Vetëm presioni i Brukselit dhe Uashingtonit mund ta detyrojë Serbinë të tregojë për të zhdukurit

31 korrik 09:20

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se vetëm një presioni i madh ndërkombëtar mund ta detyrojë Serbinë të tregojë për fatin e personave të zhdukur.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Serbia ende nuk është çliruar nga kurthi i mendësisë së saj hegjemoniste, duke shtuar se ajo duhet të detyrohet nga Uashingtoni dhe Brukseli për këtë çështje.

Hoti ka treguar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova do të kërkojë me insistim që të merr përgjigje për fatin e të gjithë peronave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Hoti sapo e keni marrë përgjegjësi për të drejtuar Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur. Çka do të thotë kjo për ju?
Hoti: Do të thotë sfidë dhe përgjegjësi, do të thotë dhimbje e pashëruar për mungesën e më të dashurve tanë, por mbi të gjitha detyrë për angazhim më të vendosur në zbardhjen e të vërtetës, në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Një përgjegjësi shumë sfiduese për mua, por të cilën e mbizotëron vullneti për të punuar drejtpërdrejt me familjarët dhe shoqatat që merren me këtë çështje prej përfundimit të luftës. Është e padrejtë dhe e papranueshme që ende, 22 vjet pas luftës, të luhet me ndjenjat e këtyre familjeve, të politizohet një çështje e pastër humane dhe të mbahet peng fati i më të dashurve tanë.

“Epoka e re”: Meqenëse edhe ju keni anëtar të familjes të zhdukur, babanë, cili është zotimi i juaj për familjarët e të zhdukur?
Hoti: E kam thënë që në ditën e parë, kjo nuk është detyrë për ta kërkuar fatin e babit tim, por për të punuar maksimalisht dhe së bashku me të gjithë në shërimin e kësaj plage ende të hapur të Kosovës. Kur e kam marrë detyrën, jam zotuar për angazhim të vendosur dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjithë familjarët e me të gjitha shoqatat, që ta kërkojmë zëshëm, me insistim dhe pa kompromis të vërtetën për secilin njeri që na mungon, që ta çlirojmë ankthin e familjeve tona për më të dashurit dhe që t’i japim shans zgjidhjes së problemeve nga e kaluara ndërmjet popujve tanë. Serioziteti, përkushtimi dhe transparenca e plotë do të jenë parimet e mia udhëheqëse në këtë detyrë.

“Epoka e re”: Edhe më herët jeni marrë me këtë çështje, ku mendoni se qëndron problemi kryesor në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur?
Hoti: Po, për fat të keq më ka rënë të merrem edhe më herët me këtë çështje për shkak të fatit të njëjtë të babit. Me gjithë punën serioze që kanë bërë komisioni dhe shoqatat të cilën e vlerësoj sinqerisht, mendoj se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës është përdorur për hesape politike nga Serbia dhe kjo është shumë e padrejtë. Është tejet absurde për mua që edhe sot e kësaj dite Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera, jo vetëm në Kosovë, por përkundrazi, ka vazhduar ta mbajë peng fatin e të pagjeturve si presion politik në kuadër të dialogut. Jam i bindur se nuk mund të kemi marrëveshje politike të paqes mes dy vendeve derisa Serbia të vazhdojë me këtë qasje dhe pa gatishmërinë për të treguar të vërtetën për fatin e më të dashurve tanë.

“Epoka e re”: Kjo çështje do të jetë edhe pjesë e dialogut Kosovës-Serbi. Cilat duhet të jenë kërkesat e Kosovës për këtë çështje ndaj Serbisë dhe a do të jeni ju pjesë e takimit kur do të diskutohet për këtë temë në Bruksel?
Hoti: Duhet të jetë pjesë e dialogut në mënyrë që të imponohet vullneti për ta zgjidhur këtë çështje. Kosova do të kërkojë me insistim që të jepen përgjigjet për këtë çështje, që Serbia të detyrohet të tregojë ku gjenden familjarët tanë të zhdukur dhe që institucionet ndërkombëtare të garantojnë procesin duke mbikëqyrur punën e autoriteteve për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Unë jam i gatshëm që t’i përgjigjem kërkesave dhe nevojave të këtij procesi kudo dhe kurdo që duhet.

“Epoka e re”: Çka mendoni se mund ta detyrojë Serbinë të tregojë për fatin e të gjithë personave të zhdukur?
Hoti: Procesi deri më tani ka dëshmuar se Serbia ende nuk është çliruar nga kurthi i mendësisë nga e kaluara e saj hegjemoniste, prandaj nuk mendoj se do të ndryshojë pa presion më të madh ndërkombëtar. Vetëm një presion i vendosur e i shtuar i Brukselit dhe Uashingtonit mund ta detyrojë Serbinë të tregojë për të zhdukurit dhe ta pranojë realitetin e ri me Republikën e Kosovës në këtë pjesë të Ballkanit.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar…