
Xhiroja e fundit e Superligës, dikush sot mbijeton, dikush del në Evropë
Sot zhvillohet xhiroja e 36-të, njëherësh e fundit për këtë edicionin në Superligën e Kosovës në futboll.
Krejt ndeshjet nisin nga ora 16:00 dhe do të transmetohen ekskluzivisht në platformën kryesore televizive Artmotion.
Përfundimisht, sot do të dihen skuadrat që do të largohen nga Superliga dhe cilat nga skuadra do të jenë pjesëmarrëse në garat evropiane.
Vëmendja kryesore do të jetë te ndeshjet Prishtina – Malisheva dhe Ferizaji – Gjilani.
Malisheva dhe Gjilani po luftojnë për vendin e tretë, që dërgon në Evropë.
Në këtë rast, malishevasit i kanë dy pikë më shumë në tabelë.
Goxha interesante do të jete edhe lufta për mbijetesë, mes Llapit dhe Suharekës.
Skuadra e Tahir Batatinës, i ka 44 pikë dhe renditet në vendin e tetë, dy më shumë se ajo nga Suhareka.
Llapjanët, do të jenë nikoqirë të Dukagjinit, derisa Suhareka përballet me rivalin lokal, Ballkanin.
Në rast se pozitat në tabelë nuk ndryshojnë, Llapi do të duhej të luaj ndeshjen e barazhit kundër Vushtrrisë, derisa Suhareka do të përshendetet nga elita e futbollit kosovar.