Vihet gurthemeli i çerdhes për fëmijë në rrugën “Rexhep Bislimi”

01 dhjetor 2020 | 14:46

Investimet në përmirësimin e infrastrukturës shkollore mbeten prioritete të qeverisjes lokale të udhëhequr nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Ky i fundit bashkë me nënkryetarin Arton Gavazi, drejtorin e Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu dhe drejtorin e Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, pritën në vizitë ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, me ç’rast u vu edhe gurthemeli i çerdhes për fëmijë në rrugën “Rexhep Bislimi” përkatësisht tek ish-Eurogoma, investim ky i Ministrisë së Arsimit në bashkëfinancim me Komunën e Ferizajt.

Tejet të rëndësishëm e vlerësoi këtë projekt i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ai tha se me këtë projekt, Ferizajt po i shtohet edhe një institucion parashkollor, nga një sa kishte në fillim, gjersa tha se edhe pozicioni ky po ndërtohet ky institucion bën një balancë gjeografike mes institucioneve të tilla në qytet.

Ndërkaq ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, duke përgëzuar Ferizajn për këtë projekt, tha se të tilla projekte do të mbështeten në vazhdimësi, me qëllim promovimin e nxitjen e përfshirjes së fëmijëve në institucionet parashkollore.

Projekti për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në rrugën “Rexhep Bislimi” është edhe një balancë gjeografike e shpërndarjes së institucioneve të tilla në zonën urbane, objekt ky që do të ketë 2100 metër katror sipërfaqe, me 14 dhoma mësimi për fëmijë, kuzhinën dhe hapësirat tjera përcjellëse.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpyllëzimi i Amazonës po vijon me ritme shumë të shpejta,…