Veteranët e UÇK-së një çerek shekulli pas luftës që krijoi shtetin e Kosovës
Prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension
Veteranët e UÇK-së një çerek shekulli pas luftës që krijoji shtetin e Kosovës nuk e kanë marrë të drejtën të jenë siç u takon margaritari i kurorës së shtetit të Kosovës e të kombit shqiptar. Dhe kjo është e domosdoshme jo për interesat personale të veteranëve, siç tentojnë ta arsyetojnë disa politikanoanalistologë, por për interesat e lavdisë dhe të madhështisë së portretit të kombit, atdheut e shtetit. Sepse përvoja e historisë së botës e të shteteve këtë ka treguar. Por po duket se ne kemi elementë të fuqishëm në kombin tonë, që ende nuk kanë dalë nga hallkat e të qenit i pushtuar ose skllav a i dashuruar me pushtuesin. E të tillët po duket se edhe aktualisht po bëhen palë me armiqtë e keqdashësit e shqiptarëve, për ta mjegulluar historinë tonë të vjetër e të re.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mendoj se vlerat kombëtare nderohen më qartë se në çdo vend tjetër, për veteranët e luftës në vijimësi shprehet vetëm mirënjohje. Dhe çdo vit vetë presidenti i ShBA-së përulet me nderim përpara veprës së veteranëve të luftës e figurës së tyre madhështore në emër të të gjithë kombit amerikan.
Janë pikërisht veteranët e luftës që me devotshmëri e çliruan atdheun dhe janë forca më e gatshme që me bindje ta mbrojnë kombin tonë, duke dhënë gjithçka nga vetja si dje edhe sot e nesër për të qenë të palëkundur në ballë të veprave për sigurinë e atdheut dhe të shtetit.
Nëpër botë është traditë që kryetari i shtetit në një ditë të caktuar për veteranët të vendosë një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur. Po ne në Kosovë ku e kemi varrin e ushtarit të panjohur, që është përfaqësues i të gjithë luftëtarëve të cilët luftuan e çliruan atdheun? Nuk e kemi këtë varr. Dhe kanë kaluar 27 vjet prej kur është përfunduar lufta e çliruar Kosova. A ka vërtetë ndonjë vend tjetër që të jetë kaq mosmirënjohës për çlirimtarët? Nuk besoj. I vetmi vend në botë që politikisht po përpiqet të zhvlerësojë luftën e bërë për çlirim dhe luftëtarët që e bartën këtë luftë është Kosova. Cila është arsyeja?
Duket sikur politikisht nuk kuptohet se pa luftën e atyre luftëtarëve që kanë fituar emërtimin: Veteran të Luftës së UÇK-së, nuk mund të ishte sot ky shtet i pranishëm në familjen e shteteve të botës. Duket se politikisht nuk po kuptohet se në menaxhimin e shtetit secili bën aq sa mundet, sa di e sa ka dëshirë, kur qytetarët e vendit me të drejtë apo aksidentalisht me votat e tyre e venë në pushtet për një afat të caktuar. Duket se politikisht megjithëse pa asnjë përvojë profesionale, shtetarët shkojnë me mendimin se i bën karrigia ku ulen të mençur për të bërë gjithçka pa pasur nevojë për këshillën e profesionistit që ka njohuri dhe përvojë. Duket se politikisht shtetarët mendojnë se çdo gjë fillon atë ditë që qytetarët u japin pushtetin dhe gjithçka e mëparshme duhet djegur e zhdukur. Arrihet deri atje, sa edhe policinë e shtetit, sa janë në opozitë politikanët e quajnë “polici e krimit”, ndërsa të nesërmen e marrjes së pushtetit ajo quhet polici e shtetit, të cilët megjithëse janë të njëjtit njerëz, të duket sikur këta politikanët e ardhur në pushtet tashmë i kanë vaksinuar brenda natës, duke i bërë të jenë tjetër polici. E megjithëse të gjitha këto për mua janë qesharake, ja që janë prezentë dhe po na prishin shumë punë. Po na mohojnë vlerat kombëtare e shtetërore. E këtë mohim po e pësojnë edhe veteranët, të cilët për fat të keq nuk kanë luftuar nën flamurin e asnjë partie politike, po nën flamurin e kombit, për ta bërë shtetin.
Në ShBA-të dhe në shtetet e tjera të zhvilluara e të qytetëruara, në Ditën e Veteranëve të luftës mbahen ceremoni të ndryshme festive e përkujtimore në gjithë hapësirat e vendit. Ndërsa ne në Kosovë akoma nuk e kemi një ditë të caktuar as për dëshmorët, por për fat të keq as ditën e çlirimit të atdheut nuk e kemi të caktuar. Edhe ditës së çlirimit i kemi vënë disa emërtesa e nuk e kemi ligjëruar për ta nderuar, por secili feston e përkujton sipas asaj që vlerëson, ama një ligj për këtë ditë nuk ka. Kështu që ndoshta unë pretendoj shumë kur kërkoj një ditë shtetërore për veteranët. Ama që është e detyrueshme është. Sepse shtetet serioze këtë ditë e kanë kthyer edhe në ditë pushimi zyrtar e me programe shtetërore të përkujtimit e festimit.
Britania Ditën e Veteranëve e quan Dita e Kujtimit, të cilën e nderon me një minutë heshtje në orën 11.00 të ditës, sipas orës lokale, në të gjithë hapësirat e shtetit. Po ashtu edhe në ShBA-të, ku përkujtohen veteranët dhe të rënët prej krijimit të ShBA-ve e deri në ditët e sotme.
Ndërsa ne në Kosovë akoma përkujtojmë betejat e operacionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, sipas mundësive që kanë të interesuarit, të cilët mund të jenë luftëtarë veteranë ose familje të të rënëve. Por kjo nuk është normale. Lufta dhe luftëtarët nuk nderohen me mundësi individuale e me financime të privatëve. Këto ditë të lavdisë, të lirisë dhe të sigurisë së Kosovës duhet të nderohen e realizohen me programe shtetërore.
A nuk shihet se edhe vlerat e luftës së UÇK-së po luhaten duke shkuar andej nga janë pjesëmarrësit ose pasardhësit që kanë mundësi financiare? Kjo nuk është normale dhe as nuk duhet të jetë e pranueshme.
Të shkohet deri atje sa të flitet e veprohet për një veteran a të rënë, që mund të kenë veprimtari episodike në luftë, me gjithë respektin edhe për këta, sepse unë kam thënë që edhe ai i cili e ka marrë pushkën me 9 qershor 1999, për mua është njëlloj si të ishte luftëtarë i orëve të para. Por nuk mundet në pikëpamje të ndërtimit të historisë, të ngrihet episodikja mbi thelbësoren, mbi kryesoren vetëm pse episodikja ka mundësi të financojë para ose të mbështesë një parti të caktuar politike. Sepse kështu nuk mund të kemi të vërtetë historike. E në qoftë se do të kishim një program shtetëror për vlerësimin e gjithë veprimtarisë luftarake të UÇK-së dhe të luftëtarëve të asaj lufte e të rënëve në atë luftë, kuptohet që specialistët nuk mund të lejonin të ndodhnin kapërcime të tilla që e shtrembërojnë luftën, për interesat e politikave të klaneve partiake e që interesave të qeverisjes së përkohshme.
Prandaj apeloj të ndryshohet ky mentalitet feudal. Apeloj të ngrihet shkalla e ndërgjegjes kombëtare të politikanëve e shtetarëve, të cilët realisht i paragjykoj. Më vjen keq, sepse dua vërtetë shtetarët dhe politikanët e vendit tim, që marrin në dorë fatet e qeverisjes së këtij populli të lavdishëm t’i dua pafundësisht, por nuk mund të dua askënd që nuk e donë e nderon atdheun e kombin megjithëse flet në emër të tyre dhe merr vendime në emër të tyre, por duke u vetëlavdëruar e duke u vetëvlerësuar, pa menduar se duhet të jetë i vlerësuar prej popullit që e ka vënë të menaxhojë jetën e tij.
E për të qenë më të qartë, duhet ditur se historia e kombit është historia e luftërave të tij për liri e shtetformim. Jo aksidentalisht shqiptarët në Kosovë u rreshtuan të gjithë në një mënyrë ose tjetër në radhët e UÇK-së. Prandaj edhe kërkoj që të kthejmë vështrimin nga veteranët e Luftës së UÇK-së, luftëtarët më besnikë e të përkushtuar si në të kaluarën edhe në të ardhmen. Të cilët është me vend të nderohen për sakrificat e tyre, për guximin e tyre, për dashurinë e tyre ndaj atdheut e kombit, për krenarinë që na kanë falur me veprën e tyre luftarake, për kontributin e tyre që na bën të kemi detyrim moral të respektojmë kujtimin, jetën dhe vlerat e veprës së tyre heroike. Sepse lufta e tyre është vijimësi e kontributit për mbajtjen gjallë të vlerave dhe virtytet e larta të atdhedashurisë.
Gjithë veteranët tanë të Luftës së UÇK-së janë legjendarë, sepse në atë kohë të vështirë, guxuan. Ata u rreshtuan në atë organizatë madhore që u quajt UÇK e që mori mbi vete përgjegjësinë për të çliruar Kosovën. Ishte disiplina e tyre e çeliktë, ishte trimëria e tyre e pashoqe, ishte humanizmi i tyre i ndritur, ishte dashuria njerëzore që i përshkoj në trup e shpirt gjatë gjithë betejave të asaj lufte legjendare, ishte përkushtimi për ta bërë detyrën me devocion, ishte bindja se luftën do ta fitonim dhe atdheun do ta çlironim, ishte drejtësia e asaj lufte të cilës iu shërbye me shumë shpirt nga çdo luftëtarë; të cilat bënë që UÇK-ja të arrij të fitojë përkrahjen e botës moderne dhe të bëjë që gjithë fuqitë botërore në përbërje të NATO-s të rreshtohen me UÇK-në për ta përfunduar atë luftë finale, që përfundoj me çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor.
Prandaj është obligim të kthejmë vështrimin e gjithë kombit nga veteranët e UÇK-së, për t’u dhënë atë që nuk u është dhënë deri sot. Dhe jo për t’u dhënë diçka materiale, ku u shkon mendja vetëm politikanëve të prishur dhe analistëve të pa komb e Atdhe, por për t’u dhënë vlerësimin dhe nderimin e munguar për të cilin në radhë të parë ka nevojë atdheu e kombi e pastaj edhe individët që quhen veteranë të Luftës së UÇK-së.
Dikur në vitin 2000, akoma mendohej se shteti fillon nga nderimi i Luftës së UÇK-së dhe luftëtarëve që e realizuan dhe e fituan atë luftë. Për këtë edhe u ideua të ngrihej një obelisk i lirisë në qendër të Prishtinës, për të cilin realisht Prishtina kishte dhe ka nevojë, sepse pa atë obelisk nuk e ka frymëmarrjen të plotë. U caktua edhe vendi ku do të ngrihej ky obelisk, u ndërtua edhe maketi se si do të dukej ky obelisk, u vendos edhe gurthemeli i këtij obelisku, ku morën pjesë me mijëra qytetarë e luftëtarë, ku hodhën nga një lopatë beton përfaqësues të qeverisë, të politikës në tërësi, të udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, të institucioneve akademike e shkencore, të institucioneve arsimore e në mes tyre e pata edhe unë mundësinë të lëshoj një grusht beton në atë themel të atij obelisku. Por do të kalonin vitet dhe ai themel do të mbetej i pa finalizuar. Deri kur do të vinte një kryetar komune i Prishtinës, i cili do ta fshinte e shkulte përfundimisht atë gurthemel për ta zhdukur në ndonjë themel të paligjshëm. E kështu mbeti UÇK-ja pa obeliskun e saj përfaqësues, ku mund të shkonin luftëtarët e të bënin nderim, ku mund të shkonte populli të freskonte kujtesën, ku mund të shkonin politikanët e shtetarët e të kujtonin se nuk janë ata të parët.
E megjithatë unë jam i bindur se atdheu, kombi dhe siguria e të ardhmes së tyre kanë nevojë pikërisht të mos e shkëpusim shikimin nga krijuesit e këtij shteti modern që quhet Kosovë, pasi pa ruajtur traditën nuk mund të krijosh traditë, pa ruajtur vlerën nuk mund të krijosh vlerë, pa ruajtur e nderuar luftëtarët nuk mund të krijosh luftëtarë, pa ruajtur të kaluarën nuk mund të kesh të sigurt të ardhmen, pa e njohur e ruajtur krenarinë nuk mund të krijosh krenarinë e të sotmes dhe të të ardhmes, pa mësuar se kush e ndërtoi sigurinë nuk mund të krijosh siguri në mjedisin ku jetojmë e do të jetojmë.
Prandaj apeloj për t’i shikuar me nderim e dashuri veteranët e Luftës së UÇK-së, sepse na mjaftojnë armiqtë të cilët po bëjnë luftë të gjithanshme për të na lëshuar në vlerësimet e Millosheviqit në vitin 1998, kur thoshte se: ”me shqiptarët i kam marrëdhëniet shumë të mira dhe ata më duan mua edhe Serbinë, por janë disa grupe kriminelësh nëpër male të cilët do t’i vrasë të gjithë”. Dhe ajo luftë sipas asaj mendësie të Millosheviqit po vazhdon edhe sot veçse më e sofistikuar, më e acaruar, më e masivizuar, më me ashpërsi, si dhe më me inskenime të pa konceptueshme normalisht, por ja që armiku atë punë ka dhe do të bëjë përpjekje të pa ndërprera për t’ia arritur qëllimit të tij.
Në këtë vazhdë të veprimtarisë kundërkombëtare shqiptare, është edhe marrja peng e një grupi luftëtarësh veteranë në Hagë, për t’i ”gjykuar për krime lufte”, pikërisht sepse kështu i ndërtoj dosjet e akuzave Beogradi. E është detyrë që ne të mos lejojmë më të na nëpërkëmben veteranët e Luftës së UÇK-së nga armiqtë dhe ata që u shërbejnë atyre. E për këtë në radhë të parë duhet të pastrojmë vetveten. Të kuptojmë shqiptarisht se mbi vlerat tona askush nuk duhet lejuar të hedhë baltë. Dhe kjo jo për hatër të luftëtarëve veteranë, por për hatër të krenarisë kombëtare dhe të sigurisë kombëtare.
Nëse e kuptojmë se nuk mund të kemi as siguri të kombit e shtetit e as krenari të kombit e shtetit, duhet pikërisht të tregojmë se si dimë ne t’i vlerësojmë e nderojmë luftëtarët veteranë që i kanë shërbyer atdheut në luftën që kemi kaluar. Pasi burrat dhe gratë e kombit tonë do të marrin qëndrimin e duhur e do të bëjnë veprimin e duhur, vetëm në qoftë se do të dinë e populli i tyre, atdheu i tyre, shteti i tyre dhe kombi i tyre do t’i vlerësojnë e nderojnë për veprën që do të kryejnë. Por nëse ne tregojmë siç po tregojmë mosvlerësim për veteranët e Luftës së UÇK-së, mbi çfarë modeli do t’i thërrasim burrat e gratë e Kosovës a të gjithë shqiptarisë për të mbrojtur atdheun në rast se do të na kërcënohet siguria e tij? Pse një burrë a një grua shqiptare duhet të shkojë të bëjë sakrificë për një popull që nesër do ta përbuzë? Përse duhet një luftëtarë të jetë i pa vlerësuar dhe i nëpërkëmbur prej atij burri a gruaje shqiptare që kur është kërcënuar siguria e atdheut dhe e shtetit ka ikur nga sytë këmbët? Dhe këtë nuk po e imagjinoj, por po arsyetoj mbi bazën e asaj çfarë kam parë e po shoh çdo ditë në Kosovë. Dhe për këtë unë personalisht fajësoj politikën që bëhet kryesisht nga politikanë të cilët kërkojnë të marrin pushtet me çdo kusht, megjithëse nuk kanë investuar asgjë, po asgjë për këtë shtet të Kosovës që duan ta sundojnë a qeverisin. Por që realisht ata që përpiqen të njollosin historinë e lavdisë për të marrë pushtet me çdo kusht nuk mendojnë si të qeverisin, ata thjeshtë kanë synim të sundojnë.
Prandaj do të desha që të gjithë mekanizmat shtetërorë, si në gjithë botën të kenë të drejtat e dekorimit. Të ketë dekorata të veçanta me ligj kryetari i komunës, komandantët e forcave të FSK-së, komandanti i FSK-së, ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, kryeministri dhe presidenti. E të gjitha këto nivele të kenë të drejtën ligjore, që të veçojnë në datat e caktuara të nderimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, në Ditën e Veteranëve, në Ditën e Dëshmorëve, në Ditën e Çlirimit etj., për të shpërndarë dekorata e urdhra, për më të merituarit e për të gjithë ata që në një çast të caktuar kanë një eveniment, si ditëlindje, përvjetorë karriere etj. Një veprimtari e tillë mendoj se do ta mbante ndezur ndjenjën e nderimit për luftëtarët veteranë e dëshmorët e atdheut, duke e përcaktuar motivacionin meritor, sipas një vlerësimi profesional e ligjor.
Prandaj edhe duhet që shteti të ketë një Ditë të Veteranëve si ditë zyrtare të përkujtimit e nderimit të të gjithë luftëtarëve të Luftës së UÇK-së e ndoshta të jetë kjo ditë edhe një ditë e të gjithë luftëtarëve për atdhe e komb në të gjitha kohët e historisë së Kosovës në veçanti e asaj shqiptare në përgjithësi. Duke e bërë pra këtë ditë jo thjeshtë një ditë paradash, fjalimesh e përshëndetjesh, por një ditë për të reflektuar thellë mbi jetën dhe sakrificat e burrave dhe grave që kanë çliruar Kosovën e që kanë mundësuar të ndërtohet shteti i saj, duke nderuar guximin e tyre, përkushtimin e tyre dhe ndjenjën e tyre të thellë të detyrës për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për liri. Prandaj veteranët tanë përfaqësojnë më të mirën tonë, ata janë vullnetarët e çlirimit, garantuesit e lirisë tonë. E të organizosh me ta parada zyrtare në Ditën e Veteranëve, do të thotë t’i fuqizosh ata. Dhe kështu t’i japësh zemër e forcë gjithë popullit, gjithë atdheut e kombit. Të kuptojmë se pa këta njerëz që luftuan për vendin tonë, ne nuk do të ishim sot në nivelin e lirisë e krenarisë ku jemi.
Të ruhemi nga tendenca për ta injoruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke këmbëngulur se UÇK-ja ka qenë e vogël dhe e pa organizuar, sepse po bëhen përpjekje që të pavleftësohet roli i UÇK-së në lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot. Prandaj apeloj të hiqet dorë nga përpjekjet për t’i identifikuar veteranët luftëtarë të UÇK-së me anëtarësinë e partive politike. Sepse veteranët nuk janë as të partive të majta, as të atyre të djathta, as të atyre të verdha e as atyre me lara. Veteranët janë të kombit e si të tillë vlen të nderohen e respektohen të parët.
Nuk mund të flitet për një shtet serioz kur nuk nderohen Veteranët të cilët kanë veprën e tyre në themelin e shtetit. Prandaj shteti duhet të veprojë, pasi nuk nderon vetëm veteranët, por nderon luftën, nderon qëndresën, nderon heroizmin e luftëtarëve dhe gjakun e derdhur.
Është thënë se: Asnjë vendi të lirë nuk i mungojnë veteranët e luftës, sepse ata, parimisht, janë arsyeja e lirisë. Ndërsa injorimi, anashkalimi e përbuzja e tyre është frikë nga guximi i tyre. Pasi unë po shoh se këtë e bëjnë të gjithë ata që kur veteranët luftëtarë nëpër frontet e luftës guxonin ata nuk guxonin. Dhe e kuptoj që këtë ndryshim të madh përbuzësit e sotëm nuk mund ta falin. Sepse burracakët s’i shohin dot me sy heronjtë.
Dhe ajo që dua të përkujtoi është se Dita e Veteranëve nuk duhet ngatërruar me Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve. Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve nderon luftëtarët e rënë në frontet e luftës. Dita e Veteranëve u bën homazhe të gjithë veteranëve të UÇK-së – të gjallë apo të vdekur – por veçanërisht falënderon veteranët e gjallë që të ndihet në vijimësi ndjenja e nderimit për prurësit e lirisë. Duke treguar kështu se ne jemi vend i trimave dhe dimë t’i nderojmë trimat tanë.
Veç sa për ta ditur, ju them: Serbia sot vlerëson se ka pasur rreth 250 mijë pjesëmarrës në luftën e Kosovës në vitin 1999. Dhe serbët siç shihet megjithëse kanë një faturë shumë më të lartë për të shlyer, u bëjnë këtyre që i quajnë veteranë të luftës, nderimet dhe vlerësimet më të larta çdo vit, prej vitit 1999, kur Millosheviqi organizoi paradë ushtarake me ta në Beograd dhe në vazhdimësi vit pas viti nderohen, vlerësohen, shpërblehen e dekorohen nga autoritetet qendrore të shtetit dhe organizatat e ndryshme që merren me këto çështje.
Ndërsa UÇK-ja që luftoi për ta çliruar Kosovën dhe arriti ta bëjë edhe shtet, i ka sot veteranët pa një dekoratë trimërie, pa një dekoratë mirënjohjeje.
Prej nga shihet se: Ne në luftë dje guxuam. Sot ata që bëjnë politikë në paqe dështuan.
Apeloj të marrë fund ky trend.
Sepse ka edhe më tej: Veteranët tanë, janë heronjtë më meritor në botë. Të gjithë veteranët në botë bëjnë luftë, mbrojnë atdheun, shërbejnë diku, kryejnë një detyrë të rrezikshme, kryejnë një mision diku. Ndërsa veteranët tanë bënë një luftë të madhe, u përleshën me pushtuesin shumë më të fuqishëm, krijuan një ushtri nën pushtim, bënë një luftë të qartë, e bënë ushtrinë qytetare të respektuar të botës moderne, e bënë ushtrinë botërore NATO bashkëpunëtore dhe bashkëluftëtare të vetes, e morën forcën ajrore të NATO-s nën komandë, duke bërë që për herë të parë shqiptarët të komandojnë botën, çliruan atdheun tonë Kosovën, krijuan shtetin dhe e bënë atë të jetë shtet bashkëpunëtor i shteteve më moderne e më të mëdha të botës dhe i thanë popullit, merre, ja ku e ke atdheun të lirë, ja ku e ke shtetin të respektuar, ja ku i ke shenjat e luftës të zhdukura, zhvilloje dhe çoje në të ardhmen.
E sot po e ritheksoj, udhëheqësit e asaj lufte janë marrë peng nga mafia politike europiane e mbahen të izoluar në Hagë, nga një prokurori mostër bashkëpunëtore e mafies kriminale të shtetit të Serbisë që vijon politikat fashiste e gjenocidale të shtetit të Millosheviqit. Dhe çka është më e keqja, shteti që ka lindur si rrjedhojë e luftës që po e mbrojnë ata me jetët e tyre, nuk është në një front me ata, por përkundrazi jo vetëm lejon të ngrihen akuza, por ngre edhe vetë akuza. Vërtetë si mund t’i japin të drejtë vetes këta shtetarë?
Prandaj apeloj, që kombëtarisht të gjithë të vëmë atdheun e kombin mbi veten. Askush mos ta identifikojë atdheun e kombin me veten sepse përveç humbjes së vetvetes edhe atdheut e kombit i shkakton dhimbje të mëdha.
Të mbajmë në vëmendje se udhëtimi i secilit veteran karakterizohet nga një ndjenjë e thellë e detyrës dhe një dashuri e pakufishme për vendin e tyre, pikërisht se dinë ta vënë vendin mbi veten, për të përballuar fatkeqësitë me vendosmëri të palëkundur dhe për të mbrojtur vlerat që e bëjnë Kosovën shtet krenar dhe kombin shqiptar komb të sigurt. Dhe të kuptojmë e të thirremi në fuqinë unifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është modeli i unitetit të shqiptarëve në luftë për çlirim. Duke pasur të qartë se çdo veteranë i Luftës së UÇK-së, ndjen keqardhje që ka vetëm një jetë për t’ia falur atdheut.
Sepse duhet ta dimë mirë se nuk është ndonjë fuqi mbinatyrore që na shpëtoi nga pushtimi jugosllav e serb dhe nga gjenocidi i Millosheviqit, por ishim ne, ishin luftëtarët e UÇK-së, që kishin në ndërgjegje pasionin e lirisë. Nderojini e dojini ata se është treguesi sa e doni veten o shqiptarë.



