Weberi: Deri në fund të vitit Kosova dhe Serbia mund të jenë më afër marrëveshjes finale

22 qershor 2020 | 13:17

Eksperti i njohur gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, ka deklaruar se deri në fund të vitit Kosova dhe Serbia mbase mund të jenë më afër një marrëveshjeje përfundimtare.

Weberi ka theksuar se nëse e krahasojmë takimin e paralajmëruar të Uashingtonit që pritet të mbahet më 27 qershor me negociatat e mëparshme raundi i ardhshëm i bisedimeve është edhe më i vështirë.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Weberi ka thënë se nuk ka agjendë të qartë për takimin e 27 qershorit në Uashington.

“Nëse e krahasojmë këtë takim me negociatat e mëparshme, të cilat ishin gabimisht të udhëhequra dhe krejtësisht jotransparente nga kryenegociatorja e atëhershme e BE-së, Federika Mogherini, ky raund i ardhshëm i bisedimeve është edhe më i vështirë. Në procesin e bisedimeve të zonjës Mogherini të paktën e dinim përfundimin, negociatat për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse”.

“Dhe pas një viti ne e morëm vesh për agjendën e fshehtë të tre negociatorëve, shkëmbim territoresh. Për takimin e 27 qershorit ne në thelb nuk dimë asgjë, duke filluar me deklaratat kontradiktore të Grenellit dhe presidentit Thaçi për agjendën, një marrëveshje në sferën ekonomike apo një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës insistojnë që të kemi një platformë negociuese me parime të qarta dhe linja të kuqe, por në të njëjtën kohë insistojnë që ata nuk e dinë se çfarë do të diskutohet në Shtëpinë e Bardhë, por megjithatë kanë rënë dakord të marrin pjesë në negociata të tilla”, ka deklaruar Weberi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hysni Gucati Pas dhënies së mendimit këshilldhënës nga Gjykata Ndërkombëtare…