-së”. [14]
Me fjalë të tjera, Norvegjia, si në kuadër të Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit (përmes delegacionit shtetëror norvegjez në KSBE), ashtu edhe në mënyrë të veçantë në kuadër të Procesit Civil Ndërkombëtar të Helsinkit (përmes Komitetit Norvegjez të Helsinkit në ndërlidhje me Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit), ka dhënë një kontribut të çmuar për Procesin e Helsinkit si tërësi. Për më tepër, kjo ndihmon të shpjegohet se përse Grupi për Kosovën brenda Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) ka pasur një ndikim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit – veçanërisht me ndihmën e idealistëve dhe miqve të mëdhenj të Kosovës, Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud (ish bashkëpunëtor i Andrei Sakharovit) etj.
Në Jugosllavi, veprimtaria kundër hegjemonisë së regjimit autoritar jugosllav ishte më e fuqishme në Kosovë dhe Kroaci. Kjo veprimtari në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore u frymëzua dhe u inkurajua veçanërisht nga Adem Demaçi etj. Situata gjatë dhe pas demonstratave të shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, me kërkesa socio-ekonomike dhe politike për barazi të shqiptarëve me popujt e tjerë brenda federatës jugosllave, pati një ndikim gradual për ndërkombëtarizimin e situatës së të drejtave të njeriut për shqiptarët në Jugosllavi – sidomos në kuadër të Amnesty International, që ishte edhe një informator i rëndësishëm për Komitetet e Helsinkit në shtetet perëndimore. Ngase këto demonstrata qenë edhe më masive se ato të mëparshmet në vitin 1968, dhe reagimi i qeverisë së Beogradit ndaj demonstratave të vitit 1981 dhe ndaj të burgosurve politik shqiptar ishte dukshëm edhe më brutal sesa gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1968. Megjithatë, veprimtaria e shqiptarëve gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981 çoi në themelimin, në vitin 1982, të një organizate të përbashkët – Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) – nga Jusuf Gërvalla dhe të tjerë. LPK-ja njihej në fillim si Lëvizja për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi (1982), më pas si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (1985), dhe që nga viti 1993, thjesht si LPK. Pas rënies së Murit të Berlinit, kundërshtimi i shqiptarëve të Kosovës ndaj hegjemonisë së regjimit autoritar jugosllav u forcua edhe më shumë përmes themelimit të partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-së) në krye me Ibrahim Rugovës. Kjo parti u shndërrua në Lëvizjen Gjithëpopullore Paqësore të Kosovës. Në këtë kontekst, për kontributin e tyre para dhe pas rënies së Murit të Berlinit, miqtë e Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova, morën çmimet Sakharov gjatë viteve 90`,
Procesi i Helsinkit duhet parë si pjesë e Luftës së Ftohtë, duke kontribuar në zvogëlimin e rëndësisë së parimit vestfalian të mosndërhyrjes, përsa i përket çështjes së të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndërmjet shteteve evropiane. Kjo nuk do të thotë se ky parim që rregullon marrëdhëniet ndër-shtetërore u shfuqizua apo u zhduk, por rëndësia e tij u zvogëlua për aq sa lidhet me të drejtat e njeriut. Me fjalë të tjera, Procesi i Helsinkit pati pasoja të paparashikuara, të cilat kontribuuan në zbehjen e parimit të mosndërhyrjes, pasi palët mund të monitoronin politikat e njëra-tjetrës në fusha të ndryshme, të evidentonin shkeljet e marrëveshjeve të përbashkëta dhe, kur ishte e nevojshme, të kërkonin ndërhyrjen nga institucione të caktuara. [15] Si rrjedhojë, KSBE-ja, si një arenë për konferenca ndërkombëtare të bazuara në Aktin Final të Helsinkit, kontribuoi në zbutjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Lindjes dhe Perëndimit, pavarësisht mosmarrëveshjeve midis vendeve anëtare. Dhe shënoi posaçërisht fillimin e një etape të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e njohur si Procesi i Helsinkit, me synimin e formimit të një Evrope të re dhe një rendi të ri botëror.
Pas 20 vitesh në rolin e një arene për konferenca ndërkombëtare, KSBE-ja u institucionalizua në vitin 1995 si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Në të njëjtin vit, shtetet anëtare të OSBE-së nënshkruan të ashtuquajturin Pakti për Stabilitet në Evropë. Qëllimi i tyre ishte të krijonin një zgjidhje paqësore për të gjitha mosmarrëveshjet që lidhen me çështjet e kufijve dhe pakicave kombëtare. Në këtë kontekst, për operacionet e saj paqeruajtëse, OSBE-ja mund të kërkonte mbështetje ushtarake nga NATO ose BE. [16], siç edhe ndodhi me rastin e Kosovës. Ku edhe fatmirësisht ndodhi që Norvegjia si shteti me pothuajse ekspertizën dhe përkushtimin më të fortë në kuadër të Procesit të Helsinkit të jetë edhe shtet udhëheqës i OSBE-së, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Rrjedhimisht, të dy aspektet – ai i sigurisë dhe ai humanitar (si faktor kryesorë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë) duhet të shihen si vazhdimësi e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në kuptimin e konsolidimit të fuqishëm të politikave evropiane të sigurisë dhe paqes përmes NATO-s, ku parimi i të drejtave të njeriut vendoset mbi parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve, në rastet kur regjimet shtetërore shkelin të drejtat themelore të qytetarëve të tyre dhe krijojnë një krizë serioze humanitare. Në lidhje me këtë aspekt humanitar, ia vlen të citohet një nga aktivistët më të rëndësishëm për të drejtat e njeriut në kuadër të Procesit Civil Ndërkombëtar të Helsinkit, Václav Havel, nga intervista e tij për gazetën franceze Le Monde, më 29 prill 1999, ku shprehet: “Konsiderojë se ndërhyrja e NATO-s ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtojë: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht humanitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulmin kundër Federatës Jugosllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.” [17] Prandaj, çlirimi dhe liria e Kosovës duhet të shihen gjithashtu si një fitore e parimit të të drejtave të njeriut të Deklaratës së Helsinkit (1975), në kuadër dhe në vazhdimësi të Procesit të Helsinkit.
Referencat:
[1] Leif Mevik: Underveis Europa. Aventura Forlag, Oslo, 1990, f. 31.
[2] John Fry: The Helsinki Process. Negotiating Security and Cooperation in Europe. University Press of Pacific.Hawai, 2003, f. 4.
[3] John Freeman: Security and the CSCE Process. The Stockholm Conference and Beyond. Macmillan Basingstoke (London), 1991, f. 39-41, 46.
[4] Daniel C. Thomas: The Helsinki Effect. International norms, human rights, and the demise of communism, Princeton University Press, New Jersey, 2001, f. 36.
[5] Anne Elin Kleva: Konferansen om sikkerhet og samarbeid i Europa 1975-1989. Øst versus Vest: Konferansediplomati om menneskerettighetene. Norge i grenselandet mellom realpolitikk og idealisme. Mr-oppgave i historie, Oslo 2007, f. 36
[6] Ibid: 24 – 25, 113
[7] Ibid: 25
[8] Ibid: 25
[9] Ibid: 66
[10] Maria Raquel Freire: Conflict and Security in the Former Soviet Union. The Role of the OSCE, Ashgate Publishing Limited, Hants 2003, f. 71-72.
[11] http://snl.no/Andrej_Dmitrijevitsj_Sakharov.
[12] C. Van Esterik dhe H. Minnema, “The Conference that came in from the Cold”, i The Human Dimension of the Helsinki Process, the Vienna Follow-up Meeting and its Aftermath, red. A. Bloed and P. Van Dijk, Martinus Nijhoff Publishers, Nederland 1991, 7.2-7.
[13] Ingrid Olstad Busterud: Norske visjoner og balkanske realiteter. Fredsmegling på Balkan 1993-1995. Mr-oppgave i historie, Oslo, 2010, f. 2 – 3
[14] Leif Mevik: Sikkerhet i samarbeid: Hovedlinjer i norsk KSSE-politikk. Universitetsforlaget, Oslo,1992, f. 106
[15] Hege Stykket: (2010): Norge og institusjonaliseringen av Helsinki-prosessen. Mr-oppgave i historie, Oslo 2010, f. 12, 149
[16] Store Norske Leksikon; OSCE (2024): https://snl.no/OSSE
[17] Intervistë e Vaclav Havel për gazetën franqeze “Le Monde” (më 29 prill 1999): Moi aussi je me sens albanais: https://www.lemonde.fr/…/moi-aussi-je-me-sens-albanais…, shih edhe Libquotes: Václav HavelQuote; https://libquotes.com/václav-havel/quote/lbz0b6j