Vuçiqi, referendum për diçka që nuk i takon; Hashimi, i dorëzuar për diçka që duhet ta mbrojë!

27 qershor 10:54

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kryenegociator me lejen e Bajram Begut: Hashim Thaçi shkoi në Bruksel për të arritur një “marrëveshje historike” me Aleksandar Vuçiqin, despotin e Serbisë, i veshur me Prada. Për nga eleganca Hashimi nuk ia lëshon rrugën aspak duke iu falënderuar disenjatorëve që paguhen mirë që, së paku, pamjen e jashtme ta ketë evropiane e përmbajtjen… nuk po e komentoj se çfarë e ka. Vuçiqi po tregton me tokat e Kosovës, pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e Kosovës, pas krimeve të pashembullta dhe të padënuara që i ka bërë idoli i tij shpirtëror, politik dhe serbomadh, Sllobodan Millosheviq dhe Vojisllav Sheshel, sikur edhe vetë Aca.

I pari është diku në rrethin më të rëndë të kazanit të Ferrit të Dante Aligerit, kurse i dyti, i shndërruar në një palaço, dalë mode, me marrëzitë që do t’i riciklojë, po përpiqet të mbetet në qendër të vëmendjes, qoftë edhe si i marrë që është. Vuçiqi e ka shumë lehtë sepse me asgjë nuk po e rrezikon Serbinë, kurse skajshmërisht po e rrezikon Kosovën. Në këto “bisedime” nuk po bisedohet për Mollën e Kuqe dhe krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, që nga themelimi i shtetit serb të cilit, paraardhësit e Erdoganit ia njohën pavarësinë derisa shqiptarët i shtypnin dhe mbytnin me dhunë dhe mizori.

Nuk po bisedohet për spastrimin etnik të Toplicës, rajoneve të banuara me shqiptarë në Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Otomane. Nuk po bisedohet për elaboratet e Garashaninit, Çubrilloviqit dhe Ivo Andriqit, për krimet ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për Masakrën e Tivarit, masakrën e Drenicës, shpërnguljen e dhunshme në Turqi, aksionin e mbledhjeve të armëve, konferencën e Prizrenit, burgosjen dhe vrasjen e dhjetëra-mijëra shqiptarëve, së paku 12 000 civilëve  të vrarë në luftën e fundit, për varrezat masive në Batajnicë dhe Petrovo Sello ku janë ekzekutuar shqiptarë të zënë robër lufte apo është eksperimentuar mbi mbetjet mortore të shqiptarëve të ekzekutuar pa gjyq.

Nuk po bisedohet për një numër të madh të femrave të dhunuara shqiptare, si krime lufte, për qindra-mijëra ushtarë shqiptarë të dënuar dhe vrarë në armatën e ish-Jugosllavisë, për zhdukjen e mijëra shqiptarëve dhe joserbëve, për spastrimin etnik të Kosovës nga janë përzënë afërsisht 1 000 000 shqiptarë, për 193 varreza masive, për 264 vrasje në masë, për shkatërrimin e mbi 120 000 banesave, shtëpive, ekonomive familjare, objekteve fetare, kulturore, sportive dhe për minimin e një hapësire të madhe të tokës së Kosovës. Nuk po bisedohet për vjedhjen e dokumenteve origjinale kadastrale dhe të arkivave të Kosovës, për grabitjen e kursimeve të qytetarëve të Kosovës si dhe fondit pensional.

Nuk po bisedohet për helmimin e mijëra nxënësve shqiptarë dhe nuk po bisedohet për krime të luftës që i ka bërë Serbia në Kosovë, për dorëzimin e të dyshuarve për krime lufte që janë strehuar dhe janë nën përkujdesje të shtetit serb. Nuk po bisedohet për zhdëmtimin e atyre që janë dëmtuar pavarësisht prej përkatësisë etnike, fetare, moshore, gjinore, statusit shoqëror etj. Nuk po flitet për krimet e Serbisë në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe ndërhyrjeve flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Nuk po flitet për gjërat që i bisedojnë dy shtete, por vetëm për çështje që janë ekskluzivisht punë të brendshme të një shteti. Bashkësia ndërkombëtare e cila po shitet si lehtësues i këtyre bisedimeve në fakt po e dhunon, së bashku me Serbinë dhe këta leshkot tanë që, kinse, po e përfaqësojnë Kosovën, vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin përmes referendumit se si duan të jetojnë dhe me kë duan të jetojnë.

Në shtetet nga kanë ardhur këta dhunues të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, edhe për neutralizimin e qenve endacakë, organizohet referendumi, kurse te në ky përcaktim demokratik i vullnetit të qytetarit është eliminuar edhe si mundësi teorike kurse, një pakicë kombëtare, jobashkëpunuese, e manipuluar dhe kontrolluar nga Beogradi është veshur me fuqi bllokuese që, kur të dojë dhe si të dojë, mund ta bllokojë vendimmarrjen demokratike dhe të ligjshme të shumicës.

Goglat prej makushi të Vuçiqit dhe goglat prej harabeli të Hashimit: Makushi është koqemadh dhe makushja i bënë vetë e mëdha që paraqesin ngarkesë edhe për një që ka muskuj të fuqishëm. Harabeli i ka goglat aq të vogla  saqë për t’i parë duhet ta përdorni teleskopin e koordinatorit për mjedis, Mendim Rugovës, kurse makushja i bënë vezët mikroskopike. Këtë hyrje e bëra për t’i krahasuar koqet e Vuçiqit me mbetjen e koqeve të Hashimit. Vuçiqi po i qet koqet në tavolinë për gjëra që, as nuk janë çështje e Serbisë e as e Vuçiqit, kurse Hashimi po i mbanë mbetjet koqore nën tavolinë për punë që janë çështje ekskluzive e Kosovës dhe rrjedhimisht e Hashimit sikur edhe e të gjithë neve. Vuçiqi në këtë takim ishte pajisur me dokumentacion dhe letra, kurse Hashimi, me duar në xhepa, ishte i shoqëruar me llaskuçë si çifti i Bekimit, profiter si puna e Blerimit, tregtar si çështje e Gjetit dhe vetë Hashimi, si i dorëzuari kokë e këmbë, si para Mogerinit ashtu edhe para Vuçiqit.

Hashimi pa mandatin e Kuvendit të Kosovës nuk mund të bisedojë për Kosovën dhe kufijtë e saj. Nëse e do aq shumë Vuçiqin, le t’ia falë Shtëpinë e Mallrave në Gostivar. Ky aset nuk është në Kosovë dhe as Kosova nuk humbet, madje as Hashimi. Eventualisht mund të humbë KEDS-i i Erdoganit. Nëse Kosova është Republikë parlamentare dhe, sipas Kushtetutës, e tillë është, deputetët e Kuvendit mund ta mandatojnë Hashimin si kryenegociator. Nëse Hashimi me hashimët e tjerë e ka privatizuar në atë masë Kosovën duke e shndërruar në Republikë Hashimiste (disi sikur në Jordani), deputetët e Kosovës duhet të shkojnë nëpër shtëpia dhe të mos e durojnë injorimin dhe turpërimin që u bëhet nga një ekip llaskuçësh dhe profiterësh që flasin në emër të tyre. Nëse janë deputetë që e ndiejnë veten si të zgjedhur të popullit, me mendje, përmbajtje dhe veprim, duhet ta tërheqin për veshi Hashimin në Kuvendin e Kosovës sikur kur gjykata urdhëron praninë me forcë të një të dyshuari nëse ai refuzon ftesën e rregullt të Gjykatës.

Nëse Hashim Thaçi e merr bekimin (një llaskuç me këtë emër e ka si patericë permanente) e deputetëve për të qenë kryenegociator atëherë nuk kanë kuptim fare lotët sikur të serialeve latino-amerikane të Dullë Hotit apo kërcënimet e Lenës dhe mobilierisë Bini. Në atë rast Hashimi duhet të përkrahet, të ndihmohet dhe të mbikëqyret. Nëse Hashim Thaçi nuk e përfaqëson Kosovën, por pesë (5) ambasadat më të fuqishme në Kosovë, lehtë do ta ketë me Vuçiqin, le të flasë në emër të atyre pesë shteteve të cilat, duke mos reaguar në pohimet e Hashimit, në heshtje po e pranojnë Hashimin si kryenegociator.  Bekim Paterica po thotë se afati kohor për përmbyllje të këtyre bisedimeve dhe arritja e “marrëveshjes historike” është 6 – 8 muaj. Nëse këtë shtatzëni negociatoro-politike e krahasoni me një shtatzëni të vërtetë dhe bëni krahasime atëherë duhet ta keni të qartë se shtatzënia 6-8 muaj kryesisht dështon, mund të lindë foshnja me të meta dhe ekstremisht rrallë përfundon mbarë. Duket se kjo shtatzëni negociatore-politike e llogaritur të zgjasë 6-8 muaj, sipas “gjinekologut” Bekim Llaskuçi, është paracaktuar të jetë dështim për Kosovën. Pa asnjë dilemë.

Madje, tash, pa fije turpi edhe ata që dikur u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, sikur edhe këta hasanprishtinët modernë, që sakrifikuan çdo gjë për këtë Kosovë që s’e kemi, si puna e Begjës dhe vëllait të Boros, po deklarojnë se kemi bërë mjaft lëshime dhe se më nuk lëshojmë pe. Më së shumti që Serbisë mund t’i bëjmë lëshime është ta bëjmë Asociacionin si Republika Serpska (edhe ashtu ministri cub Jeftiq nuk po i pranon ligjet e Kosovës), t’i japin territore Serbisë kah Llapi, Istogu, Anamorava dhe t’ua njohim zonave të mbrojtura statusin eksterritorial siç e kanë ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike. Kur e kundërshtonim demarkacionin me Malin e Zi pata shkruar se kur Serbia të pranojë ta bëjë demarkimin e kufirit me Kosovën, do ta puthim çdo pëllëmbë që e ka marrë Mali i Zi.

Një ditë, gjatë bisedës me njëfarë pisi institucional, më tha se kufijtë e Kosovës duhet të drejtohen sepse estetikisht nuk janë në rregull. Ky farë hajduti po e luan rolin e disenjatorit Armani duke lëvizur kufijtë e Kosovës sikur të ishin të brendshme të një kurtizaneje politike. E pështyva në pafytyrën që e ka por, çuditërisht, nuk reagoi dhunshëm, por u largua me kërcënim: “Ta tregon ty Hashimi qejfin në kohën që ishte shndërruar në kondom të Hashimit …”

Lexues të nderuar, po të m’i jepte dikush pesë milionë euro shpërblim, me kërkesën ta dizajnoj ekipin më katastrofal negociator dhe më të dëmshëm për Kosovën, do të mbesja me gishtërinj në gojë, asnjëherë nuk do të isha në gjendje ta komponoj një katërshe të tillë me Hashimin, Begjën, Blerimin dhe Bekimin. Banda e madhe e katërshit në Kinë, gjatë Revolucionit Kulturor Kinez, e dëmtoi kulturën kineze. Banda e katërshit në Kosovë ka gjasa reale ta shkatërrojë të ardhmen e Kosovës. Qofsha i gabuar në këtë parashikim!

Aman, mos loboni, as për njohje të pavarësisë e as për liberalizim të vizave: Hasan Prishtina i ditëve tona, që i mori të gjitha të mirat për vete, në emër të Kosovës nuk e ka lehtë t’i vesh pantallonat nga fluturimi i përditshëm. Ju kenë ënjtur të pasmet. Miku im i madh, Behgjet Pacolli, me të cilin e ndajmë një të kaluar të përbashkët patriotike dhe kombëtare, plot sfida dhe sakrifica, me role të ndara, ai në Lucern e unë në Lepogllavë, nuk po lë vend pa shkuar dhe pa i lutur që ta njohin pavarësinë e Kosovës apo për ta penguar çnjohjen e kësaj pavarësie. Së fundi shkoi në Vjenë, Austri, ku loboi që Austria ta njohë pavarësinë e Kosovës për të vazhduar në Afrikë, ku ka plot havera, sidomos në Nigeri. Aman miku im i madh, Gjet Colli, ndërprite lobimin për njohje të pavarësisë se, jo që nuk po na njohin, por kanë filluar të na çnjohin edhe ata që na kanë njohur.

Gjeti është shumë i zoti. Me “artin e diplomacisë” që e zotëron, nuk kam asnjë mëdyshje se gjatë mandatit që e ka do t’i bindë Francën, Gjermaninë, Anglinë dhe Amerikën që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran e që deri më tani nuk e kanë bërë. Begjo, rri në Afrikë sa më gjatë, të premtoj se në momentin kur AKR-ja do t’i bëjë dy deputetë, do të thërras dhe do ta marr myzhdenë. Më beso se aq shumë na keni trullosur me këtë lobim për njohje të pavarësisë sa kemi filluar të mos e njohim as njëri-tjetrin!

E kam një lutje edhe për Kadri Veselin, ta ndërpresë me urgjencë lobimin për liberalizim të vizave se, në të kundërtën, do të na fusin kufizim edhe për lëvizje brenda Kosovës. Merre vëlla këtë ekipin e shkëlqyer që e ke lobues, mos i dërgo në ndonjë muze apo teatër, se moti janë të gatshëm të dërgohen në muze, ndërsa as aktorët më profesionistë të teatrit nuk do të dukeshin më qesharakë në përpjekjet lobuese që i bëjnë këta të ekipit tënd. Dërgoji në një qendër ku ka zbritje sezonale, nëse të duhet lista e qendrave të mëdha tregtare në Evropë ku pamëshirshëm mund të dhunohen kartelat bankare të institucioneve, pyetini Editën dhe Gjergjin, janë të paparë për këtë! Po çfarë lëvizje e lirë pashë Zotin, nuk po mund të lëvizim lirisht as nëpër rrugët e qytetit të groposura sikur në Kandahar dhe të vërshuara nga ujërat e zeza (m.ti) sikur edhe nga qentë e Shpend Ahmetit që e kanë fituar statusin sikur të ishin lopët e shenjta në Indi.

Koincidencë e rastit apo… Nuk e di nëse ju ka rënë në sy lexues të nderuar një ngjarje, sigurisht e rastit, por që ka një ndërlidhje të çuditshme. Në ditën kur Hashimi u nis për Bruksel me Bekim Patericën, djalin e tij politik, në Kosovë hyri humanisti i madh amerikan me prejardhje shqiptare, Xhon Alite, me djalin biologjik.

Vlora e pavarësisë, në mbrojtje të djalërisë: Vlora e Shaipit dhe Salës është patriote, babin e ka artist, grafist, nënën sintaksiste. E konsideroj si ndoshta politikanen më të lexuar në Kosovë dhe që e njeh shumë mirë drejtshkrimin e gjuhës shqipe për dallim nga shumica e politikanëve që në jetën e tyre nuk e kanë lexuar as një roman të vetëm, madje as “Afërdita përsëri…” në katund apo “Lulja e kujtimit”, literaturë kjo për nxënës të klasave të pesta të shkollës fillore. Vlora shkruan bukur, ka frymëzim artistik nga babai, kurse disiplinë gjuhësore nga nëna. E kam lexuar çdo shkrim të saj. Se është patriote nuk është aspak çudi, emri e detyron të jetë e tillë. Se është mbrojtëse e të gjithëve është fakt i njohur, edhe ndërkombëtarisht.

E mbron Kosovën, kosovarët si pakicë kombëtare, pakicat kombëtare, komunitetin LGBT dhe është fanatike për të vërtetën. Pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë ku, shqiptarët dhe kosovarët e luajtën rolin kyç, Vlora reagoi si Tringë Smajli dhe Nora e Kelmendit, në mbrojtje të nderit kombëtar. Kur FIFA i dënoi me të holla fukarenjtë milionerë Xhaka, Shaqiri dhe Lihshtajner, Vlora u hedh në aksion për t’ua kompensuar dëmin që për këta janë para të imta dhe që, pa asnjë problem, mund t’i shpenzojnë duke blerë Harribo.  Kjo është ngutia e Vlorës dhe është shndërruar në standard të llamarinës, nxehemi shpejt, ftohemi edhe më shpejt. Më mirë do të ishte që këto para t’u dhuroheshin atyre që e shesin gjakun e trupit për t’i mbajtur familjet. Atyre që nuk e kanë të siguruar as edhe një bukë për një ditë. Atyre që vdesin në stolin e operacionit për shkak se nuk kanë mundësi ta paguajnë anestezionin apo edhe penjtë për operim.

Fëmijëve që detyrohen të bëjnë punë të rënda edhe për burrat, për ta siguruar një kafshatë goje për familjen. Invalidëve të luftës që paratë ua kanë hëngër veteranët e Bllacës dhe Jazhinces. Ish-luftëtarëve të UÇK-së që komandantët e tyre, pa e shkrepur një plumb, janë bërë milionerë, ndërsa këta kanë mbetur raste sociale dhe shumë raste të tjera e që ka shumë në Kosovë. Ose, Vlorë, ato para që janë mbledhur, mos ia jepni Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, por Hashimit, Bekimit dhe Blerimit sepse u duhen për Bruksel. Apo, jepjani Begjës dhe Ramizit sepse kur nuk u mjaftojnë paratë. Graniti dhe Xherdani janë patriotë të vërtetë dhe ata kurrë nuk do t’i marrin ato para, edhe në situatë kur nuk do të kishin para e lëre më kur kanë para të mjaftueshme, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për t’i ndihmuar të tjerët. Ata që e duan kombin, identifikohen me të në çdo moment dhe i shërbejnë kombit, pa kërkuar asnjë shpagim. Të tillë janë Xherdani dhe Graniti. Nëse ju koriteni, mos i futni në vallen tuaj.

E dashura Vlorë, në QKUK në Prishtinë po lufton për jetë, veprimtari i dëshmuar për çështje kombëtare, ish i dënuari shumëvjeçar për çështje politike, përkrahës aktiv i luftës Çlirimtare të Kosovës dhe UÇK-së, anëtar shumë kontribuues në kohët më të vështira dhe të rrezikshme i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë që udhëhiqej nga mendja, kuptimi, përmbajtja, sakrifikimi dhe veprimi për liri të njerëzve të robëruar në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti, i Pavdekshmi Bacë Adem Demaçi, Bajrush Behrami. Bajrush Behrami e ruajti nderin që e kishte, nuk e hëngri as të kaluarën e tij, të tashmen e as të ardhmen e tij, fëmijëve të tij dhe të gjithë neve, prandaj edhe mbeti pa përkujdesje institucionale, ndonëse kontributi i tij ishte i madh për këtë që e kemi.

Ishte dhe mbeti opozitë e të gjitha dukurive të këqija me të cilat janë stolisur  një numër jo i vogël atyre që, kinse, bëjnë politikë sot në Kosovë.

Vlorë, lutu për Bajrushin, se sakrifica e tij të ka bërë deputete, ministre dhe tash ambasadore. Mos të flasim për Përmendoren e Sakrificës Shqiptare, Bacën Adem Demaçi. Ata që u sakrifikuan një shekull e më shumë janë rrënjët dhe trungu i lirisë, Graniti, Xherdani, Dua, Rita dhe të tjerët janë lulet e këtij trungu, lulet e popullit shqiptar. Mos më detyro të shkruaj edhe më shumë…

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë e koalicionit në Gjermani nuk kanë arritur të zgjidhin…