
Vetëm një amerikan mund të fillojë një luftë bërthamore
Nga Mackenzie Knight-Boyle, The Washington Post
Tre minuta, një top futbolli dhe një biskotë.
Vetëm këto i duhen një presidenti të Shteteve të Bashkuara për të filluar luftën bërthamore.
Gjatë një takimi në vitin 1974 me ligjvënësit, presidenti Richard M. Nixon thuhet se deklaroi: “Mund të shkoj në zyrën time dhe të marr telefonin, dhe në 25 minuta 70 milionë njerëz do të jenë të vdekur”.
Ai kishte të drejtë. Dhe që atëherë, pavarësisht përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, pak gjëra kanë ndryshuar.
Procesi i lëshimit bërthamor dhe ligji që i jep presidentit një fuqi të tillë, të përforcuar nga teknologjia e shekullit të 21-të, kombinohen për të formuar një stuhi të përsosur në të cilën presidenti mund të zgjedhë të lëshojë armë bërthamore nëpërmjet një procesi të pamëshirshëm që lë pak ose aspak hapësirë për gabime.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti është i vetmi person në vend që mund të urdhërojë ligjërisht përdorimin e armëve bërthamore, një fuqi e referuar si “autoritet i vetëm”.
Presidenti mund të zgjedhë të konsultohet me këshilltarët, por nuk është i detyruar ta bëjë këtë.
Ai mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore pavarësisht kundërshtimeve të çdo këshilltari në dhomë.
Natyrisht, presidenti duhet të dëshirojë të konsultohet me këshilltarët e tij kryesorë.
Por me normat që shemben në të gjitha aspektet e qeverisjes – madje edhe në sigurinë kombëtare – kërkohen mbrojtje të përforcuara.
Përdorimi bërthamor nuk duhet të varet nga tekat e një personi.
Autoriteti i vetëm presidencial u vendos në fillim të epokës bërthamore gjatë administratës Truman për shkak të dëshirës së Harry S. Truman për të mbajtur armët bërthamore larg duarve të gjeneralëve tepër të zellshëm dhe të gatshëm për të përdorur armët – “një nënkolonel elegant”, siç thoshte ai.
Një politikë zyrtare u vendos në vitin 1948, duke deklaruar: “Vendimi për përdorimin e armëve atomike në rast lufte duhet të merret nga Shefi Ekzekutiv kur ai e konsideron një vendim të tillë të nevojshëm”.
Politika mbeti në fuqi gjatë gjithë Luftës së Ftohtë – dhe mbahet deri më sot.
Kushdo që shikon me vëmendje imazhet e presidentëve amerikanë jashtë ose vërdallë – në rrugën e tyre për në një takim, duke hipur në Air Force One apo edhe duke dalë për vrap – do të vërejë një prani të vazhdueshme pas presidentit: një zyrtar ushtarak që mban një çantë të madhe të zezë.
Çanta prej lëkure prej afërsisht 12 kilogramësh njihet si “topi bërthamor i futbollit” dhe i lejon presidentit të urdhërojë lëshimin e armëve bërthamore në çdo kohë nga çdo vendndodhje.
Brenda topit bërthamor të futbollit është gjithçka që i duhet presidentit për të dhënë urdhrin.
Ndryshe nga shumë referenca pop-culture, kjo nuk përfshin një buton të madh të kuq.
Megjithatë, përfshin “librin e zi”, i cili liston opsionet e një presidenti për kohën, llojin e sistemit të shpërndarjes dhe objektivat për një sulm bërthamor.
Libri i zi dikur përfshinte një sërë planesh lufte, por pasi presidenti Jimmy Carter u ankua se përmbajtja e tij ishte shumë e dendur dhe e ndërlikuar, u thjeshtua në një lloj menuje sulmesh për presidentin që të zgjidhte.
Fillimi i luftës bërthamore, vdekjet e mundshme të miliona njerëzve dhe zgjedhja se cilat qytete do të shkatërrohen – libri i zi i distilon këto realitete në një listë të pastruar opsionesh që një ish-ndihmës ushtarak i presidentit Bill Clinton e krahasoi me një “menu mëngjesi të Denny-t”.
Menynë e sulmit e shoqërojnë pajisje të sigurta komunikimi që i lejojnë presidentit të telefonojë Qendrën Kombëtare të Komandës Ushtarake (NMCC) të Pentagon-it për të transmetuar urdhrin.
Për të verifikuar një urdhër lëshimi, presidenti duhet të identifikohet me një kod unik.
Kodi është i shkruar në një kartë të vogël të njohur si “biskota”, të cilën presidenti e mban me vete gjatë gjithë kohës.
Pasi të konfirmohet identiteti i presidentit dhe të transmetohet urdhri, Pentagoni mund ta ekzekutojë urdhrin e lëshimit në rreth një minutë.
Nëse presidenti zgjidhte një opsion sulmi që përfshinte raketa balistike ndërkontinentale (ICBM), raketat do të qëllonin në afërsisht dy minuta.
Nuk ka asnjë mënyrë për të thirrur ose çarmatosur ICBM-të pasi të jenë lëshuar.
Ekspertët vlerësojnë se – për të siguruar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’u hakmarrë përpara se të ndodhë një sulm i ardhshëm dhe potencialisht të shkatërrojë sistemin e komandës dhe kontrollit (ose vetë presidentin) – një president do të kishte më pak se 10 minuta për të shqyrtuar situatën dhe opsionet e tij përpara se të merrte një vendim nëse do të lëshonte armë bërthamore.
Arsyeja pas këtij procesi është se i lejon një presidenti të përgjigjet shpejt dhe me vendosmëri në rastin e një sulmi të afërt bërthamor që drejtohet drejt Shteteve të Bashkuara.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kjo shihej si mënyra më e mirë – dhe ndoshta e vetmja – për të penguar një sulm bërthamor të menjëhershëm nga Bashkimi Sovjetik, duke bindur udhëheqjen sovjetike se presidenti i SHBA-ve do të ishte në gjendje të përgjigjej në të njëjtën mënyrë përpara se të zbarkonte sulmi i tyre.
Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Lufta e Ftohtë mbaroi, kërcënimi i një sulmi masiv surprizë u zhduk.
Megjithatë, sistemi që theksonte shpejtësinë në lëshimin e armëve bërthamore mbeti në fuqi.
Disa zyrtarë të sigurisë kombëtare argumentojnë se ky proces është ende i nevojshëm.
Por autoriteti i presidentit për të urdhëruar përdorimin bërthamor nuk kufizohet vetëm në rastet e sulmit të afërt ose të konfirmuar ndaj Shteteve të Bashkuara.
Presidenti, ligjërisht dhe logjistikisht, mund t’i japë thjesht urdhër Pentagon-it të nisë raketat.
Edhe kur sistemet e paralajmërimit tregojnë se një sulm është duke u zhvilluar, mund të jetë një alarm i rremë.
Kjo ka ndodhur në disa raste në të kaluarën, deri në vitin 2018.
Mëngjesin e 13 janarit 2018 – vetëm disa ditë pasi presidenti Donald Trump dhe Udhëheqësi Suprem i Koresë së Veriut Kim Jong Un shkëmbyen kërcënime bërthamore – smartphone-t në të gjithë Hawaii-n morën një alarm nga Agjencia Shtetërore e Menaxhimit të Emergjencave (EMA): “Kërcënim me raketa balistike drejt Hawaii-t. Kërkoni strehim të menjëhershëm. Ky nuk është një ushtrim”.
Por sulmi nuk ndodhi.
Dikush në EMA kishte shtypur butonin e gabuar.
Nëse një alarm i rremë për raketa të shumta bërthamore që do të vinin do të kishte ndodhur brenda sistemit kombëtar të paralajmërimit, presidenti do të ishte njoftuar dhe mund të kishte filluar një lëshim bërthamor përpara se të zbulohej se ishte një alarm i rremë.
Një nga alarmet e rreme më të rrezikshme të njohura publikisht ndodhi më 9 nëntor 1979.
Ekranet paralajmëruese në NMCC të Pentagon-it dhe tre qendra të tjera komanduese u ndriçuan papritur, duke treguar gati 1 mijë e 500 raketa balistike sovjetike të drejtuara drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas procedurave të duhura, avionët luftarakë u ngritën në qiell, ekipet e bombarduesve bërthamorë u urdhëruan të shkonin në aeroplanët e tyre, ekipet e raketave bërthamore u vunë në gatishmëri të lartë dhe posti i komandës ajrore emergjente i presidentit, i njohur si “aeroplani i fundit të botës”, u ngrit.
Gjashtë minuta pasi kumboi alarmi, oficerët në Komandën e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut zbuluan se një kasetë stërvitore që simulonte një sulm sovjetik ishte futur gabimisht në sistemin e tyre kryesor kompjuterik dhe ishte transmetuar në qendra të tjera komanduese.
Incidente të shumta si këto gjatë gjithë epokës bërthamore kanë zbuluar ndjeshmërinë e sistemeve të paralajmërimit të hershëm ndaj gabimeve njerëzore dhe teknike.
Sot, kërcënimet kibernetike përbëjnë një shqetësim shtesë dhe përkeqësojnë cenueshmërinë e këtyre sistemeve.
Dobësi të tilla, të kombinuara me shpejtësinë me të cilën një president mund të reagojë, rrisin rrezikun që një president amerikan të nisë gabimisht një luftë bërthamore.
Shmangia e katastrofës bërthamore varet gjithashtu nga racionaliteti dhe stabiliteti i kujtdo që zë Zyrën Ovale.
Dy presidentë të epokës bërthamore – Nixon dhe Trump – shfaqën sjellje të çrregullt që i shtyu zyrtarët e lartë të përpiqeshin të futeshin në zinxhirin e komandës bërthamore si një mbrojtje kundër pushtetit të presidentëve.
Megjithatë, as sekretari i Mbrojtjes James Schlesinger në vitin 1974 dhe as kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Mark A. Milley në vitin 2020 nuk kishin autoritetin ligjor për ta bërë këtë.
Vartësit në NMCC ose në impiantet e lëshimit të raketave nuk do të kishin qenë të detyruar të ndiqnin urdhrat e tyre.
Kodi Uniform i Drejtësisë Ushtarake së SHBA-ve (UCMJ) – themeli i sistemit të drejtësisë ushtarake amerikane – e bën mosbindjen ndaj urdhrave ligjorë nga një epror gjatë kohës së paqes të dënueshme me shkarkim të pandershëm, humbje të pagës ose edhe me burgim pesëvjeçar.
Gjatë kohës së luftës, mosbindja ndaj urdhrave ligjorë mund të dënohet me vdekje.
UCMJ-ja gjithashtu i detyron anëtarët ushtarakë të mos i binden urdhrave të paligjshëm.
Kjo i vendos anëtarët e rinj të shërbimit në pozicionin e të qenit të detyruar të marrin vendime ligjore në çast si ekspertë jo-ligjorë, ndërsa janë nën stres të madh dhe ndoshta pa e ditur pse është lëshuar urdhri.
Përveç kësaj, ekziston një supozim se urdhrat nga një oficer epror – dhe, veçanërisht, ato të dhëna nga komandanti i përgjithshëm – janë të ligjshme.
Ne nuk mund të mbështetemi përgjithmonë në gatishmërinë e një personi për të marrë përgjegjësinë për t’u mbrojtur nga tekat e një presidenti irracional ose të paqëndrueshëm.
Janë paraqitur disa propozime për të parandaluar që një president të jetë në gjendje të përdorë armë bërthamore në kundërshtim me interesin kombëtar.
Një sfidë qendrore, megjithatë, është se ekspertët nuk pajtohen për problemin kryesor me sistemin aktual.
A është jokushtetuese që një president të lëshojë në mënyrë të njëanshme armë bërthamore, duke filluar kështu një luftë, e cila është një fuqi e rezervuar për Kongresin?
A e paragjykon autoriteti i vetëm një president në favor të përdorimit bërthamor?
A vendos një barrë të padrejtë mbi vartësit ushtarakë që duhet të zbatojnë një urdhër katastrofik?
Apo problemi i vërtetë është se raketat balistike ndërkontinentale mund të lëshohen brenda dy minutash, duke lënë shumë pak kohë për korrigjim?
Por pothuajse të gjithë ekspertët bien dakord se diçka duhet bërë.
Në vitin 2021, gati 700 shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë nënshkruan një letër duke i kërkuar presidentit Joe Biden, ndër masa të tjera për uljen e rrezikut bërthamor, të ndryshojë politikën e autoritetit të vetëm për t’u mbrojtur nga një president i ardhshëm “i pamatur” ose “i paqëndrueshëm”.
Ndërsa bota hyn në një epokë të re të rrezikut të shtuar bërthamor me zgjerimin e arsenaleve bërthamore globale, rritjen e prevalencës së kërcënimeve bërthamore dhe retorikën agresive, shkurtimin e kohës së vendimmarrjes dhe aftësive kibernetike, zvogëlimin e diplomacisë dhe transparencës, dhe një president të SHBA-ve me një histori të bërjes së kërcënimeve bërthamore, nevojitet urgjentisht veprim për të zvogëluar rrezikun e luftës bërthamore.