Xhaka e konfirmon: Nuk jam kandidat për deputet
Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Xhaka përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se, si kryetar i degës së PDK-së në Zvicër, do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për Bedri Hamzën si kryeministër i ardhshëm i vendit. Po ashtu, ka deklaruar se do të jetë plotësisht në dispozicion të strukturave dhe aktivistëve të PDK-së për të dhënë kontributin e tij në këtë proces zgjedhor, shkruan Epoka e re.
Njoftimi i plotë i Xhakës:
Të nderuar bashkatdhetarë, miq dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,
Dua t’ju informoj se në këto zgjedhje nuk do të jem pjesë e garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Së pari, shpreh mirënjohjen time të thellë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarin z. Memli Krasniqi, të cilët më dhanë mundësinë dhe nderin të jem pjesë e listës në zgjedhjet e kaluara. Po ashtu, falënderoj kryetarin aktual të PDK-së, z. Bedri Hamza, si dhe Kryesinë e partisë, për besimin dhe vlerësimin që më ofruan sërish për të qenë pjesë e listës edhe në këto zgjedhje.
Megjithatë, pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe për shkak të obligimeve të shumta familjare, profesionale dhe angazhimeve në Zvicër, kam vendosur që këtë herë të mos marr pjesë në garë. Ky vendim ka ardhur me përgjegjësi dhe me respekt të madh për procesin zgjedhor dhe për të gjithë ju që keni besim tek unë.
Faleminderit nga zemra të gjithë bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të Kosovës që në zgjedhjet e kaluara më nderuan me mbi 18,000 vota. Ky besim është një përgjegjësi dhe mirënjohje që do ta mbaj gjithmonë me krenari.
Si kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, do të vazhdoj të angazhohem maksimalisht për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për z. Bedri Hamza si Kryeministri i ardhshëm i vendit. Do të jem plotësisht në dispozicion të strukturave dhe aktivistëve tanë për të dhënë kontributin tim në këtë proces.
Me respekt,
Ragip Xhaka



