Vjedhja e votave, prokurorja takohet me zëvendësdrejtorin e policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, kanë pritur në takim pune zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti dhe drejtorin e departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, ka informuar të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Më tutje, Pula ka theksuar se pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të fillohej grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi.
Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, ka potencuar se policia, ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit.




