
Zbulohen thirrjet që çuan FIFA-n drejt mbylljes së 20% të stadiumit për ndeshjen ndaj Serbisë
Shtëpia botërore e futbollit, FIFA ka vendosur të mbyllë 20% të kapacitetit të stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë për ndeshjen e radhës kualifikuese të Kombëtares Shqiptare, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Serbisë në muajin qershor.
Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) ka njoftuar zyrtarisht në fillim të javës se janë dënuar nga FIFA për sjelljen diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes Shqipëri – Andorra.
Kështu përveç gjobës financiare prej 20 mijë frangave, kombëtarja e Shqipërisë do të jetë e hendikepuar edhe pa një pjesë të tifozëve që do të mungojnë në tribunat pas portave, pra 20% të kapacitet të stadiumit.
Pas publikimit të këtij lajmi, tani ka rrjedh edhe fotografia e vendimit të dënimit, ku shihen arsyet apo thirrjet diskriminuese të cilat çuan FIFA-n të marrë një dënim kaq radikal. Sipas FIFA-s, një grup prej rreth 50 tifozëve pas portës, në minutën e tretë kanë kënduar me fjalët “vrite, vrite, vrite serbin” dhe “vrite, shkatërroje, serbin masakroje”.
Këto thirrje janë bërë nga 15-20 sekonda dhe 30 sekonda tek kënga e dytë, duke bërë që FIFA t’i cilësoj si nxitje e urrejtjes etnike. Ky dënim ka shkaktuar reagim të madh në mesin e tifozëve, pasi ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndaj Serbisë pritej me bujë të madhe nga të gjithë.