‘Vetëm ShBA-ja ka kapacitet për ta obliguar marrëveshjen finale Kosovë-Serbi’

11 qershor 2021 | 15:52

Drejtori i Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe Paqes në Universitetin “Columbia” të Nju Jorkut, David Philips, ka deklaruar të premten se presin që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, për të cilën ka thënë se vetëm ShBA ka kapacitetin për ta shtyrë atë përpara.

Philips, në një tryezë të organizuar nga LDK-ja me temën: “Fuqizimi i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shprehur bindjen e tij se marrëveshja përfundimtare do të rezultojë me njohje reciproke.

“Vetëm ShBA-ja ka kapacitetin për të detyruar një marrëveshje, për të zbatuar një marrëveshje, dhe përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit të saj për t’u bashkuar në bashkëpunimin transatlantik e për t’i dërguar një mesazh shumë të qartë Beogradit, boll më, ky proces duhet të përfundojë, duhet të përfundojë me drejtësi për popullin e Kosovës. Në qoftë se nuk arrijmë në atë pikë, Serbia vetë nuk mund të zhvillohet si shoqëri dhe të gjithë duam që kjo pjesë e botës të ecë përpara, në mënyrë që të ketë progres dhe bashkëpunim. Dhe kështu, ShBA mund të forcojë aleancat e saj, në radhë të parë më së shumti me Republikën e Kosovës, por gjithashtu edhe me të gjitha vendet në rajon”, ka thënë Philips.

Më tutje, ai ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) është ndërmjetësuesi kryesor i dialogut, por sipas tij ShBA-ja duhet ta përmirësojë pjesëmarrjen e saj në këtë proces.

Philips ka hedhur dyshime nëse BE mund të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën, pasi përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është sllovak dhe Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Pra, a mund të presim me të vërtetë që BE-ja të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën dhe për ta çuar përpara këtë proces?”, ka pyetur Philips, duke shtuar se qëllimet e ShBA-së në këtë dialog janë pavarësia, sovraniteti dhe njohja reciproke.

Ndërsa anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë se pas marrëveshjes së Uashingtonit vitin e kaluar është rritur interesi i partnerëve ndërkombëtarë, derisa ka shtuar se dialogu duhet të finalizohet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e premte) fillon kampionati evropian i futbollit “Euro 2020”,…