‘Ylli i javës’, Januzi: Ishte vit shumë zhgënjyes

26 maj 2025 | 13:20

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 36-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Llapit, Ahmed Januzi.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Besim Slishani, Bujar Asllani dhe Berat Berisha. Ky komision vendosi që për xhiron e fundit në këtë edicion kampional t’i takojë Ahmed Januzit, i cili shënoj dy gola në ndeshjen kundër FC Dukagjini (3-1), duke i dhënë mundësi skuadrës së tij të jetë në barazh.

“Ky vit ka qenë shumë zhgënjyes për ne, sepse kishim ambicie të mëdha: lufta për titull dhe fitorja e Kupës. Nuk ishte një vit i mirë, por sido që të jetë, jemi këtu ku jemi dhe jemi të përqendruar te barazhi. Do ta japim më të mirën për këtë fanellë. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë ecuri, por këto i përkasin së kaluarës. Kampionati i sivjetëm ka qenë shumë më i vështirë se vitet e kaluara, sepse as Llapi nuk është paraparë të jetë në fund të tabelës, por ky është futbolli. Ndeshja ndaj Vushtrrisë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë; do të luaj kundër vendlindjes sime”, ka thënë Januzi për faqen zyrtare të FFK-së.

“Normalisht që është kënaqësi të marrësh tituj e trofe, si me klubin ashtu edhe individualisht, dhe këtu kanë meritë edhe bashkëlojtarët, sepse nuk mund të jesh individualist i mirë nëse nuk jemi grup. Uroj që lojtarët e rinj të shpallen më të mirët e javës, sepse kanë ambicie, kanë qëllime, por edhe kanë talent e cilësi – siç është Arianit Hasani”, ka deklaruar Januzi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po rritet adrenalina për të ndjekur finalen e Ligës së…