
Vlora Hyseni, zyrtarja e parë shqiptare që zhvillon takime zyrtare me administratën Trump
Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (ShISh), Vlosa Hyseni, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Uashington DC, ku është takuar me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të ShBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.
Në takimin me Tulsi Gabbard, drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së janë diskutuar çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona.
“U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar ShISh-in si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”, ka njoftuar ShISh-i.
Ndërsa në takim me John Ratcliffe, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së ShBA , Hyseni ka ka biseduar një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku është theksuar partneriteti i shkëlqyer me ShISh-in në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.
“U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës. Vizita në ShBA dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, ka njoftuar ShISh-i.