Ymeri: S’ka më justifikime – pushteti me 5 vite qeverisje nuk mund të viktimizohet nga opozita

24 nëntor 2025 | 23:11

Analisti Visar Ymeri në Debat Plus kritikoi ashpër Qeverinë Kurti, duke thënë se pushteti aktual, pas pesë vitesh qeverisje, po paraqitet rrejshëm sikur bllokohet nga opozita.

“Qeveria e 50 për qindshit… 5 vjet në pushtet, ankohen që opozita s’i lë me punu. Është e pavërtetë. Nuk mund ai pa pushtet me të pengu ty që e ke pushtetin absolut”, tha ai.

Ymeri akuzoi edhe Presidenten Vjosa Osmani se po flet si pjesë e Vetëvendosjes.

“Presidentja ka folur më shumë si Vetëvendosje se Glauk Konjufca kur kërkonte votën për kryeministër”.

Ai tha se qeveria ka pasur mundësi të zgjidhë çështjen e buxhetit për Prishtinën, por nuk ka vepruar.

“Hekuran Murati sot thotë ‘po kqyrim me bo zgjidhje’, por pse s’e ka bërë më herët?”, ka pyetur Ymeri.

Sipas Ymerit, qeveria ka shpërndarë para në forma të jashtëligjshme në raste të tjera, ndërsa Prishtinës ia ka bllokuar edhe të hyrat vetanake.

“Nuk po kërkohet grant, por paratë e Prishtinës — ato ia kanë blloku”, tha ai.

Ai theksoi se protesta e punonjësve të Trafikut Urban dëshmoi se shërbimet në kryeqytet janë në krizë dhe se pa instrumente minimale, qyteti do të hynte në kaos.

Ymeri u shpreh se Vetëvendosja po synon të sundojë ligjin.

“VV nuk e do sundimin e ligjit — do ta sundojë ligjin. Ligji është ashtu si thonë ata, jo siç është i shkruar”, ka thënë me cinizëm Ymeri.

Tutje ai solli shembuj nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që qeveria i ka injoruar dhe përfundoi duke thënë se qeveria po krijon struktura oligarkike të pushtetit.

“Vendimmarrja u delegohet personave pa pushtet formal. Ky është pushtet oligarkik, jo demokratik”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga nesër…