Vettingu në sistemin e drejtësisë, i domosdoshëm dhe i pashmangshëm

13 maj 16:31

Nga Adnan Rrustemi

Në momentumin në të cilin ndodhemi, është tejet e vlefshme të diskutohet sa i përket vettingut, për të cilin si subjekt politik fillimisht e si Qeveri me pas, jemi zotuar dhe po punojmë në vazhdimësi për ta jetësuar atë.

Nuk mendoj se diskutimi duhet shtruar mbi atë se a kemi nevojë për vetting apo jo. Vetingun e shohim të domosdoshëm dhe të pashmangshëm. Diskutimi duhet shtruar në atë se si duhet zhvilluar ky proces, në mënyrë që të vërtetojë gjyqtarët dhe prokuroret me integritet dhe profesional, e të largojë ata që vazhdojnë të jenë të ndikuar politikisht apo nga grupet e ndryshme të interesit, e të cilët kanë integritetin e kontestuar dhe profesionalizmin e munguar.

Siç edhe jeni në dijeni, tashmë jemi në pritje të Opinionit nga Komisioni i Venecias për çështjen e vettingut, që është ngushtë i lidhur dhe parakusht i reformës përmbajtjesore që ka nevojë ta përjetojë sistemi ynë i drejtësisë.

Ne kemi qenë dëshmitarë përgjatë viteve të qindra dështimeve, të cilat me e pa qëllim, e kanë lënduar rëndë kredibilitetin dhe perceptimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Natyrisht se pushtetet janë të ndara dhe as që diskutohet se ne e respektojmë këtë parim, por në të njëjtën kohë, dëshirojmë që sistemi i drejtësisë të jetë njëmend i pavarur e i paanshëm, profesional dhe efikas.

Prandaj, duke u bazuar edhe në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, konsiderojmë se zhvillimi i procesit të vettingut si mekanizëm do të mundësojë kurim të problemeve të thella aktuale, të cilat shpërfaqen jo vetëm në raportet e organizatave serioze ndërkombëtare, por sidomos edhe në jetën e përditshme në vendin tonë.

Në këtë drejtim, me synim për ta përmirësuar këtë situatë me plot vështirësi, qysh në fillim të mandatit të Qeverisë është iniciuar pa humbur kohë procedimi për formimin e Grupit Punues për hartimin e modelit të vettingut, që e ka përgatitur Koncept-dokumentin në të cilin janë paraparë të gjitha elementet e mundshme, të formateve të ndryshme, në mënyrë që të sigurohet një analizë gjithëpërfshirëse dhe sa më e përshtatshme për aktualitetin e sistemit tonë.

Procesi i vettingut përkrahet masivisht nga qytetarët tanë që duan drejtësi efektive, por unë e di dhe jam i bindur se edhe nga akterë të tjerë, qoftë nga opozita, shoqëria civile dhe grupe të tjera, e vlerësojnë vettingun si të vetmin instrument që e rritë përgjegjshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin moral brenda sistemit të drejtësisë.

Rrjedhimisht, unë nga cilësia e kryetarit të Komisionit më të rëndësishëm të Kuvendit sa i përket sistemit të drejtësisë, do t’ju kisha ftuar që në secilën mundësi që u jepet për diskutime e bashkëbisedime me faktorët e këtushëm ose ata ndërkombëtarë, ta vendosni patjetër theksin tek rëndësia, nevoja dhe roli që ky proces jetik ka për sistemin tonë.

Sa i përket ndonjë modeli të caktuar për implementimin e vettingut, besoj se për këtë duhet bërë më shumë studim dhe analizë, e mbi këtë bazë të procedohet më tutje në zbatim. Por, rëndësia absolute qëndron te fakti i domosdoshmërisë që ka vettingu, për një sistem të drejtë të drejtësisë.

Rezultatet e tij, duke marrë për bazë situatën siç është tash, natyrisht se do të ishin pozitive, për shkak se vetë ideja e realizimit të vettingut, do t’i bënte gjyqtarët e prokurorët më të përgjegjshëm dhe më llogaridhënës.

Tash, paramendojeni se kur vetëm ideja e vettingut ndihmon, çfarë impakti do të kishte organizimi dhe zbatimi i tij në tërësi?!

Vizioni ynë mbetet i qartë – kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe rritja e rezultateve dhe performancës së institucioneve të drejtësisë përmes hartimit të politikave adekuate dhe zhvillimit të procesit të vettingut.

Marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi, ne kemi vullneitin dhe vendosmërinë për ta mbështetur e çuar tutje këtë reformë të rëndësishme të sundimit të ligjit dhe nga roli dhe pozicioni ynë, shprehim gatishmërinë tonë të plotë për ndihmë të shumanshme në funksion të këtij procesi, në mënyrë që ta kemi integritetin dhe profesionalizimin në institucionet e drejtësisë, e ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, nga këtu do kisha dashur të inkurajoj edhe anëtarët e nderuar të Komisionit të Venecias që t’i japin dritë të gjelbër implementimit të këtij procesi në vendin tonë, që është zgjidhja e vetme dhe më e mira për ta rikthyer kredibilitetin në sistemin e drejtësisë, dhe të njëjtin ta bëjmë meritor, efikas e funksional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ashtu siç pritej, Alfred Schreuder ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare…