
Zëdhënësi i PDK-së i reagon zyrtarit të LV-së: Gazetarët dhe analistët nuk janë mercenarë, ju jeni kundër fjalës së lirë
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, i ka reaguar zyrtarit të Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, i cili i ka quajtur gazetarët e Kosovës si mercenarë.
Abdullahu, ka thënë se as gazetarët dhe as analistët nuk janë mercenarë, por që flasin publikisht për atë që e mendojnë.
“Edhe rusët kishin me ju xhelozuar. Gazetarët dhe analistët e Kosovës nuk janë mercenarë. Ata e thonë atë që mendojnë publikisht në media e rrjete sociale. Ata dihet se kush janë. Ata kanë emër e mbiemër. Janë të punësuar në biznese konkrete dhe paguajnë taksa. Ajo që tash sa vite në Kosovë është djallëzore deri në rrezik nacional – ajo që është tinzare deri në kërcënime e shantazhe është mekanizmi fantom në rrjete sociale që ka agjendë politike e partiake. Ajo që vihet në lëvizje me para e interesa klanore e që nuk i dihet se më shumë merr nga majtistët ekstrem të Evropës apo nga shitblerjet e rrymës me Serbinë. Ajo që shan linçon e shpall tradhtar dhe ajo që ka sjell në pushtet ide korruptive e qëndron aty me shkelje ligjore. Ky është mekanizmi që e ka vra fjalën e lirë në Kosovë e jo gazetarët, që e ka përçatë shoqërinë tonë si kurrë më parë, e jo analistët – që po e lë shtetin pa pushtet e Kosovën pa shtet. Edhe rusët kishin me ju xhelozuar për këto dimensione satanike kundër fjalës së lirë”, ka shkruar Abdullahu në “Facebook”.