Vetëvrasja e poetëve, efekti Sylvia Plath

31 tetor 08:11

Nga: Senad Guraziu

Në shkurt të vitit 1963, vetëvrasja e poetes Sylvia Plath sikur e pati “lëkundur” dhe vetë botën e dhimbjes e të pafajësisë – poetja u gjet e vdekur nga helmimi me monoksid karboni në kuzhinën e saj, pasi kishte futur kokën në furrë. Poetja vuante dhe qe katandisur në një gjendje të rëndë depresive. Me lecka të lagura e me rroba do t’i izolonte dyert e dhomës mes kuzhinës dhe fëmijëve të fjetur, dhe kështu i mori jetën vetes në moshën 30 vjeçe, duke lënë prapa dy fëmijë fare të vegjël.

Kohë më parë, para se të arrinte tek akti final, poetja fatkeqe do kishte hedhur diku në letër:

“Tmerrohem nga kjo gjë e errët që fle brenda meje”.

Thuhet se ka më shumë se 160 poetë të cilët i kanë marrë jetën vetes. Sa për t’i përmendur ca emra, sadopak më të njohur; Sergei Yesenin, Sylvia Plath, Virginia Woolf, Alfonsina Storni, Paul Celan, Vladimir Mayakovsky, Cesare Pavese etj.

Vjersha “Lamtumirë mik, lamtumirë” na kujtohet pak a shumë të gjithëve – krijimi i fundit poetik i njërit prej poetëve më të njohur dhe më të popullarizuar rusë të shek. XX, Yeseninit. Në dhjetorin e vitit 1925, poeti u gjet i vdekur në dhomën e hotelit “Angleterre” në Shën Petersburg. Thuhet se qe ankuar t’i kishte mbaruar boja, dhe se qe detyruar të shkruante me gjakun e vet.

Poeti dhe shkrimtari italian, Cesare Pavese, do të bëjë vetëvrasje në moshën 41-vjeçare në dhomën e një hoteli në Torino, ndoshta për shkak të dashurisë “fatkeqe” dhe rritjes së zhgënjimit nga politika. Gjithsesi poeti vuante dhe depresioni i tij ishte përkeqësuar. I ngrati poet, pothuajse përherë i refuzuar nga shumë femra, përfshirë dhe nga aktorja amerikane Constance Dowling. Në poezitë e tij bukuroshja amerikane shpesh “simbolizohet” me pranverën (“fytyra e pranverës”). Romanca e tyre e arriti kulmin në marsin e vitit 1950 (kur ai i pati kaluar disa ditë me të). Njëra nga poezitë e tij të fundit titullohet “Vdekja vjen dhe do t’i ketë sytë e tu” (ky titull padyshim na e “përkujton” titullin e romanit të mëvonshëm të shkrimtarit kosovar Rexhep Qosja, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”).

Do t’ketë ditë të tjera, / do t’ketë zërash të tjerë. / Do buzëqeshësh në vetmi. / Macet do ta dinë. / Do dëgjosh fjalë të lashta, / të lodhura e të kota / si kostumet ngelur / nga festat e së djeshmes. [ Cesare Pavese (1908-1950) – I gatti lo sapranno (“Macet do ta dinë”), Prill 1950 ]

Është i njohur i ashtuquajturi “Efekti Sylvia Plath”, si fenomen që poetët janë më të ndjeshëm ndaj depresionit e ndaj sëmundjeve mendore, sesa krijuesit e tjerë. Termi “Efekti Sylvia Plath” qe krijuar ose përdorur rreth dy dekada më parë, në vitin 2001 nga psikologu J. C. Kaufman. Kuptohet, arritjet shkencore dhe njohuritë e deritashme s’janë dhe s’mund të jenë përfundimtare, studimet në këtë drejtim nënkuptojnë mundësitë për hulumtime të mëtutjeshme. Sidoqoftë “Efekti” i psikologut Kaufman pra e mban emrin e poetes Sylvia Plath.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga sot në të gjitha komunat e Kosovës nis vaksinimi…