Z/kryeministri në detyrë, e kompleton sulmin ndaj drejtësisë: Supremja ‘primitive’, Kushtetuesja ‘e korruptuar’

16 korrik 2025 | 22:13

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në detyrë tash e 111 ditë – e ka kompletuar sulmin ndaj sistemit të drejtësisë. Kushtetuesen e kishte shpallur ‘të korruptuar’, ‘pa kompetencë’ dhe ‘pa kredibilitet’. Tash, instancës më të lartë të gjyqësorit, Gjykatës Supreme, i përshkroi ‘primitivizëm’ dhe konstatoi se do të gjejnë ‘humbje me shumë turp’.

Besnik Bislimi kryeministër në detyrë që nga certifikimi i Albin Kurtit si deputet (që me Kushtetutë dhe Ligjin për Qeverinë, legaliteti dhe kushtetuetshmeria e tij në Zyrë të Kryeministrit ka pushuar), është bërë i gjallë hiç më larg se dje kur Supremja e konstatoi atë që dihej: që rendi kushtetues dhe juridik nuk lejon dy-pushtetshmërinë.

Gjykatën Supreme dhe vendimin konsekuent që Hekuran Murati kreu shkelje kushtetuese dhe ligjore duke ushtruar dy-pushtete, Bislimi e quajti “primitiv”.

“Edhe një rast sa tipik ashtu edhe primitiv i luftës së hapur që gjyqësori i ka shpallur qeverisë dhe zhvillimit të shtetit. Një luftë që me siguri të plotë do ta humb me shumë turp”, shkroi Besnik Bislimi.

Këtë shkrim Bislimi e bëri në profilin e tij ‘privat’ duke shpërndarë reagimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës ku bëhej e ditur që s’e njohin vendimin e Supremes, vendim ky i cili është final dhe përbën bazë për ndjekje penale në rast të veprimit kundër saj.

Bislimi në terma të njëjtë ishte shprehur edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, instancës më të lartë në vend që ruan dhe garanton kushtetuetshmërinë dhe rendin kushtetues të vendit. ‘Ambient i korruptuar’, ‘pa kompetencë’ dhe ‘pa kredibilitet’, ishin tri prej kualifikimeve të rënda të dhëna nga Bislimi.

Njëjtë gati se so Albin Kurti, që shprehej se “një nëntë gjykatës” kushtetuese nuk mund të pengojnë një dikë që ka marrë “400 mijë vota”, Besnik Bislimi, duke folur për një media serbe “Radio Gorazdevac” godste ashpër institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Bislimi shprehej se “ne si qeveri rezervojmë të drejtën e intepretimit” dhe se “kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime”.

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, ka thënë Besnik Bislimi.

Bislimi, duke i qëndruar kësaj linje sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese, shprehej se edhe Qeveria e Kosovës i ka fituar zgjedhjet me premtim për “Drejtësi”.

“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre.”.

“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil”, ka vazhduar Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës e ka konfirmuar që një ndërtesë në…