Xhevë Krasniqi-Lladrovci, gruaja që u bë simbol i luftës për liri

03 qershor 2025 | 11:20

Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së heroinës Xhevë Krasniqi Lladrovci, me përulje,

Nafi Krasniqi, agjistër i shkencave juridike - kushtetuese dhe administrative
Nafi Krasniqi, magjistër i shkencave juridike – kushtetuese dhe administrative

 

Historia e njerëzimit është e gërshetuar me rrëfime të fuqishme të grave që kanë sfiduar kufijtë e kohës dhe kanë transformuar botën me guximin, mendimin dhe vizionin e tyre. Shumë prej këtyre grave kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në çdo sferë të jetës, duke dëshmuar se ndryshimi shoqëror dhe progresi nuk janë kurrë të lidhur me gjininë, por me forcën e brendshme që ka secili njeri.
Gratë si Eleanor Roosevelt, Marie Curie, Rosa Parks, Nëna Terezë (Gonxhe Bojaxhiu), Malala Yousafzai, dhe shumë të tjera, vazhdojnë të jenë frymëzim për shumë kënd. Kontributin e tyre e hasim në fusha të ndryshme, dhe falë tyre, bota ka përjetuar ndryshime të mëdha. Këto ndryshime prekin katër anët e globit dhe përfshijnë fusha të shumta: arsimin, kulturën, humanizmin, liritë dhe të drejtat e njeriut, etj. Këto gra dhe shumë të tjera si këto, kanë arritur të tregojnë se nuk mund të flitet për një epërsi dominuese të gjinisë mashkullore, pasi ato thyen barriera, sfiduan paragjykimet, luftuan mendësinë patriarkale dhe sfiduan shoqëri e sisteme të ndryshme.
Gratë që ndryshuan botën nuk ishin të jashtëzakonshme vetëm për arritjet e tyre, por sepse veprimet e tyre kishin një qëllim më të madh se vetja: të thyenin barrierat e padrejtësive ndaj gruas, të rrëzonin mite, të sfidonin mendjet arkaike dhe të hapnin rrugë drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në fund të shekullit të kaluar, shfaqet një nga figurat më të ndritura të kombit tonë: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, gruaja që u bë simbol i dijes, guximit dhe sakrificës. Me vetëdije të lartë kombëtare e intelektuale, ajo ju përkushtua ndryshimit të gjendjes në të cilin po jetonte populli shqiptar. Në të vërtetë, ajo përfaqëson një nga figurat më të kompletuara të gruas shqiptare, një grua që u ngrit kundër padrejtësisë dhe që i qëndroi besnike vlerave të lirisë deri në fund.

“Nëse dikush i shërben dijes dhe së drejtës, ajo është dy herë e pavdekshme.”

Këto fjalë përshkruajnë një segment të figurës shumë komplekse të Xhevë Krasniqi-Lladrovci, gruas që ndërthurte dijen me qëndresën, fjalën me sakrificën, jetën me lirinë. Përderisa, në panteonin e historisë shqiptare, figura e saj shfaqet si një simbol i rrallë i dijes, guximit, përkushtimit dhe sakrificës. E lindur më 1 qershor 1955 në Drenoc të Malishevës, ajo rridhte nga një familje me tradita të thella atdhetare. Babai i saj, Abdyl Krasniqi, ishte një arsimtar dhe veprimtar i shquar kombëtar, i njohur për përpjekjet e tij në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar.
Ishte dija ajo që thyente prangat e padijes. E diplomuar në gjuhë dhe letërsi shqipe, Xheva ishte më shumë se një pedagoge: ajo kishte vendosur të edukonte brezat në rrugën e lirisë, duke mos u mjaftuar vetëm me mësimin e rregullave të gjuhës, por duke i formuar ata me vetëdije kombëtare, duke ju ushqyer ndjenjat për kombin dhe atdheun, dhe duke mbjellë fuqishëm idealin e lirisë. Fjalët e saj nuk ishin vetëm mësim, ato ishin thirrje për ndërgjegjësim, për dritë në errësirën e pafund që e kishte kapluar Kosovën dhe popullin e saj.
Por Xheva nuk u mjaftua me të qenurit pedagoge, sidomos në një kohë kur padrejtësia ndaj popullit të saj ishte bërë e rëndomtë. Siç shkruante shkrimtari i njohur rumun Elie Wiesel: “Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën”. Dhe Xheva nuk ishte neutrale. Ajo zgjodhi të fliste kur të tjerët heshtnin dhe të luftonte kur të tjerët iknin. Ajo e kishte kuptuar prej kohësh se liria nuk dhurohet, por fitohet me vetëmohim, kështu bashkë me burrin e saj Fehmi Lladrovci (hero i Kosovës), u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo nuk ishte thjesht një ushtare më shumë, por ajo përfaqësonte forcën e gruas shqiptare. Xheva, që dikur ulej për t’i edukuar dhe mësuar nxënësit, u ngrit për të zgjuar një popull në rrugën drejt lirisë.
Sot, emri i saj nuk është thjesht një kujtim, por një testament i gjallë se: si një pedagoge mund të jetë luftëtare; se si një grua mund të mbajë mbi supe barrën e luftës për liri; që dija dhe guximi janë dy anët e së njëjtës medalje.
Figura e saj është një postulat i fuqishëm e cila dëshmon se dashuria për atdheun nuk është vetëm fjalë, por veprim, sepse liria për të ishte trashëgimi që e donte më shumë se jetën. Dhe këtë, Xhevë Krasniqi-Lladrovci e dëshmoi gjatë gjithë jetës së saj. Për të nuk kishte asgjë më të shenjtë se liria. Liria e cila jeton bashkë me emrin e saj të lavdishëm. Ajo nuk u përkul, nuk u shua, por u bë dritë për të tjerët, një shtatore simbol që askush kurrë dhe asnjëherë nuk mund t’i bëjë hije.
1 qershor 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, klubi saudit Al Hilal është shumë…