
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (IV)
Fatmir Lekaj, politolog
Në 50-vjetorin e aktit final të Helsinkit (gusht 1975-gusht 2025): një vështrim retrospektiv mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi
Organizimi i vizitës së parë në Perëndim i delegacionit të Kuvendit të Kosovës (menjëherë pas deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990)
Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), ka qenë organizator i programit të vizitës së parë të delegacionit të kuvendit të Kosovës në perëndim, menjëherë pas deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Asokohe, pas deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990, pjesa më aktive e delegatëve të kuvendit të Kosovës u shpërngulen në egzil në Slloveni, ku për vendosjen/akomodimin e tyre u përkujdes Shoqata Migjeni në Lubjanë që udhëhiqej nga Sali Kabashi etj. Delegatët zgjodhën Muharem Shabanin, Skënder Skënderin dhe Bujar Gjurgjealen ti përfaqësojnë si delegacion i kuvendit të Kosovës në takimet me ndërkombëtaret gjatë vizitave të tyre në shtetet perëndimore. Programin e organizimit të këtyre vizitave e realizoi Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), në koordinim me komitetet e Helsinkit në shtet perëndimore. Për më tepër, me ndihmën e koordinatorëve të GKKNH-së, Berit Backer dhe Krisoffer Gjøtterud, u realizuan takime në mes delegacionit të kuvendit të Kosovës dhe zyrtarëve qeveritar, parlamentarëve etj., në shtetet perëndimore. Delegacioni i kuvendit të Kosovës u shoqërua nga Sllovenia nga aktivisti i Shoqatës Migjeni, Fadil Demiri.
Njëherësh vlen të theksohet se në vigjilje të shpalljes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990, partitë politike të Kosovës u karakterizuan nga një bashkëpunim i duhur, dhe në mënyrë të koordinuar kontaktonin me struktura të caktuara jashtë Kosovës, si Komiteti Norvegjez i Helsinkit, duke kërkuar ndihmë për ndërkombëtarizimin – duke përfshirë ardhjen e vëzhguesve nga jashtë me rastin e shpalljes së deklaratës kushtetuese.
Në vijim, si ilustrim për këtë, ca faksimile. Faksimilja e parë është një letër dërguar Nufri Lekës, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe tri parti/subjekte politike nga Kosova (Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës dhe Parlamenti Rinor i Kosovës, e cila ishte bërthamë e Partisë Parlamentare të Kosovës). Faksimilja e dytë është një letër drejtuar delegacionit të Kuvendit të Kosovës nga Kristoffer Gjøtterud, në cilësinë e tij si nënkryetar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Faksimilja e tretë dhe e katërt është komunikimi i Berit Backerit me Parlamentin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe. Faksimilja e pestë dhe e gjashtë është komunikimi i Berit Backerit me Federaten Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan. Faksimilja e shtatë është një fragment nga buletini Kosova-Info në lidhje me programin e vizitës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës në vendet perëndimore, ku përveç të tjerash thuhet: “Tre anëtarët e parlamentit të Kosovës janë aktualisht në një turne në Evropë. Filloi më 16 korrik në Austri dhe vazhdoi të Norvegji, Suedi, Danimarkë, Gjermani, Holandë, Britani të Madhe dhe Belgjikë. Ata synojnë të vizitojnë edhe vende të tjera evropiane. Ata janë pritur nga zyrtarë qeveritarë, deputetë, gazetarë dhe OJQ-t, si dhe radio dhe televizionet. Programi është organizuar nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe ata mirëpriten nga Komitetet Kombëtare të Helsinkit në të gjitha vendet ku udhëtojnë. Delegatët kërkojnë mbështetjen evropiane për zgjidhjen e problemeve të Kosovës në mënyrë paqësore, kushtetuese dhe ligjore”.
Buletini i GKKNH-së (KOSOVA – info), shpërndahej si informacion në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (përkatësisht në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s etj.), dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (përkatësisht delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadrin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-së etj.). Ky buletin shpërndahej gjithashtu nga drejtuesit e LPK-së në Gjermani (Ibrahim Kelmendi, Rexhë Ibërdemaj etj. ), në institucionet përkatëse gjermane. Në fakt, edhe kur GKKNH organizoi vizitën e parë të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në vendet perëndimore, drejtuesit e LPK-së në Gjermani (Ibrahim Kelmendi, Sabri Kiçmari dhe Rexhë Ibërdemaj) e shoqëruan delegacionin në takimet me parlamentarët gjermanë.
Faksimilja e tetë është një artikull i Berit Backer-it i botuar në faqen e parë të gazetës zyrtare të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, “Appell”, numri 3/4 i vitit 1990, në lidhje me vizitën e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në vendet perëndimore dhe përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme në Kosovë. Në këtë artikull, me titull “Kosova nën kontroll të plotë policor”, ajo informon për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në fund të këtij artikulli sugjeron: “Është e rëndësishme që autoritetet norvegjeze të adresojnë këto shkelje në forumet ndërkombëtare ku vendi merr pjesë.” Një fotografi që shoqëron këtë shkrim, paraqet delegacionin e Kuvendit të Kosovës (nga e majta: Skënder Skënderi, Muharrem Shabani, Bujar Gjygjeala, të shoqëruar nga Fadil Demiri), gjatë vizitës së tyre në Shtëpinë Norvegjeze të të Drejtave të Njeriut në Oslo. Për më tepër, faksimilet nëntë dhe dhjetë, janë nga numri 3/4 i gazetës “Appell” (redaktuar nga Ole Drolsum). Faksimilja e nëntë thekson se: “Një delegacion nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit u arrestua në Kosovë në fillim të shtatorit. Delegacioni u mor në pyetje, iu konfiskuan të gjitha dokumentet dhe më pas u vu në arrest shtëpiak në kryeqytetin krahinor, Prishtinë. Ata u dëbuan nga Jugosllavia për 3 vjet. Delegacioni kishte mbledhur informacione mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Gjashtë javë më vonë, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Cato Funnemark, u arrestua në Kosovë.” Faksimilja e dhjetë përfshin emrat e përfaqësuesve të Bordit, Sekretariatit dhe Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Jo vetëm që Bordi dhe Sekretariati përfaqësoheshin nga personalitete me ndikim shoqëror e politik – si Stein Ivar Aarsether, Kristoffer Gjøtterud dhe Bjørn Cato Funnemark – por edhe Këshilli i Komitetit Norvegjez të Helsinkit përfaqësohej nga njerëz me ndikim të madh, përfshirë kryetarin e Këshillit Reiulf Steen, i cili gjatë karrierës së tij politike ka qenë udhëheqës i partisë laburiste norvegjeze në vitet 1975–1981, deputet në vitet 1977–1992 dhe dy herë ministër, si dhe nënkryetarin e Këshillit Jan Petersen, i cili ka qenë udhëheqës i partisë konservatore norvegjeze Høyre; deputet; dhe ministër i jashtëm. Gjatë kësaj periudhe, Jens Stoltenberg, i cili aktualisht deri tash së voni ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit.