
“Vite qëndrese dhe mbijetese : fletëza ditari”, libër për luftën
“Vite qëndrese dhe mbijetese : fletëza ditari” i autorit Kamer Zogaj ka dalë nga shtypi. “Shënimet e këtij ditari, pas një ndërprerjeje, vendosa t’i vazhdoj. I shënova në të ngjarjet më të rëndësishme të cilat e kanë përcjellë realitetin e hidhur të Kosovës”, ka njoftuar autori.
Në këtë ditar përshkruhen përpjekjet e pareshtura që bëri populli shqiptar për ta shporrur pushtuesin serb nga vatrat tona stërgjyshore.
Gjendja e rëndë në arsim, dhuna sistematike, dëbimi i dhunshëm nga vendet e punës, protestat studentore, rezistenca paqësore dhe lufta për liri dhe për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, janë disa nga ngjarjet më të rëndësishme në shënimet e këtij ditari.
“Shpresoj se shënimet e këtij ditari do të jenë pjesë e memories sonë sa të dhimbshme po aq të lavdishme”, ka shkruar autori në parathënien e librit që ka subvencionuar për botim Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e komunës së Fushë-Kosovës.
Shënime për autorin
Kamer Zogaj (1956) lindi në Tërpezë, komuna e Malishevës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmin në Drenas. Në vitin 1976 filloi punën në mihjen sipërfaqësore “Kosova” në Bellaçevc në kudër të KEK-ut, ish-Elektroekonomia e Kosovës, deri më 1990, kur largohet nga puna, ngaqë s’u nënshtrohet masave të dhunshme që u vendosën në atë kohë. Më pas vazhdoi studimet në ShLP në Gjakovë dhe mori titullin Arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitin 1992 filloi punën në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Tërpezë, në të cilën u dallua për punë përkushtuese me nxënës dhe aktivitete të lira deri në vitin 1997. Në vitin shkollor 1997 vazhdoi punën arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Fillore “Rifat Berisha” në Berishë, në të cilën u pensionua në vitin 2021. Përveç punës së suksesshme për edukimin e brezave të rinj, për të cilën disa herë është shpërblyer me mirënjohjen “Mësues i dalluar”, që në bankat e shkollës dallohej me krijimtari letrare. Punimet e tij letrare janë botuar në gazetat që botoheshin atyre viteve në Kosovë. Ishte anëtar i Klubit Letrar “Lulekuqet e Kosovës” në Obiliq. Ka marrë pjesë në shumë orë letrare që organizoheshin në Kosovë. Ka punuar bashkëpunëtor i gazetës së punëtorëve “Kosova” dhe ka qenë korrespondent i Radio Prishtinës. Aktualisht jeton në Fushë-Kosovë.
Libri “Vite qëndrese dhe mbijetese : (fletëza ditari)” është libri i tij i parë.