
Vuçiqi e nderon kongresisten Claudia Tenney për ‘forcimin’ e marrëdhënieve Serbi-ShBA
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka shpërblyer me një dekoratë shtetërore kongresisten Claudia Tenney, bashkëkryetaren e Grupit Parlamentar Serb në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të mërkurën në Beograd.
Në një ceremoni në zyrën e presidentit, Vuçiqi ka thënë se Tenney u dekorua me “Urdhrin e Flamurit Serb”, për shërbimet e saj në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Zonja Tenney ishte me ne në disa nga momentet më të vështira për vendin tonë. Ajo ishte një nga të paktat që donte të fliste me ne kur pak të tjerë donin. Ajo është një person që, pavarësisht presioneve të shumta me të cilat u përball në zonën e saj zgjedhore, gjithmonë ruajti dhe kultivoi miqësinë ndaj vendit tonë”, ka thënë Vuçiqi.
Ai e ka falënderuar veçanërisht atë “për kritikën e saj të guximshme ndaj veprimeve të njëanshme” të Qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e saj pasi ka pranuar dekoratën shtetërore, Claudia Tenney, ka thënë se lidhjet e saj me këtë rajon datojnë që nga fillimi i viteve ‘80, kur ajo ishte studente në Beograd, në Jugosllavinë e atëhershme.
“Atëherë filloi ‘odiseja’ ime. Jam e lidhur me të gjithë njerëzit në ish-Jugosllavi”, ka thënë ajo.
Kongresistja nga Partia Republikane e presidentit amerikan, Donald Trump, Tenney ka bërë me dije se ka folur në telefon me shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë mbrëmë dhe se ai i ka thënë asaj se shpresonte të vizitonte Serbinë një ditë.
Kush është Claudia Tenney?
Claudia Tenney, avokate me profesion, hyri në politikë në vitin 2011, si përfaqësuese në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Pesë vjet më vonë, ajo u zgjodh në Kongresin amerikan për herë të parë.
Aktualisht ajo është anëtare e disa komiteteve të Kongresit, përfshirë Komitetin e Përhershëm për Inteligjencën dhe Komitetin për Shkencën, Hapësirën dhe Teknologjinë.
Tenney është bashkëkryetare e Grupit Parlamentar Serb në Kongres dhe është e përfshirë në mënyrë aktive në çështjet që lidhen me Ballkanin Perëndimor. Në nëntor 2022, ajo shprehu shqetësim në lidhje me tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, duke bërë thirrje për një zgjatje të moratoriumit mbi zbatimin e politikës së targave dhe kthimin në negociata.
Në mesin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës paraqiti një plan që kërkon riregjistrimin e targave të makinave me shenja serbe në veri të Kosovës. Kjo ka shkaktuar tensione në veri të vendit, ku jeton shumica e popullsisë serbe në Kosovë.
Kontradiktat
Claudia Tenney konsiderohet politikane besnike ndaj presidentit Trump. Ajo gjithashtu ka kërkuar të provonte besnikërinë e saj ndaj tij duke propozuar që festa kombëtare, Dita e Flamurit, të kombinohej me ditëlindjen e Trumpit.
“Ashtu si ditëlindja e George Washington është kodifikuar si një festë federale, ashtu duhet të festohet edhe ditëlindja e presidentit Trump për ta njohur atë si themeluesin e epokës së artë të Amerikës”, ka shkruar Tenney në platformën “X” në shkurt 2025.
Si anëtare e Kongresit, ajo ka votuar dy herë kundër formimit të një komisioni të pavarur për të hetuar sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, kur mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit.
Një vit pas ngjarjes, Claudia Tenne, ka thënë se “ajo gjithmonë e ka dënuar shkatërrimin e pronës dhe abuzimin me të drejtën për tubim paqësor”.
Megjithatë, ajo ka shtuar se demokratët në Kongres nuk po përpiqeshin të forconin sigurinë në Kapitol, por se fokusi i tyre ishte “në ndjekjen penale të ish-presidentit Donald Trump dhe shpifjen e miliona amerikanëve që kanë shqetësime legjitime në lidhje me integritetin e zgjedhjeve”.
Ajo ishte cak e kritikave të shumta pas një deklarate të diskutueshme në shkurt 2018, kur tha se “shumë vrasës masivë përfundojnë duke qenë votues demokratë”.
Kur gazetarët e kanë pyetur nëse do ta tërhiqte atë deklaratë, Claudia Teni nuk e tërhoqi qëndrimin e saj. /REL