
Veturat e marra me qira po kushtojnë më shumë se blerja e tyre
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar qeverinë Kurti për shpenzime të pajustifikueshme dhe manipulime financiare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek kontratat për marrjen me qira të veturave nga institucionet shtetërore.
“Qeveria po krijon shpenzime marramendëse. Kjo qeveri po jep miliona euro për veturat me qira, të cilat realisht do të kushtonin shumë më lirë nëse do të bleheshin dhe do të ishin asete të shtetit”, deklaroi Shala.
Sipas tij, kjo qasje është bërë tashmë pjesë e praktikës së përditshme të qeverisë dhe përbën një formë të keqpërdorimit të buxhetit.
“Pra, kjo është praktikë e Kurtit dhe qeverisë së tij, me manipulimet financiare”, theksoi për FrontOnline.
Deputeti Shala vlerësoi se mënyra se si po shpenzohen mjetet publike është e gabuar dhe jashtë kuadrit ligjor.