Vlora hap sezonin turistik

10 maj 2020 | 09:11

Bashkia e Vlorës, në një ceremoni dhe situatë të pazakontë, ka deklaruar të hapur sezonin turistik.

Kreu i bashkisë, Dritan Leli, u shpreh se Vlora është gati për t’i pritur pushuesit, por gjithmonë duke respektuar protokollet për sigurinë e shëndetit, shkruan a2news.com.

Premtimet për një sezon të suksesshëm janë për t’u parë pasi nëse vetë takimi përurues i çeljes së sezonit u desh të organizohej nën masa të rrepta, pikëpyetja shtrohet, se sa staf duhet për ta bërë të mundur këtë në çdo metër katror plazh të Vlorës?

“Të fillojmë nga sot një sezon turistik të suksesshëm aq sa kushtet do të na lejojnë ta kemi”, tha Leli.

Kreu i operatorëve të jugut të vendit, Vasil Bedinaj, kërkoi përfshirjen në draft të hapjes së plazheve dhe kufijve me rajonin. Problemi përveç frikës nga virusi dhe frikës a do të vijnë pushuesit, mbetet gjetja dhe vlerësimi i stafit që do të përballet çdo minutë me pushuesit.

“Duhet ta kthejmë çelësin nga situata alarmante, e stresit dhe frikës, te një më shumë optimiste”, tha Bedinaj.

Bashkia e Vlorës, edhe pse në kushte kur asgjë nuk parashikohet dot, nuk ka ngurruar të bëjë thirrje për pushuesit që ta zgjedhin pikërisht Vlorën për t’i kaluar pushimet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje, sipas sondazheve që kjo ka thënë se i…