Zelensky: Jam i gatshëm të takoj Putinin ditën e enjte në Stamboll

11 maj 2025 | 21:23

Zhvillime të shpejta po ndodhin në frontin ukrainas, pasi ndërhyrja diplomatike e liderëve evropianë “të gatshëm” duket se përshpejtoi proceset dhe çoi të gjitha palët në një reagim pas një periudhe apatie.

Pak kohë pas publikimit të Donald Trump në Truth Social, ku i kërkonte Zelenskyt të përgjigjej pozitivisht thirrjes së Vladimir Putinit për negociata të drejtpërdrejta të enjten në Turqi, presidenti ukrainas reagoi nga ana e tij në rrjetin X (ish-Twitter), duke deklaruar se është gati të takohet me presidentin rus për bisedime të drejtpërdrejta të enjten në Stamboll.

Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se pret që nga dita e hënë të nisë një armëpushim i plotë dhe pa kushte.

Zelensky e mbylli mesazhin e tij me: “Do ta pres Putinin të enjten në Stamboll.”

Ndërhyrja e Trump në Truth Social

Të dielën, Donald Trump bëri një tjetër ndërhyrje publike, duke shprehur dyshimet e tij për gatishmërinë e Ukrainës për të arritur një marrëveshje me Rusinë. Presidenti amerikan u bëri thirrje liderëve ukrainas të marrin pjesë në negociatat me zyrtarë rusë të enjten në Stamboll.

“Po filloj të dyshoj se Ukraina do të arrijë një marrëveshje me Putinin,” shkroi Trump në Truth Social. “Presidenti Putin nuk dëshiron një marrëveshje për armëpushim me Ukrainën, por dëshiron të takohet të enjten, në Turqi, për të negociuar një fund të mundshëm për këtë GJAKDERDHJE,” theksoi ai.

Trump shtoi se takimi në Stamboll do të nënkuptonte se të dy palët, si edhe liderët evropianë dhe SHBA-të, do të ishin më pas në gjendje të përcaktonin nëse është apo jo e mundur një marrëveshje.

“Ping pong” deklaratash mes Ukrainës dhe Rusisë

Gjatë orëve të fundit ka pasur një shkëmbim deklaratash mes Ukrainës dhe Rusisë, me qasje krejtësisht të ndryshme. Pas një lëvizjeje diplomatike nga liderët evropianë “të gatshëm”, Vladimir Putin ftoi Ukrainën në bisedime të drejtpërdrejta të enjten në Stamboll, pa përmendur një armëpushim pa kushte për 30 ditë, siç kishin propozuar liderët evropianë pas takimit në Kiev.

Volodymyr Zelensky pranoi sfidën dhe deklaroi se do të thoshte “po” për bisedime të drejtpërdrejta me Moskën vetëm nëse Kremlini do të pranonte një armëpushim pa kushte.

Reagimi i Moskës ndaj deklaratave të Zelenskyt

“Nuk e kuptove si duhet.” Kështu iu përgjigj Moska presidentit ukrainas. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se Ukraina nuk ka kuptuar saktë qëllimin e Putinit.

Zelensky më herët kishte deklaruar se është një shenjë pozitive që Rusia ka nisur të shqyrtojë mundësinë e përfundimit të luftës, por se hapi i parë në këtë drejtim është një armëpushim që duhet të nisë të hënën më 12 maj.

“Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojmë vrasjet as edhe për një ditë. Presim nga Rusia të konfirmojë një armëpushim – të plotë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm – duke nisur nga nesër, 12 maj,” shkroi Zelensky në X.

Megjithatë, Maria Zakharova bëri të qartë se Putini ka parasysh që më parë duhet të ketë negociata për “shkaqet themelore” të konfliktit dhe vetëm atëherë mund të flitet për armëpushim.

Nga ana tjetër, ambasadori i Ministrisë së Jashtme ruse, Rodion Miroshnik, deklaroi në Telegram se propozimi i Zelenskyt për armëpushim ka për qëllim në fakt riarmatosjen dhe riorganizimin e ushtrisë ukrainase.

“Bisedime mbi bazën e situatës në terren”

Moska duket e palëkundur sa i përket përfitimeve territoriale në luftë. Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, bëri të ditur se bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, të propozuara nga presidenti Putin, do të marrin parasysh “situatën në terren” dhe negociatat e vitit 2022, sipas agjencisë Interfax.

Putin propozoi të dielën negociata të drejtpërdrejta me Ukrainën më 15 maj në Stamboll.

Rusia ka pushtuar Krimenë në vitin 2014, dhe një pjesë të madhe të territorit lindor të Ukrainës pas pushtimit më 22 shkurt 2022, dhe ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga përfitimet e saj territoriale.

Reagimi i Macron

Një mesazh të qartë për Vladimir Putinin dha Emmanuel Macron, duke treguar mosbesimin e Perëndimit ndaj kësaj lëvizjeje diplomatike. Negociatat e drejtpërdrejta të propozuara nga presidenti rus mes Rusisë dhe Ukrainës, në përgjigje të kërkesës për një armëpushim “pa kushte” nga Kievi dhe aleatët e tij, janë “një hap i parë, por nuk mjaftojnë”, deklaroi të dielën presidenti francez.

“Një armëpushim pa kushte nuk i paraprihet negociatave, sipas përkufizimit,” tha Macron para gazetarëve pasi zbriti nga treni në qytetin Przemy?l të Polonisë, në kthim nga vizita në Kiev.

Akuzat për shkelje të armëpushimit

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi sot se Ukraina ka shkelur mbi 14.000 herë armëpushimin tre-ditor, afati i të cilit përfundoi dje.

“Gjatë armëpushimit, Forcat e Armatosura të Ukrainës e kanë shkelur atë 14.043 herë,” thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur fushatën e…