Zafa: Ne nuk protestojmë për politikë, por për kujtesë, për dinjitet dhe për drejtësi
Zafir Berisha dhe shumë shqiptar tjerë i janë bashkuar protestës së organizuar nga Shoqatat e Luftës së UÇK-së para Asamblesë Parlamentare të KE-së, në Strasburg të Francës, në mbështetje të vlerave të luftës dhe pastërtisë së saj.
“Sot, para Asamblesë Parlamentare të KE-së, në Strasburg të Francës, si ish luftëtarë të UÇK-së, prindër, bij e bija të Kosovës së lirë, kemi ardhur jo për të kërkuar mëshirë, por për të kujtuar një të vërtetë të madhe:
Liria jonë nuk ishte dhuratë.
Ajo u fitua me gjak, me lot, me shpresë, për një jetë më të mirë në atdheun tonë të dashur, Kosovën!
Unë jam sot në këtë protestë me Kushtrimit dhe Kremtimit, dy djemtë e mi të lindur pas luftës. Ata janë fëmijë të paqes, janë frymë e atyre që luftuan për të.
Në sytë e tyre shoh çdo fëmijë të Kosovës që sot jeton i lirë falë sakrificës së bijve më të mirë të këtij kombi nën emblemën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, ish krerët UÇK-së që dikur mbanin pushkën për ta mbrojtur jetën e qytetarëve liridashës të Kosovës, po tentohet t’i gjykojnë sikur kriminelë.
Hashimi, Jakupi, Kadria dhe Rexha me shokë jan vetë liria e Kosovës.
A mund ta quash drejtësi një gjykatë që harron krimin e agresorit dhe ndëshkon viktimën që mbrojti vendin e vet?
Ne nuk kërkojmë të fshihet e vërteta, përkundrazi, ne kërkojmë që ajo të mos shtrembërohet.
Kërkojmë që Evropa të mos e harrojë se liria e Kosovës është edhe liri evropiane.
Se plagët tona janë ende të hapura, dhe se fëmijët tanë nuk mund të rriten në një botë ku sakrifica për liri shihet si faj.
Kushtrimi dhe Kremtimi janë mesazhi im për Evropën: këta janë fëmijët që lindën nga hiri i luftës.
Këta janë dëshmia se nga dhimbja lindi jeta, nga lufta, paqja, nga sakrifica, liria.
Mos harroni Kosovën.
Mos harroni ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë dhe flasim të lirë.
Ne nuk protestojmë për politikë!
Protestojmë për kujtesë, për dinjitet dhe për drejtësi.”, ka shkruar Zafa nga Strasburgu.




