Vjedhjet dhe Plaçkitjet

09 qershor 2021 | 12:39

Shkruan: Arben Dashevci

Vjedhjet dhe plaçkitjet janë realitet, vjedhjet dhe plaçkitjet nuk janë sikurse në filmat e llojit “Fast and Furious” sepse ai është vetëm film ka skenaristin, aktorët/et, regjisorin dhe  fundi është gjithmonë i mire sepse është film.

Kurse kriminalistika dhe kriminalisti vepron atëherë kur është pjesa e reklamave në atë film pra aty ku përfaqësohet fakti dhe realiteti.

Vjedhjet  dhe plaçkitjet shkaktojnë trauma viktimës, humbje dhe dëme financiare  në disa raste dëme trupore, dhe në raste  edhe me jetë.

Është trishtuese sepse lenë pasoja me trauma afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata

Prandaj nëse ky shkrim i imi si kriminalistit vetëm edhe një njeriu do ti ndihmojë si këshillë dhe preventivë, atëherë  mundi im nuk do të shkoj huq, unë do të jam personi më i lumtur në botë.

Vjedhjet

Vjedhjet e rëndomta janë forma më e përhapur dhe më masive e kriminalitetit pronësor. Përveç numrit të madh të vjedhjeve, një numër i madh i këtyre veprave kryhen nga vjedhës profesionistë, të cilët e bëjnë këtë në mënyrë individuale apo në grupe të organizuara.

Vjedhjet e rëndomta  shndërrohen në vjedhje të rënda jo vetëm nëse kryhen me thyerje, por edhe nëse kryhen nga më  shumë persona që janë bashkuar me qëllim të vjedhjes dhe, sidomos kur vjedhja bëhet në mënyrë të rrezikshme nga persona të armatosur ose të pajisur me mjete të sulmit apo të mbrojtjes.

Shumica e vjedhësve profesionistë ka përvetësuar një apo më shumë mënyra të kryerjes se vjedhjeve, në të cilat bëjnë pjesë jo vetëm mënyra e veprimit, por edhe vendi edhe koha e kryerjes, lloji i gjërave të vjedhura, objektet ku kryhen vjedhjet etj.

Disa vjedhje grupore karakteristike:

Vjedhjet e banesave: Kryhen kur vjedhësi hyn në banesë fshehurazi kur brenda nuk gjendet askush ose duke i mashtruar banorët (duke u shtirur si shitës, si punëtor i shërbimeve publike, si njeri që kërkon ndonjë të njohur apo të afërm), duke  shfrytëzuar edhe pakujdesinë më të vogël të banorëve.

Vjedh para, stoli, pajisje teknike, veshmbathje etj. Këto forma të vjedhjes në aspektin kriminalistik njihen edhe si vjedhje “fshehurazi”.

Vjedhjet në hotele dhe lokale të tjera publike: kryhen kur dyert e dhomave nuk janë të kyçura, derisa mysafirët flenë ose kur mysafirët dalin përkohësisht dhe I lënë dhomat e hapura. Në hotele vidhen para, stoli, rroba, mjete të ndryshme teknike, etj.

Vjedhjet e shitoreve: kryhen në mënyrë të organizuar sipas sistemit të “mbulimit” dhe tërheqjes së vëmendjes (zakonisht një prej anëtarëve të grupit merr ndonjë gjë të imët për të tërhequr vëmendjen e shitësit apo punëtorit të arkës, ndërsa të tjerët marrin shpejt gjëra me vlerë të madhe.

Vjedhja me “këmbë”

Janë vjedhje në mjetet e komunikacionit: vjedhja e valixheve të udhëtarit të fjetur në tren, ndërrimi ose vjedhja e valixheve në stacionin e trenit ose autobusit apo në limane, vjedhja e gjërave të ndryshme të udhëtarëve në kabinat e anijeve gjatë kohës së qëndrimit në liman, vjedhja e thasëve të postës gjatë kohës së transportit, etj.

Mundësitë e vjedhjes në autobus janë shumë më të vogla, sepse udhëtari, gjatë kohës së udhëtimit, nuk mund ta lë ulësen e tij, siç mund të bëjë në tren.

Prandaj vjedhja në autobus mund të bëhet vetëm në stacionet përgjatë rrugës, kur udhëtarët dalin për pak kohë nga autobusi i lënë pa mbikëqyrje valixhet e gjërat e tyre( çantën, valixhen e vogël, pallton, etj).

Vjedhjet në plazh kryhen  gjatë kohës që njerëzit lahen ose i lënë gjërat e tyre pa mbikëqyrje  dhe në kabinat e plazhit.

Këto janë vetëm disa prej formave më të përhapura të vjedhjeve, individuale ose në grup, të cilat i kryejnë disa persona që e kanë vjedhjen si “punë”.

Vjedhjet e xhepave

Vjedhjet e xhepave, në kuptimin penalo-juridik, kualifikohen si vjedhje të rënda e ndonjëherë edhe si vjedhje të rëndomta. Kjo varet nga shkalla e manifestimit të paturpësisë gjatë vjedhjes. Por, nga aspekti i kriminalistikës, është e drejtë të ndahen si forma të veçanta manifestive sepse ato kryhen nga vjedhës profesionistë.

Vjedhësit e xhepave operojnë në vendet ku grumbullohen masa të mëdha njerëzish, sidomos kur krijohet tollovi (në stacione të autobusit e trenit, në tramvaj, në autobus urban në treg në panair, në ekspozita, etj) në manifestime publike (kinema, teatër, cirk, ndeshje sportive etj ).

Disa vjedhës të xhepave kryejnë vjedhje edhe ndaj personave të vetmuar, sipas sistemit të “përplasjes” (përplasen qëllimisht në kalimtarin, të cilit ia fusin duart në xhep, derisa “ i ndihmojnë’ ta marrë veten).

Vjedhësit e xhepave kanë gishtërinjtë të lëvizshëm për t’i futur në xhepa në mënyrë të pahetueshme janë të qetë dhe të aftë të përshtaten në situate të ndryshme. Por, ata janë edhe të paturpshëm, të gjindshëm , të aftë të përdorin truqe të ndryshme dhe të aftë të vlerësojnë dhe të zgjedhin viktimat e vërteta.

Ata veprojnë në mënyrë individuale apo në grupe. Kur operojnë individualisht, mbulojnë pamjen me gazeta, kapela, pallto që i mbajnë në dorë, etj., mënyrë që të mos i shohin të tjerët duke futur duart në xhepa të huaj.

Kur operojnë në grupe, kanë role te ndara: njëri prej tyre është kryes i drejtpërdrejt (“nxjerrës”), ndërsa të tjerët e kryejnë rolin e “mbuluesve”, “shtrucerëve” ose dërguesve.

Mbuluesit krijojnë “murin” rreth viktimës dhe krijojnë tollovi për të mundësuar operimin e “nxjerrësit”. Pas kryerjes së punës, ata hedhin gjithçka që do të mund ti vinte në lidhshmëri me vjedhjen e kryer.

Vjedhjet me thyerje

Këta vjedhës  janë më së shpeshti kriminelë profesionistë, të cilët kryejnë thyerje të shumëfishta e të përsëritura, në vende të ndryshme dhe në mënyrë serike. Ata gjithnjë e më shumë përdorin automjete për të shkuar nga një lagje në tjetrën ose nga një vend në tjetrin.

Për kryerjen e thyerjes ata përdorin mjetet më të ndryshme, si: sëpatat, çekanët, kaçavidat, darët, shufrat, sharrat e hekurit ,shpueset elektrike, aparatet për saldim etj., duke  përfshirë edhe mjete të ndryshme plasëse, pajisje kompjuterike, etj.

Vjedhjet me thyerje mund të ndahen në grupe, disa prej të cilave janë:

Vjedhjet në banesë: kryhen duke hapur dyert me çelës të kopjuar, me ndonjë shufër hekuri, me thyerjen e bravës, me nxjerrjen e dyerve nga vendi, duke hyrë nëpër dritare, ballkon apo tavan, me thyerjen e murit, etj.

Profesionistët e thyerjes e vëzhgojnë objektin që do ta sulmojnë, ndërsa zgjedhjen e objektit e bëjnë më bazë të vlerësimit se në të gjejnë para, stoli gjëra me vlerë, pajisje të ndryshme etj. Ata i kryejnë vjedhjet në kohën që banorët nuk janë në banesë dhe në kushte më të përshtatshme.

Thyerja e objekteve tregtare: (shitoret, depot, vitrinat, etj.) bëhen duke i hapur dyert me çelës të kopjuar, me shufra hekuri, me prerjen e bravës, prerjen e grilave mbrojtëse, me demolimin e derës nga vendi, thyerjen e dritave apo vitrinave, etj.

Thyerja e automobilave: kryhet duke i hapur dyert me çelës të kopjuar, ose duke i hapur apo duke i thyer xhamat e dritareve, ose me kode të ndryshme jemi në kohën modern të dixhitalizimit. Thyerja  e automobilave është një formë relativisht e re e kriminalitetit pronësor, me tendencë të rritjes. Thyerjet e automobilave kryhen më së shpeshti në parking, në hapësira të errëta.

Ato kryhen me qëllim të vjedhjes së automobilit, me qëllim të vjedhjes në automobila ose me qëllim të vjedhjes së automobilit për vozitje etj.

Thyerjet e automjeteve, përveç fillestarëve midis të cilëve shpesh ka edhe të mitur, gjithnjë e më shumë bëhen nga hajna profesionistë, të cilët janë të specializuar për këtë formë të kriminalitetit. Shpesh bëhet fjalë edhe për grupe të organizuara, të cilat kryejnë seri thyerjesh për një kohë të shkurtër.

Plaçkitjet

Plaçkitja bën pjesë në deliktet më të rënda pronësore , sepse plaçkitësi nuk heziton të lëndojë, të plagosë apo edhe të vrasë viktimën, për të arritur qëllimin e vet.

Një formë shumë e rrezikshme e plaçkitjes është vjedhja me plaçkitje.

Dallimi midis plaçkitjes dhe vjedhjes me plaçkitje qëndron në faktin se kryesi i plaçkitjes e përdor dhunën ose kërcënimin për të marrë një gjë me vlerë nga viktima, ndërsa kryesi i vjedhjes me plaçkitje e përdor dhunën ose kërcënimin për ta mbrojtur gjënë e plaçkitur.

Pra, te plaçkitja dhuna ose kërcënimi ndodhin para kryerjes së veprës ndërsa te plaçkitja me vjedhje dhuna ose kërcënimi ndodhin pas plaçkitjes.

Plaçkitja e kalimtarëve në rrugë: është forma më primitive, më e shpeshtë dhe më e përhapur e plaçkitjes. Në shumicën e rasteve të plaçkitjes në rrugë kryesit janë të rinj, madje edhe të mitur.

Objekt i  plaçkitjes në rrugë janë gratë (të cilave u plaçkiten çantat), pleqtë personat e dehur dhe kalimtarët e vetmuar (të cilëve u plaçkiten para apo stoli), ndërsa plaçkitësit kryhen kryesisht në orët e mbrëmjes, në rrugët e errëta. Plaçkitësit i detyrojnë viktimat e tyre t’ua dorëzojnë gjerat që kërkojnë ose ua marrin me dhunë.

Plaçkitjet me frikësim: sikur edhe dhuna seksuale, kryhen kryesisht në mënyrë  individuale e rrallë në mënyrë grupore. Ato kryhen më së shpeshti natën, në rrugica të errëta pa dritë, në parqe, në automjete, ndaj grave, pleqve, personave të vetmuar, qifteve të të dashuruarve.

Në rastin e plaçkitjes së grave, mund të ndodhë që plaçkitësit edhe t’i dhunojnë  viktimat (pas marrjes së çantës, stolive, parave).

Pas plaçkitjes me frikësim të qifteve ka edhe raste të keqtrajtimit të mashkullit dhe të dhunimit të femrës.

Në këto raste, plaçkitja me frikësim transformohet nga delikti pronësor në vepër penale të dhunës seksuale.

Plaçkitjet me frikësim të institucioneve financiare dhe objekteve tjera, në të cilat përdoren shuma të mëdha parash (banka, posta, arka të objekteve tregtare, pompa derivatesh etj.), të cilat janë format më të rrezikshme për shkak se kryhen nga grupe të organizuara dhe të armatosur të kriminelëve.

Për dallim nga kryesit e formave primitive të plaçkitjeve, të cilat karakterizohen për më shumë paturpësi dhe vazhduesi sesa inteligjencë, kjo kategori e plaçkitësve karakterizohet për egërsi, shkathtësi, gjeturi, aftësi për shtirje dhe maskim, lëvizshmëri të madhe dhe sensin për përgatitjen dhe planifikimit te plaçkitjeve.

Çdo plaçkitje e tillë i paraprijnë përgatitje të gjata dhe të kujdesshme si: vëzhgimi dhe hulumtimi i lokacionit të objektit të sulmit, renditjes së brendshme të hapësirës, vendit të arkës ose trezorit, të sporteleve të arkëtarëve, personelit, mënyrës së sigurimit etj.

Në bazë të planit detaj, në hartimin e të cilit marrin pjesë edhe kryesit e drejtpërdrejtë të detyrave të planifikuara, ndër të tjera,

Është e nevojshme që:

Të luten paraprakisht të gjitha agjencitë e policisë që të dërgojnë të gjitha të dhënat personale dhe informacionet tjera për personat që konsiderohen si kriminelë profesionistë, në mënyrë që të ndërmerren masat dhe veprimet e domosdoshme për vëzhgimin, dhe parandalimin e veprimeve të tyre.

Para dhe gjatë ardhjes së turmës së njerëzve duhet të ndërmerret kontroll rigoroz në bujtinat legale dhe sidomos në bujtinat ilegale, sepse në to zakonisht fshihen personat që duan të fshehin praninë ose identitetin e tyre.

Në hapësirat e caktuara, të hapura në të cilat vlerësohet se mund të jenë vatra kriminale, organizohen raci (kontrolle), me qëllim të zbulimit, identifikimit dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim dhe kriminelëve tjerë profesionistë.

Duhet të forcohet kontrolli i automjeteve dhe i vozitësve në hyrje te qytetit, si edhe kontrolli i personave në stacionet e autobusëve dhe të trenave, në mënyrë që të bëhet identifikimi dhe parandalimi i kriminelëve profesionistë.

Duhet të forcohet vëzhgimi dhe kontrolli i objekteve, hapësirave dhe vendeve më të rrezikuara.

Duhet të formohen grupe operative (të përbëra nga punëtorë të uniformuar dhe civilë të operativës), të cilat do të kryejnë në veprime të drejtpërdrejta preventive dhe represive.

Kujdesi dhe preventive gjithmonë janë çelësi i suksesit, sepse me preventive dhe kujdes te shtuar mbrohemi nga këto dukuri që po marrin përmasa brengoseshe

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme, Bebe Rexha, nuk ngurron në asnjë moment…