
Von der Leyen nderohet me Çmimin Ndërkombëtar ‘Karli i Madh’. Merr pjesë edhe Rama
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u nderua sot me Çmimin Ndërkombëtar “Karli i Madh” gjatë një ceremonie në Aachen të Gjermanisë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e saj, Von der Leyen e cilësoi këtë një moment historik për kontinentin dhe bëri thirrje për veprim të vendosur përballë sfidave që prekin të ardhmen e Evropës.
Ajo përmendi veçanërisht Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe shtetet e tjera aspirante si Moldavia dhe Gjeorgjia, duke theksuar se aspiratat e tyre drejt Bashkimit Evropian janë pjesë e vizionit për një Evropë më të fortë dhe më të pavarur.
“Ky çmim, ky qytet, janë simbol i një Europe të bashkuar. Ka kaq shumë gjëra që dëshmojnë për kulturën dhe historinë tonë, për bukurinë e jashtëzakonshme të Europës dhe për luftërat tona tragjike, për rilindjet tona të shumta dhe për ringjalljen tonë nga hiri pas dy luftërave botërore të tmerrshme.
Mrekullia e Europës – ribashkimi i fatit dhe historisë së popujve është e shkruar në këtë qytet.
Kushdo që sheh Palatine Chapel ndjen se kjo forcë është mbledhur pikërisht këtu. Çfarë vendi. Çfarë force. Katedralja është një dëshmi e jashtëzakonshme e rilindjes shpirtërore, kulturore dhe politike të Europës, e nxitur nga vizioni i Karlit të Madh.
Ideja e tij për Evropën ishte të krijonte një hapësirë, ku shkenca dhe kultura, arsimi dhe sundimi i ligjit mund të zhvilloheshin – një vend ku njerëzit përpiqen për dije dhe vlera të përbashkëta. Ai ishte i bindur se e ardhmja e Europës ndërtohej mbi të kaluarën e saj – ashtu si Kapela (kisheza) e frymëzuar nga arti bizantin, romak dhe klasik, por e formësuar për një epokë të re. Ashtu siç edhe e ardhmja jonë do të mbështetet gjithmonë mbi të kaluarën – mbi kulturën dhe dijen, historinë dhe vlerat.
Po, ky është një moment historik dhe nuk duhet ta lëmë të kalojë pa vepruar. Duhet të përballemi me këtë sfidë për Ukrainën, për Ballkanin Perëndimor.
Jam shumë e lumtur që mirëpres këtu Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Kjo është një shenjë gjithashtu për Republikën e Moldavisë dhe, shpresoj, edhe për Gjeorgjinë – për të gjithë ata që kanë vendosur në favor të një të ardhmeje të lirë dhe paqësore në Bashkimin tonë, për një Evropë më të fortë dhe më të pavarur.
Shkëlqesitë tuaja, zonja dhe zotërinj, detyra e katërt qëndron në themel të tri detyrave të tjera. Është detyra për të rinovuar dhe forcuar demokracinë tonë. Të gjithë e dimë që demokracitë janë nën sulm – nga armiq të jashtëm që veprojnë me forca të bashkuara, por edhe nga përpjekje të brendshme për ti dëmtuar. Duhet t’u kundërvihemi këtyre tendencave me gjithë energjinë tonë” – u shpreh ajo.