Vladimir Putini është më i cenueshëm se kurrë më parë

20 qershor 2025 | 08:52

Burimi: The Daily Telegraph

Nuk janë vetëm ajatollahët e Iranit ata që do të shqetësohen për pasojat e sulmit shkatërrimtar ushtarak të Izraelit kundër vendit të tyre. Shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake të Iranit është një lajm i keq edhe për regjime të tjera despotike, si Rusia, të cilat janë bërë shumë të varura nga mbështetja e Teheranit.

Qëkur presidentit rus Vladimir Putin më në fund iu bë e qartë se i ashtuquajturi “operacion i posaçëm ushtarak”, i nisur në shkurt të vitit 2022, nuk do të përfundonte brenda disa ditësh, siç mburrej ai, Moska ka bërë përpjekje të mëdha për të forcuar lidhjet me Teheranin.

Rusia dhe Irani nuk janë aleatë të natyrshëm. Populli iranian ruan ende kujtimet e hidhura nga pushtimi sovjetik i Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, është zhvilluar një aleancë me përfitime të ndërsjella midis Moskës dhe Teheranit: rusët kanë qenë shumë të përfshirë në ndërtimin e centralit bërthamor të Bushehrit në Iran.

Konflikti në Ukrainë, megjithatë, ka çuar në një forcim të ndjeshëm të lidhjeve mes dy vendeve. Kjo nisi në verën e vitit 2022, kur Putini vizitoi Teheranin dhe negocioi një marrëveshje që Irani t’i furnizonte me dronë dhe raketa forcat e tij të rrethuara. Këto armë janë përdorur më pas në sulmet ndaj ushtrisë ukrainase dhe infrastrukturës kritike.

Varësia në rritje e Rusisë nga Irani, për mbështetje ushtarake, çoi gjithashtu në nënshkrimin nga Putini të një “partneriteti strategjik gjithëpërfshirës” 20-vjeçar, me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, në Moskë, në janar të këtij viti – vetëm tre ditë para se Donald Trump të betohej për mandatin e tij të dytë si president.

Në këmbim të furnizimit të vazhdueshëm nga Irani me dronë, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për fushatën e Rusisë në Ukrainë, Moska shprehu gatishmërinë për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore të Iranit. Kjo ashiqare nuk ka arritur ta pengojë Izraelin që të ndërmarrë ofensivën e tij ushtarake.

Partneriteti përfshin gjithashtu një angazhim të paqartë që të dyja palët të ofrojnë ndihmë ushtarake në rast se ndonjëra prej tyre pushtohet ose sulmohet. Megjithatë, është pak e besueshme që Putini do ta përmbushë këtë, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Brenga kryesore e Putinit, megjithatë, do të jetë ndikimi që do të ketë sulmi i vazhdueshëm i Izraelit ndaj infrastrukturës bërthamore dhe ushtarake të Iranit, për të vazhduar mbështetjen ndaj përpjekjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Që nga fillimi i sulmit të Izraelit, javën e kaluar, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë shënjestruar qëllimisht objektet e prodhimit të dronëve dhe raketave të Iranit, si edhe sistemet e tyre të lëshimit, për të kufizuar aftësinë e Iranit për të goditur Izraelin. Kjo strategji duket se ka dhënë rezultat. Është ulur ndjeshëm numri i dronëve dhe raketave iraniane që raportohet të jenë lëshuar ndaj Izraelit. Nëse iranianët nuk janë në gjendje të sigurojnë armatim të mjaftueshëm për fushatën e tyre ushtarake kundër Izraelit, atëherë nuk do të kenë as mundësi të ndihmojnë ofensivën e Rusisë në Ukrainë.

Një tjetër çështje që me siguri rëndon mbi mendjen e Putinit, është mundësia e humbjes së një aleati tjetër të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, menjëherë pas rrëzimit të regjimit të Assadit në Siri në fund të vitit të kaluar.

Një faktor kyç në përpjekjen e Putinit për të rindërtuar autoritetin global të Rusisë ka qenë rritja e ndikimit në këtë rajon, ku Kremlini është përpjekur të tregojë se është një aleat më i besueshëm, veçanërisht për botën arabe, sesa ShBA-ja.

Në këtë aspekt, ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri në vitin 2015, për të parandaluar rrëzimin e diktatorit sirian Bashar al-Assad nga rebelët islamikë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e imazhit të Moskës; ajo gjithashtu i mundësoi Rusisë të zhvillojë dy baza të rëndësishme ushtarake në Mesdheun lindor.

Me Assadin tashmë të strehuar në Moskë dhe me ajatollahët të përfshirë në një betejë ekzistenciale për mbijetesë kundër Izraelit, pozita e Putinit në rajon është në rrezik të një kolapsi të shpejtë.

Gjendja e vështirë e Iranit gjithashtu e vë Putinin përpara një dileme, për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me Netanyahun. Udhëheqësi rus nuk ka pasur më parë ndonjë hezitim për të mbyllur sytë ndaj sulmeve izraelite kundër Iranit, kur kjo i ka shërbyer interesave të tij. Gjatë konfliktit në Siri, kur forcat ruse dhe iraniane luftonin për të njëjtin qëllim – mbajtjen e Assadit në pushtet – rusët shpeshherë çaktivizonin sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore për të lejuar Izraelin të godiste pozicionet iraniane në Siri.

Por, Rusia nuk është e vetmja pjesë e boshtit të sapoformuar të shteteve despotike – të tjerët janë Koreja e Veriut, Kina dhe Irani – që do të vështrojnë me shqetësim zhvillimet që po ndodhin në Teheran.

Pheniani ka një marrëveshje të vjetër bashkëpunimi me Teheranin: të dy vendet kanë punuar ngushtë për zhvillimin e programeve të tyre bërthamore dhe raketave balistike. Ndërkohë, Pekini ka partneritetin e vet strategjik me Teheranin, që daton prej vitit 2021. Kina, si konsumatori më i madh i energjisë në botë, ka interes të madh për të përfituar nga burimet e mëdha natyrore të Iranit. Por, ky bashkëpunim tani është në rrezik, pasi Izraeli po shënjestron drejtpërdrejt infrastrukturën e naftës dhe gazit të Iranit.

Fushata ushtarake e Izraelit kundër Iranit nuk përbën vetëm kërcënim për mbijetesën e ajatollahëve. Ajo do të ketë pasoja të rënda edhe për të gjitha regjimet e tjera despotike që gabimisht menduan se interesat e tyre do të mbroheshin më së miri përmes aleancës me Teheranin. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj,…